” Arti i përkthimit gojor dhe Ankthet e përkthyesit” nga prof Eshref Ymeri
“Në Konferencën e Partive Komuniste e Punëtore që u mbajt në Moskë në nëntor 1957, e mori fjalën edhe Kryetari i delegacionit kinez Mao Ce Duni. Duke folur për luftën e popullit vietnamez kundër kolonizatorëve francezë, ai përdori një shprehje të rëndë. Unë isha ulur në një karrige prapa Enver Hoxhës dhe i përktheja në vesh variantet e rusishtes.
Në një çast, Mao Ce Duni bëri një pauzë: dy përkthyesit e tij po konsultoheshin, me sa duket, si ta përkthenin një shprehje të tij. Më në fund, ata vendosën ta përkthejnë tekstualisht:
“Ushtria e Ho Shi Minit i bëri francezët të dhiten në brekë”.
Unë po vrisja mendjen si t’ia thoja Enverit, ndërsa ky më thotë:
- Hë, si është puna?
- Përkthyesi e përktheu tekstualisht, – i them unë. – Maoja tha që “ushtria e Ho Shi Minit i bëri francezët të… mbushin brekët”. U ndala ca sekonda dhe shtova: “Maoja e tha atë fjalën troç.., siç e thotë populli”.
E kisha shumë zor të shqiptoja fjalë të tilla kur i përktheja Enverit.”
Ky është një ndër qindra episodet kur përkthyesi bie në pozitë të vështirë, sidomos kur një personaliteti politik thotë banalitete. Përkthyesi i talentuar i rusishtes, Myfit Mushi e kujton kësisoj një nga eksperiencat e shumta kur përkthente për Enver Hoxhën duke rrëfyer edhe rastet kur zihej ngushtë dhe mundohej të manovronte.
Me të tilla ngjarje historia botërore e përkthimit është e mbushur dhe mund t’i gjeni të përshkruara në librin e Prof.dr. Eshref Ymerit, me titull “Arti i përkthimit gojor”, një vëllim prej 530 faqesh për përkthyesit gojorë, për këta “heronj të heshtur”, të cilët luajnë një rol jashtëzakonisht të rëndësishëm në historinë e njerëzimit, si “hallka ndërlidhëse” të drejtpërdrejta në komunikimin e personaliteteve të larta të politikës botërore.
Autori ka hulumtuar gjatë për të nxjerrë në pah punën e palodhur dhe mbresat e fuqishme të përkthyesve të shquar që kanë punuar pranë personaliteteve të politikës botërore, si përkthyesit e Konferencës së Paqes në Paris të vitit 1919 apo përkthyesit e Tribunalit të Nurembergut kundër kriminelëve nazistë. Faqet më tërheqëse janë ato që na njohin me punën e palodhur që ka përballuar përkthyesi i Hitlerit, i Ruzveltit, i Stalinit, i Çurçillit, i de Golit, i Mao Cedunit, i Çu En Lait, i Ten Siao Pinit, i Enver Hoxhës dhe përkthyesi i pesë presidentëve amerikanë. Prof Ymeri sjell të dhëna për traditën e përkthimit gojor në vendin tonë pas shpalljes së pavarësisë, si edhe kujtimet, përsiatjet dhe intervistat e përkthyesve të shquar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës deri në Kinë dhe Japoni.
“Kujtdo që zotëron një gjuhë të huaj, është e pamundur që të mos i ketë qëlluar rasti të bëjë përkthim vijues për dy bashkëbisedues. Por mund të ketë ndodhur që të ketë bërë edhe përkthim të njëkohshëm, i cili kërkon një mjeshtëri të veçantë për ushtrimin e tij.” shkruan në parathënien e botimit prof Ymeri i cili kujton se në fillim të tetorit të vitit 2015, botoi librin me titull “Përkthimi, një histori pasioni” ku trajtonte problemet e përkthimit të letërsisë artistike në gjuhën shqipe, të letërsisë politike në gjuhë të huaja, si edhe të letërsisë publicistike dhe informative në Radion e jashtme të Radio Tiranës dhe në Agjencinë Telegrafike Shqiptare. Të gjithë përkthyesit e kësaj letërsie janë marrë hera-herës edhe me përkthim vijues. Ndërsa disa syresh, si më të talentuar, janë marrë edhe me përkthim të njëkohshëm. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për përkthyesit e filmave artistikë në televizionin shtetëror të cilët Prof Ymeri nuk ka harruar t’i përmendë në këtë libër.
“Nisur nga përgjegjësia e madhe që përkthyesit mbajnë mbi shpatulla për përkthimin gojor, vijova punën për përgatitjen e këtij libri, ku jepet përvoja e mjaft përkthyesve të shquar që kanë shërbyer pranë personaliteteve të larta të politikës botërore. Kushdo që bën një përkthim gojor, qoftë ky vijues apo i njëkohshëm, gjithmonë përjeton njëfarë magjepseje nga procesi i komunikimit të dy bashkëbiseduesve. Sepse kuptohet vetvetiu që në këtë proces nuk është fjala vetëm për përzgjedhjen e një leksiku të përshtatshëm dhe të njësive kuptimore përkatëse, por edhe për një zhvendosje drejt një kulture tjetër, për një tjetër rrugë për të perceptuar botën. Vetëm nëpërmjet njohjes së thelluar të një tjetër kulture, në të cilën është e ngulitur një gjuhë e caktuar, specialisti i përkthimit gojor mund të bëhet bartës i suksesshëm i misionit të tij për vendosjen e komunikimit të dy bashkëbiseduesve që flasin gjuhë të ndryshme.” shkruan prof Eshref Ymeri që prej shumë vitesh jeton në SHBA.
Nga Beti Njuma