MENU
klinika

Prof. Edvin Prifti

Bypass-i, mos e humbisni këtë histori!

23.09.2018 - 20:37

Sot, afërisht 14 milion amerikanë kanë pasur një histori të një ataku kardiak ose të ‘angina pectoris’, ose të dyja.

Të paktën 250,000 njerëz çdo vit në Amerikë vdesin nga ataku kardiak ose brenda orës së parë nga shfaqja e simptomave, duke mos iu dhënë mundësia as që të shkojnë në spital.

Afërsisht 5% e atakut kardiak ndodh te njerëzit më pak se 40 vjeç, ndërkohë 45% ndodh te pacientët nën moshën 65 vjeç.

Që nga momenti i zhvillimit të tij, interventi i bypasit aorto-koronar është procedura e preferuar e trajtimit te bllokimeve të arterieve koronare. Qindra mijëra bypase aorto-koronare kryhen çdo vit.

Historia e bypasit aorto-koronar fillon në Bashkimin Sovjetik, nga një kirurg me emrin Dr. Vladimir Demikhov në vitin 1952 . Shumë shpejt kirurgë të tjerë filluan të eksperimentonin bypasin aorto-koronar në laboratorët e tyre, me kafshët.

Në 1962, kjo teknikë pati një shtytje të madhe kur Dr. Mason Sones nga Cleveland Clinic raportoi për herë të parë një teknikë të quajtur ‘koronarografia selektive’.

Në këtë procedurë, një katetër pasi futet në arterien femorale në rrëzë të kofshës, shtyhet deri në origjinën e secilës prej arterieve koronare ku injektohet material kontrasti radio opak direkt në arterien koronare.

Kjo teknikë iu ofronte kirurgëve një hartë të qartë të arterieve koronare dhe lezioneve të mundshme në to, duke dhënë mundësinë e një trajtimi kirurgjikal më efikas. Për herë të parë kirurgët ishin në gjendje të shihnin vendet e bllokuara ose të ngushtuara të arterieve koronare duke planifikuar intervention e tyre.

Ndërkohë, ishte hedhur ideja e përdorimit të një pjese vene te vetë pacienti për të realizuar bypasin aorto-koronar.

Gjatë Luftës së Koresë, kirurgët filluan të përdornin venën safena, e cila është një venë superficiale që fillon afër kaviljes dhe përfundon në rrëzë të kofshës për të anashkaluar bllokimet apo dëmtimet e arterieve në këmbët e ushtarëve amerikanë të plagosur.

Duke qenë se ky koncept u pranua nga të gjithë, disa kirurgë filluan ta mendonin përdorimin e saj si një mënyrë për të ‘bypasuar’ apo anashkaluar bllokimet në arteriet koronare dhe disa tentiva sporadike u bënë gjatë gjithë viteve 60-të.

Në vitin 1967, në kulmin e Luftës së Ftohtë, një kirurg rus i quajtur Dr. V.I. Kolessov nga Leningradi raportoi në revistën kirurgjikale amerikane eksperiencën e tij me arterien mamare interne të cilën e kishte përdorur për të realizuar bypasin aorto-koronar te 6 pacientë me bllokime të arterieve koronare.

Operacionet ishin kryer nëpërmjet një incizioni të majtë në kraharor dhe pa përdorimin e makinës zemër-mushkëri. Një vit më vonë Dr. Charles Bailey dhe Dr. Teruo Hirose në New York publikuan një raport mbi dy pacientë në të cilët arteria mamare interne ishte përdorur për të realizuar bypasin aorto-koronar të arteries koronare të djathtë.

Në vitin 1968, Dr. George Green po në New York përdori makinën zemër-mushkëri për të anastomozuar arterien mamare interne mbi arterien koronare të majtë. Në të njëjtin vit, Dr. Rene Favaloro, një kirurg nga Cleveland Clinic, përdori venën safena për të realizuar bypasin aorto-koronar te 15 pacientë.

Bypasi aorto-koronar

Është një teknikë kirurgjikale në të cilën vena ose arterie të tjera përdoren për të anashkaluar bllokimin në arterien koronare duke furnizuar me gjak pjesën e muskulit të zemrës në mënyrë të përshtatshme.

Dr. Rene Favaloro, kreu për herë të parë bypasin aorto-koronar me venë për të trajtuar sëmundjen e arterieve koronare ose sëmundjen iskemike të zemrës. Megjithatë, shumica e kirurgëve ishin skeptikë mbi bypasin aorto-koronar, veçanërisht për rastet kur ishte përdorur vena safena.

Kjo për shkak se venat safena megjithëse funksiononin mirë, përsëri ishin të shumta rastet kur ato ishin përdorur në arteriet e këmbëve, kur mbylleshin ose bllokoheshin për shkak të formimit të koagulave të gjakut brenda në lumenin e tyre duke kërkuar një ndërhyrje kirurgjikale urgjente.

Ishte e qartë se në qoftë se do të ndodhte një fenomen i tillë në një venë e cila ishte përdorur për të realizuar bypasin aorto-koronar te një prej arterieve kryesore të ventrikulit të majtë, atëherë kjo do të thoshte vdekje e menjëhershme.

Në Maj të vitit 1969, të gjitha këto dyshime do të ndryshonin.

Në kongresin e Shoqatës Kirurgjikale Amerikane, një kirurg i ri i cili sapo kishte mbaruar specializimin, i quajtur Dr. W. Dudley Johnson nga Marquette University në Milwaukee, raportoi një seri prej 300 pacientësh të cilët i ishin nënshtruar formave të ndryshme të bypasit aorto-koronar për të trajtuar sëmundjen e arterieve koronare duke filluar që nga Shkurti i vitit 1967.

Shumica e teknikave që ai raportoi përdoren edhe sot e kësaj dite. Duke diskutuar mbi prezantimin e Dr. Johnson, një kirurg i njohur nga New York, Dr. Frank Spencer komentonte: “Dua të përgëzoj shumë Dr. Johnson. Kjo që na u paraqit mund të jetë një nga revolucionet e kardiokirurgjisë së sotme”.

“Në rast se të dhënat e Dr. Johnson qëndrojnë të vlefshme dhe bypaset mbeten të hapura për një periudhë të gjatë kohore, atëherë duhet të ketë një ndryshim total të mënyrës sonë të të menduarit dhe kirurgjia direkte e koronareve do të jetë e ardhmja e trajtimit të sëmundjes së arterieve koronare”.

Dr. Dudley Johnson, i cili ishte kirurgu i parë që popullarizoi bypasin aorto-koronar modern, që kur ishte 14 vjeç donte të bëhej mjek, por vendosi të bëhej kirurg vetëm kur filloi studimet në fakultetin e mjekësisë.

Në një intervistë në vitin 1999, Dr. Johnson thotë: “Në atë kohë nuk kisha asnjë iluzion për t’u bërë kardiokirurg. Mendoja që po të kisha eksperiencë kirurgjikale atëherë mund të gjeja një punë të mirë, kështu që fillova të specializohesha edhe për kirurgjinë e kraharorit krahas kirurgjisë së përgjithshme.

Më vonë, një kirurg në Milwaukee, i quajtur Dr. Derward Lepley Jr, përgjegjës për kardiokirurgjinë , më kërkoi të bashkohesha me të dhe kështu unë vendosa të bëhesha kardiokirurg”.

Ky ishte një vendim fatlum për fushën e kardiokirurgjisë. Në atë kohë, shumë ekipe kirurgjikale kishin filluar të eksperimentonin trajtime të ndryshme kirurgjikale për sëmundjen aterosklerotike të arterieve koronare.

Endarterektomia ose heqja e pllakës aterosklerotike nga arteria koronare ishte një trajtim i pranueshëm. Bypaset aroto-koronare të cilët kishin filluar të eksperimentoheshin te kafshët, ishin akoma të dyshimtë nga pjesa më e madhe e kirurgëve.

Ndërkohë ishin bërë tentativa të ndryshme te njerëzit duke futur këtu edhe Dr. David Sabiston i cili në vitin 1962 kishte realizuar bypasin e parë te njeriu. Fatkeqësisht ky pacient vdiq disa ditë pas interventit.

Ndërkohë, një ekip mjekësh në Houston të drejtuar nga Dr.Michael DeBakey kishin filluar projektin e tyre mbi bypasin aorto-koronar.

De Bakey do të thoshte më vonë: “Në atë kohë bëhej një punë e madhe te kafshët eksperimentale përsa i përket trajtimeve të sëmundjes së arterieve koronare duke përfshirë edhe bypasin aorto-koronar. Në vitin 1961, ne shkruajtëm një artikull mbi punën dhe rezultatet te kafshët eksperimentale.

Ne arritëm në konkluzionin se afërsisht 50% e bypaseve qëndronin të hapur 6 muaj pas operacionit. Ne mendonim që këto rezultate ishin tepër inkurajuese dhe puna eksperimentale duhet të vazhdonte”.

Ekipi i Dr. DeBakey vazhdoi kërkimet e tij te kafshët deri në momentin historik që i përket vitit 1964.

Dr.DeBakey para disa vjetësh tregon këtë histori:

Ky pacient kishte një bllokim total të arteries koronare të djathtë dhe e vetmja gjë që e mbante në jetë ishte arteria koronare e majtë e përparme si dhe një degë diagonale e saj, por ndërkohë ai kishte një obstruksion të rëndësishëm të kësaj arterie dhe pikërisht të arteies koronare të majtë.

Ky ishte një lezion tepër i komplikuar. Ne tentuam endarterektominë, por pa rezultat, pasi pllaka ishte shumë e vështirë të ndahej nga arteria koronare. Ne e dinim që në një rast të tillë pacienti do të vdiste në sallë të operacionit, në rast se nuk do të garantonim një burim të furnizimit të gjakut për arterien koronare të majtë.

Kështu që vendosëm të bënim atë që kishim kryer te kafshët eksperimentale. Morëm një pjesë të venës safena nga këmba e tij dhe realizuam bypasin i cili funksionoi shumë mirë”.

Ka shumë mundësi që ky të ketë qenë rasti i parë i bypasit aorto-koronar i suksesshëm te njeriu duke aplikuar makinën zemër-mushkëri. Megjithatë, Dr. H. Edward Garrett, Edward W. Dennis, dhe Dr.DeBakey, nuk e raportuan këtë rast në literaturën mjeksore deri 8 vjet pas këtij operacioni.

Dr. DeBakey thotë: “Në një analizë finale, mbase ne nuk meritonim një lavdi të madhe për të realizuar intervention e parë të bypasit aorto-koronar te njeriu. Ishte një aksident!

Unë mendoj se gjëja më e rëndësishme për të theksuar është se ne kishim kohë që eksperimentonim te kafshët dhe pa këtë punë ne nuk do të kishim qenë të aftë të realizonim këtë intervent te njeriu. Mendoj se ky është një shembull i shkëlqyer për të treguar rëndësinë e punës te kafshët”.

Ndërkohë që bypasi i parë aorto-koronare mbeti i panjohur për shumë kohë, nga mesi i viteve 60-të, kirurgë të tjerë nga qendra të ndryshme të kardiokirurgjisë vazhduan punën e tyre.

Dr. Johnson kujton, kur vizitoi Cleveland Clinic, se si zgjeroheshin arteriet koronare të ngushtuara duke përdorur një arnë pertikardi ose të venës safena. Pasi e pa këtë teknikë u kthye në spitalin e tij ku kreu menjëherë dy ndërhyrje me të njëjtën teknikë.

Kirurgët debatonin me njëri-tjetrin nëse mund të vendosej më shumë se një venë dhe sa bypase aorto-koronare ishin praktikisht të mundshëm.

Rezultatet afatgjata të bypasit aorto-koronar janë vlerësuar në një seri qëndrash kardiake. Në shumë grupe pacientësh jetëgjatësia kthehet afër normales dhe kjo tregohet në mëse 9000 studime të publikuara në literaturën mjeksore.

Ky intervent ndryshon cilësinë e jetës dhe gjatësinë e saj në mënyrë thelbësore, më shumë se degë të tjera të mjekësisë kanë bërë për sëmundje të tjera kronike.

Megjithatë, interventi i bypasit aorto-koronar nuk shëron sëmundjen e pacientit dhe parandalimi i saj mbetet të jetë edhe përgjigja e fundit e mjekësisë.