Pyetja që shumë prindër i bëjnë vetes është: “Kur dhe si duhet të kujdesemi për shëndetin oral të fëmijëve tanë?
Vizita e parë te mjeku stomatolog të bëhet që në moshën 1 vjeç. Shumë prindër e neglizhojnë këtë të fundit!
Nuk duhet që të presim të prishet dhëmbi dhe të shkojmë te dentisti, por të përpiqemi që të bëjmë një takim të parë të fëmijës, një vizitë funksionale dhe edukative.
Ka të bëjë gjithmonë me një përvojë pozitive për të ndërtuar një marrëdhënie rehatie dhe besimi, si dhe për të mësuar prindërit se cilat shprehi ose sjellje të ushtrohen në shtëpi.
Kur fëmija juaj është i gatshëm, bëjmë vlerësim klinik të dhëmbëve, praktikojmë higjienën orale në kabinetin dentar, diskutojmë për kujdesin shtëpiak dhe caktojmë një plan trajtimi të kujdesshëm.
Gjithmonë duhet t’i referohemi pediatrit ose dentistit sipas nevojës. Zakonisht nuk është eksperiencë aq e mirë kur fëmija shkon te dentisti për herë të parë dhe në takimin e parë ai mbush një dhëmb të prishur. Kjo e bën të kuptueshme që fëmija nuk mbetet aq i entuziazmuar dhe të rikthehet prapë te dentisti.
Kjo gjë mund të shmanget me vizitat e rregullta çdo 6 muaj, të planifikuara, që fillojnë herët në moshën 1-vjeçare, të cilat duhet që të jenë argëtuese dhe të ndihmojnë fëmijën tuaj që të jetë i kënaqur me dentistin.
Kujdesuni për dhëmbët e përkohshëm po aq sa edhe për dhëmbët e përhershëm!
Shumë prindër mendojnë se dhëmbët e qumështit nuk kanë shumë rëndësi pasi ato do të bien e do zëvendësohen nga dhëmbët permanent. Dhëmbët e qumështit janë shumë të rëndësishëm në gojën e fëmijës.
Ato jo vetëm që mbajnë hapësirën për dhëmbët e përhershëm, por janë thelbësorë për të kafshuar, përtypur, folur dhe për pamjen e fëmijës tuaj. Ato drejtojnë dhëmbët permanent që të dalin në vendin e duhur.
Në qoftë se një fëmijë humbet para kohe dhëmbët e qumështit atëherë mund të kemi shumë probleme si për shembull:
– Keqrreshtim të dhëmbëve të përhershëm;
– Probleme me kafshimin;
– Dhëmbi i përhershëm mund të dalë jashtë harkut të dhëmbëve.
Dhëmbi i përhershëm mund të jetë inkluz (rri brenda në nofull), për shkak të mungesës së hapësirës dhe pa ndërhyrje kirurgjikale ai nuk mund të dalë.
Në rast se fëmija ka humbur para kohe një dhëmb qumështi atëherë ndërhyet sa më shpejt për t’i vendosur një ruajtës hapësire, që të ruajë vendin për dhembin e përhershëm që ai të dalë në vendin e duhur.
Në rast se fëmija humbet një dhëmb qumështi nga një traumë dhe atij i bie, bëni kujdes, mos e vendosni dhëmbin në vend dhe ta shtyni atë sepse mund të dëmtoni folikulin e dhëmbit permanent.
Ajo që mund të bëni është të merrni dhëmbin e qumështit duke e kapur nga kurora (pjesa e bardhë), jo nga rrënja dhe vendoseni në një gotë me qumësht të vakët dhe shkoni sa më shpejt te dentisti që ai të vlerësojë nëqoftëse mund të shpëtohet dhëmbi i qumështit apo jo.
Rëndësia e kësaj është gjithashtu ruajtja e vendit për dhëmbin e përhershëm. Kujdesuni gjithashtu për higjienën e dhëmbëve të qumështit. Ato duhet të lahen të paktën dy herë në ditë. Zgjidhni një furçë me qime të buta për dhëmbët e fëmijës tuaj.
Është e rëndësishme t’u mësohet fëmijëve se si të lajnë dhëmbët në mënyrë të pavarur. Fëmija rreth moshës 3-4-vjeçare mund t’i lajë dhëmbët vetë, por gjithmonë në kujdesin tuaj. Shpjegimi se si të lahen dhëmbët nuk duhet të jetë i komplikuar.
KUJDES i veçantë i jepet edhe veseve që kanë fëmijët si për shembull mbajtja e biberonit ose thithja e gishtit të cilat shkaktojnë probleme jo vetëm në dhëmb, por edhe në nofull.
Në këtë rast këshillohet që fëmija të ndërpresë vesin para moshës 2-vjeçare sepse deri në këtë moshë zhvillimi i kockave në gojë është ende duke u formuar dhe mund të korrigjohet brenda një periudhe prej disa muajsh. Pas moshës 2-vjeçare kjo bëhet më e vështirë.
Thithja e biberonit ose e gishtit mund të ndryshojë formën e gojës dhe kjo gjë krijon për fëmijën vështirësi në ushqyerje dhe frymëmarrje.
Në rast se mjeku juaj zbulon një anomali të nofullës së fëmijës tuaj për shkak të veseve ose të faktorëve gjenetike, atëherë është e mira të ndërhyet që herët rreth moshës 6-7 vjeç sepse kurimi në këtë moshë është më efektiv.
Kini parasysh që për anomalitë skeletike të nofullave është shumë e rëndësishme të ndërhyet në moshë të vogël dhe mos prisni sa t’i dalin të gjithë dhëmbët e përhershëm për t’i vendosur fëmijës suaj një aparat ortodontik sepse mbas kësaj moshe, diku 12-13 vjeç për femrat dhe 13-15 vjeç për meshkujt mbaron piku i rritjes dhe problemet skeletike nuk rregullohen më, kështu që fëmija juaj do ketë probleme të përjetshme.
Të qartësojmë që trajtimet skeletike të nofullave duhen bërë në moshë të vogël kurse ato të dhëmbëve bëhen dhe në moshë të rritur.