Inflacioni pësoi sërish një rënie të lehtë në muajin gusht. Sipas Institutit të Statistikave, ndryshimi vjetor i çmimeve të konsumit rezultoi 2.2%, nga 2.3% që kishte qenë për muajin korrik.
Grupi me peshën kryesore në inflacion, ai i ushqimeve, ra për të dytin muaj radhazi, duke rezultuar përcaktues në tendencën e inflacionit mesatar në ekonomi. Brenda ushqimeve, në rënie rezultuan çmimet e frutave, sheqerit dhe produkteve të pastiçerisë, ndërsa perimet vazhdojnë të jenë ndjeshëm më të shtrenjta krahasuar me një vit më parë. Rënie u regjistrua në inflacionin e grupit të transportit, e lidhur kjo kryesisht me një stabilizimin të çmimeve të karburanteve.
Megjithë rënien e lehtë në dy muajt e fundit, inflacioni qëndroi për të shtatin muaj radhazi sipër intervalit të poshtëm të objektivit të Bankës Qendrore. Në muajt e fundit, inflacioni po jep sinjale stabiliteti, megjithëse rikthimi në objektiv po rezulton më i ngadaltë se parashikimet, ashtu si pothuajse në të gjithë Europën. Prej afro tre muajsh, ndërhyrja e Bankës së Shqipërisë në tregun valutor pothuajse e ka fiksuar kursin e këmbimit euro-lek, duke ndikuar tërthorazi edhe një qëndrueshmëri më të lartë të inflacionit. Banka e Shqipërisë pret që objektivi prej 3% të arrihet brenda vitit 2020.