MENU
klinika

"Dritë e gushtit”

Roman i dramave njerëzore dhe qëndresës

14.09.2018 - 10:14

Nga Granit Zela/

Kur Uiljam Folkneri (1897-1962) nisi të shkruajë romanin “Dritë e gushtit” në vitin 1931, romanin e tij të shtatë dhe një prej romaneve më të rëndësishëm të shekullit të njëzetë, ai ishte tanimë shkrimtar i shquar. Folkneri ishte një shkrimtar që kishte gjetur zërin e vet ngaqë zotëronte mjeshtërinë e të shkruarit aq sa për të zënë një vend të lavdërueshëm në letrat amerikane. “Dritë e gushtit” (1932) mishëron jo vetëm mjeshtërinë e shkrimtarit të sprovuar, por edhe zotësinë e romancierit që kërkon shtigje të reja në artin e romanit.


“Dritë e gushtit” është roman i qëndresës shpresëplotë ndaj vdekjes dhe rrëfen tri histori: historinë e gruas së re dhe të pafajshme Lina Grouv në kërkim të babait të fëmijës së saj të palindur; historinë e Gejl Hajtauerit, i cili jeton në të shkuarën me historitë e dikurshme të kalorësve të Konfederatës dhe historinë e Xho Krishtlindit, me njërin prind të bardhë dhe tjetrin zezak, kësisoj me prejardhje të përzier racore. Folkneri e nisi shkrimin e romanit duke mos pasur ide tjetër përveçse personazhit të një gruaje të re, Lina Grouvit, shtatzënë, duke u çapitur e vetme në rrugët e një qyteze të huaj, e mbetur pa asgjë dhe e vendosur për të gjetur të dashurin e saj. Ajo mund të jetë forma e shkurtër e emrit “Helena” ose “Magdalena” dhe kështu, kombinon bukurinë me ngasjen seksuale të Helenës së Trojës me ngjyresën kuptimore të Magdalenës, prostitutës së shëlbyer. Personazhi i Linës të kujton tipare të Virgjëreshës Mari dhe fëmija të cilën ajo lind, mund të shihet si një fëmijë-Krisht.

Lina Grouv ndoshta është e vetmja femër e Folknerit që nuk e frikëson ose trondit autorin e vet. Është përgënjeshtrimi i Folknerit, një autokritikë e gjithë atyre figurave të femrave, të cilat me plot gojën, vënë në siklet kritikët feministë. Ajo dhe Bajron Bançi, i cili dashurohet pas saj dhe në fund martohet me të, janë të vetmet personazhe, të cilët nuk kanë nevojë të presin fatin për t’u ngritur. Ata dalin nga përmasa etike, vetëdija se e mira mund të ngadhënjejë, por vetëm për pak të përzgjedhur. Mëmësia e Linës nuk vihet në dyshim, por mënyra e njohjes, e mban vetëdijen e saj brenda kufijve të fëmijërisë. Folkneri, ndryshe nga shumë kritikë të tij, nuk jep asnjë gjykim të fundmë për këtë nënë shumë të re, por zgjedh të na rrëfejë domethënien e aftësisë mbrojtëse që ajo ka fituar kundrejt vuajtjes. Nëse Lina pajton natyrën me shoqërinë, kjo ndodh ngaqë ajo sheh në të dyja vetëm çfarë pasqyron ajo vetë. Lina, e cila të ndërmend figurën e korrëses së Kitsit në “Odé vjeshtës”, është Eva e Folknerit, Mëma. E qetë, e hirshme, e sjellshme, e thjeshtë, gjithë shpresë, ajo krijon një kontrast të mahnitshëm me ankthet e Xhoana Bërdënit dhe Xho Krishtlindit.

Uiljam Folkneri e kthen historinë e jetës së Xho Krishtlindit në akuzë të fuqishme ndaj racizmit: ndërkohë që jeta e Xhosë përbën në të njëjtën kohë një shembull klasik të dyzimit individual, gjë që e bën atë përgjatë shtjellimit të historisë romanore, simbol të tërësishëm të njeriut të shekullit të njëzetë. Kjo qe tragjedia e tij. Ai s’e dinte se çfarë ishte dhe kësisoj nuk ishte asgjë. E dëbonte qëllimisht veten prej racës njerëzore ngaqë nuk e dinte se kush ishte, çfarë për mua është gjendja më tragjike në të cilën mund ta gjejë veten njeriu, të mos dish se çfarë je dhe të jesh i vetëdijshëm që nuk do ta dish kurrë, do të shprehej Folkneri për të. Xho Krishtlindi, është imazhi i Jezu Krishtit apo një parodi e tij. Krishlindi u bë kurban shumë më parë se dikush ta bënte të tillë, ai as që e ka idenë e asaj që donte apo ndoshta besonte se donte. Është mishërim i asaj që Frojdi e ka quajtur “pulsim i vdekjes”, njësoj si Xhoana Bërdën, ndërkohë që Pirsi Grim është vetë vdekja. Dok Hainsi, gjyshi i Krishtlindit, e shpjegon origjinën e emrit “Krishtlind” në kreun e gjashtëmbëdhjetë. Emri Xho dhe mbiemri “Krishtlindi” bëhen tregues të dallueshëm të rolit simbolik të Xho Krishtlindit.

Në universitetin e Virxhinias, Folkneri tha që ai nuk synonte ndonjë simbolizëm të krishterë në roman, por “Historia e Krishtit është një nga historitë më të mira që ka krijuar njeriu, duke nënkuptuar që ai nuk e ka krijuar atë histori dhe se ajo normalisht do të rindodhë. Kushdo që ka lexuar historinë e Krishtit, si pjesë të edukimit të tij të krishterë, nuk ka dyshim që vjen një kohë që do të marrë elemente nga kjo histori. Kur shkruaj, në fillim më shfaqen personazhet, njerëzit, pastaj vjen simbolika. Kryetari i gjykatës që dënon Krishtlindin e konsideron emrin e Krishtlindit si provë që ai s’është i bardhë.

E ndërlikuar, si të gjitha marrëdhëniet erotike mes meshkujve dhe femrave në veprën e Folknerit, marrëdhënia mes Krishtlindit dhe Xhoana Bërdënit është ndoshta ajo më tragjikja, por është gjithashtu edhe prova më e qartë e asaj që nxjerr në pah gjenialitetin e pakompromis të Folknerit në krijimin e karaktereve dhe personazheve: vetëdijesimin turbullues të mizogjenisë mashkullore. Xho Krishtlindi, që e mbajnë për “të bardhë”, por që në të vërtetë është me racë të përzier, po arratiset nga vetvetja. Lehtësisht i dykuptueshëm karshi gjithkujt, Xho është negativ kundrejt femrave në mënyrën më të frikshme, pasi ato në sytë e tij janë simbol i korruptimit dhe vdekjes.

Folkneri e ndan marrëdhënien e tyre në tri faza. Faza e parë fillon me mbërritjen e Xhosë në shtëpinë e Xhoanës, në fund të verës së vitit 1929. Kjo fazë përshkohet nga “beteja” mes Xhosë dhe Xhoanës për t’u vënë në zotërim të “privatësisë së saj shpirtërore”. Në fillim, ai përdor dhunën për ta zotëruar atë, por më vonë, pas katër-pesë muajsh, e shpërfill plotësisht. Ai do t’ia bëjë të qartë se ajo ka nevojë për të seksualisht dhe pret që ajo “të japë shenjën e parë”. Faza e dytë fillon në shtator 1929 kur ajo vjen në kasollen e tij dhe “i jepet” me fjalë, duke i rrëfyer atij historinë e jetës së saj. Gjatë kësaj faze, Xhoana i jepet plotësisht, duke u bërë njësh në një marrëdhënie të egër epshi, në të cilën Xho shërben si “moçal” i mëkateve të saj. Gjatë dy vjetëve, epshi vjen duke u zvogëluar, duke hyrë kësisoj në fazën e tretë, e cila fillon në shkurt 1932, kohë kur Xhoana pyet Xhonë: A e di se po çon dëm jetën tënde? dhe përpiqet që ta ndryshojë atë si njeri.

Krishtlindi është përfaqësues i lirisë. Por ai e di që liria e tij është e kufizuar, e madje prometeane. Ai ka ndjesinë se është një shqiponjë, e fortë e fuqishme, e pamëshirshme, e pavarur. Por kjo ndjesi zhduket dhe ai kupton që lëkura e tij është edhe burgu i tij. Xhoana Bërdën, duke zotëruar trupin e Xhosë, dëshiron të vetëdënohet, jo përgjithmonë, por vetëm për pak: “O Zot, mos më detyro të lutem, – përgjërohet ajo. – Më lër vetëm të dënoj veten edhe pak më tepër”. Janë vetëm dy nga personazhet e Folknerit që zbulojnë te dashuria natyrën tragjike të dashurisë dhe fatit.

Forma e “Dritë e gushtit” është njëherazi tragjike dhe komike: përmbajtja ekzistenciale dhe mitike, efekti përfundimtar kuptimplotë dhe pohues. Xho Krishtlindi përballet me problemin e njeriut të shekullit të njëzetë, përpjekjen për të qenë njerëzor në një botë kaotike dhe armiqësore. Historia e tij ndjek modelin themelor të përvojës që kanë mitet, feja, filozofia, drama tragjike dhe jeta. Folkneri i vëzhgon madje edhe çastet tragjike të ekzistencës duke ruajtur largësinë prej tyre dhe me një fushëvështrim gjithërrokës. Është Lina dhe instinkti i saj për natyrën, Lina dhe raporti i saj me bashkësinë e banorëve, Lina si një hallkë lidhëse në ciklin e përjetshëm nga nëna te bija, e cila siguron formën përfundimtare të gjykimit tonë. Shqetësimi i përhershëm i Folknerit për durimin e njeriut dhe aftësia për të vuajtur për gjithçka që Folkneri e shprehu në fjalimin e Nobelit, ia vlen të risillet në kujtesë. Tragjedia nuk e harron asnjëherë individin, vlerat e tij, përballjen e tij tragjike me realitetin ku ai jeton dhe humbjen që përjetohet në disfatën e tij.

Libri përqendrohet në një shumësi përballjesh: Lina-Bërç, Lina-Krishtlindi dhe pastaj: Banç-Hajtauer, Krishtlind-Hajtauer, Grim-Krishtlind. Këto përballje, në pjesën më të madhe mes të panjohurish, përbëjnë boshtin e romanit. Folkneri dramatizon kështu tmerrin e izolimit nga shoqëria dhe bjerrjen e marrëdhënieve njerëzore, ndërkohë që shumë prej personazheve dalin nga errësira ku jetojnë, përplasen, shkaktojnë dhimbje dhe largohen. Një model i tillë rrëfimi krijon mundësi të mëdha për drama njerëzore me pika kulmore, ndërkohë që shfaq sfida të organizimit strukturor të romanit dhe thurjen e historisë me shumë linja rrëfimore.

Kështu, një shtëpi që digjet i tregohet Lina Grouvit kur ajo mbërrin në Xheferson, por as ajo dhe as lexuesi nuk e rrok dot domethënien e mundshme të tij. Veprimi zhvendoset te Bajron Bançi, i cili kujton ardhjen e paradokohshme të Xho Krishtlindit në Xheferson, bashkë me Lukas Bërçin/Xho Braunin. Por nuk ka tregues se si Xho Krishtlindi ka lidhje me zjarrin, Braunin apo Lina Grouvin. Kur mësojmë më shumë për Xho Krishtlindin (dhe për lidhjen e tij të mundshme me zjarrin), si dhe për identitetin e vërtetë të Xho Braunit, që është në fakt Lukas Bërçi (dhe lidhjen e tij me Linën), kjo ndodh në mënyrë të tërthortë me anë të një bisede me një personazh që përbën qendrën tjetër të linjës rrëfimore, me Reverendin Gejl Hajtauer. Historia e tij vetjake, nga ana tjetër, zbulohet vetëm pjesërisht dhe lidhjet e tij të mundshme me fijet e tjera rrëfimore mbeten të paqarta për pak kohë.

I izoluar në një shtëpi të vogël anash një rruge të Xhefersonit, Hajtaueri i përhumbur në leximet e Tenisonit dhe kujtimet e vdekjes së lavdishme të gjyshit të vet, banon në një “kullë të veçuar” nga bota. Hajtaueri bën njësh fenë, historinë e gjyshit të tij e imazhin që ka për veten, dhe ngjan sikur “fara” e kujtimit të gjyshit të vrarë nga një sulm është asgjësuar në atë moment, asgjëja e tij nuk është rritur brenda Hajtauerit dhe ai ka mbetur peng i atij çasti, i cili është kthyer në fakt në një të vdekur për botën ku jeton. Pas kësaj kalojmë te Xho Krishtlindi, i cili jepet në mbrëmjen para vrasjes së Xhoana Bërdënit. Ky episod është shumë dramatik, por me tregues tepër të vagullt për atë se çfarë do të ndodhë me personazhin. Pastaj kemi një kalim tjetër të beftë, në të cilin jepet e kaluara e Xho Krishtlindit. Kjo histori jepet shumë e detajuar me një vijimësi kronologjike dhe përfshin shtatë krerë të veprës, duke të lënë gati përshtypjen se po fillon një roman i ri.

Kur romani rifillon rrëfimin në të tashmen, teknika rrëfimore e shfaqjes së vonuar të ngjarjes vijon, në mënyrë që të kuptuarit e asaj që ka ndodhur me personazhet të mbahet pezull për shumë kohë. Hajtaueri hyn në skenë në kreun e tretë, por shpjegimi i plotë se përse ai nuk u largua nga Xhefersoni nuk jepet deri në kreun e parafundit të romanit. Ne mësojmë deri diku vonë në roman për rrethanat e lindjes së Xhosë dhe marrëdhënien me gjyshin e tij. Veprimi në të tashmen (me përjashtim të kreut të fundit) ndodh gjatë 11 ditëve, duke nisur me të premten, kur takojmë Linën në rrugë, deri te një e hënë, kur kapet dhe vritet Xho Krishtlindi. Por gjatë romanit, këto 11 ditë përshkruhen me fije të panumërta linjash rrëfimi, që përshkojnë jetët e personazheve dhe madje edhe jetët e prindërve dhe paraardhësve të tyre. Kjo endje e vazhdueshme e së shkuarës tek e tashmja priret që gjithçka në roman të ngjajë në mënyrë dramatike si e tashme, më shumë sesa një kronikë e zgjeruar e historisë vetjake dhe shoqërore e disa brezave.

Rrëfimtari i romanit funksionon si spektator që nuk përfshihet, rrëfimtar dhe mbikëqyrës i veprimeve, autoritet qendror që shërben si filli ndërlidhës mes linjave të ndryshme të zhvillimeve të subjektit dhe personazheve. Në disa raste rrëfimtari duket se është i gjithëdijshëm. Më shumë se dhjetë herë ai duket se ka njohuri që kufizohen te ndodhitë në të cilat përshihen personazhet dhe rrëfimtari hamendëson se çfarë ato mund të kenë ndier apo menduar. Rrëfimtari rrëfen me anë të tri këndshikimeve të ndryshme: një këndshikim i jashtëm, i cili përcjell fjalët dhe veprimet e personazheve; një këndshikim i brendshëm, i cili shpjegon se çfarë janë duke menduar në mënyrë të vetëdijshme personazhet; dhe një këndshikim i brendshëm, që përcjell atë që personazhet janë duke ndier apo duke menduar, nganjëherë e paraqitur me fjalë dhe shprehje që personazhet vetë nuk do t’i përdornin. Mendimet e tyre të ndërgjegjshme mbyllen me thonjëza dhe shenja pikësimi sipas rregullave të pikësimit.

Rrëfimi i gjendjeve të pandërgjegjshme të personazheve nga rrëfimtari jepet me shkronja të pjerrëta, dhe në këto raste nuk përdoren pikat, presjet si një koncept folknerian që ndërgjegjja njerëzore është e panyjëtueshme dhe e çrregullt. Koha e foljes në roman tregon kohën në të cilën ndodhin ngjarjet, në kohën e tashme, gusht 1932. Foljet në kohën e tashme, për shembull, në kreun e parë tregojnë gjendjen mendore. Lina nuk shqetësohet nga e kaluara dhe e ardhmja. Ajo mishëron konceptin folknerian (dhe bergsonian) të rrjedhës së kohës. Folkneri ka shpjeguar në një rast se “koha është një gjendje rrjedhëse, e cila nuk ekziston vetëm në çastin e përkohshëm të individëve. Nuk ekziston diçka ishte, por vetëm është”.

Në kreun e fundit të romanit, Folkneri lë botën tragjike të Xho Krishtlindit dhe Gejl Hajtauerit dhe rikthehet te bota e Lina Grouvit, me të cilën fillon romani. Por, ndërsa fillimi i romanit paraqitet nëpërmjet këndvështrimit të një rrëfimtari “të fshehur”, i cili regjistron veprimet dhe dialogët në mënyrë pak a shumë objektive, kreu i fundit rrëfehet në vetën e parë, nga një tregtar i panjohur mobiliesh, i cili shfaqet për herë të parë dhe të fundit, për të rrëfyer në mënyrë të tërthortë vazhdimin e pelegrinazhit të Lina Grouvit, në shoqërinë e Bajron Bançit. Kreu i fundit, në këtë mënyrë, bën kalimin nga toni i lartë i dhunës tragjike në ciklin “normal” të jetës njerëzore, te dashuria romantike, martesa, rritja e fëmijëve. Folkneri e bën këtë duke imituar traditën e lashtë greke, sipas së cilës pas një tragjedie shfaqej një dramë satirike, të cilat ishin shpesh “dionisiake”, në kontrast të thellë me stilin e lartë dhe seriozitetin e tragjedive paraprirëse.

Stili i Folknerit ndryshon nga gjuha e ligjërimit bisedor: ngjyresat e humorit dhe ligjërimi i stërholluar, i përbërë nga struktura të ndërlikuara fjalish tejet të detajuara, fragmente të dendura në rrafsh emocional, plot me përshkrime dhe imazhe. Strukturat e fjalive nganjëherë janë tejet të ndërlikuara. Ky lloj stili mund të marrë ngjyrime lirike me anë të ritmeve dhe aliteracioneve dhe nganjëherë, prej përdorimit të fjalëve përshkruese, që bëhen njësh. Ky stil i një retorike të nivelit të lartë, krijon efekt të shumëfishtë: krijon dhe ruan atmosferën e fatkeqësisë dhe vuajtjes njerëzore, e ngre historinë e rrëfyer mbi nivelin e dhunës së bujshme. Në këtë roman ai rrëfen një histori të veçantë, që përfshin individë të veçantë, me domethënie që shkon përtej tyre si individë, gati kozmike. Këtu, si kudo tjetër në veprat e Folknerit, Xhefersoni është një qytezë në Misisipi, prej ku buron kjo dritë që vjen nga dhuna dhe humbja, por në të njëjtën kohë, është një vend që gjendet kudo ku jetojnë, shpresojnë dhe vuajnë qenie njerëzore.

Arratisja më e madhe në veriun e vendit

Si e kaluan kufirin 26 veta të familjes Skepi më 1958!

Çfarë i ndodhi doktor Guarametos, i qëlluar nga hetuesi i tij

Misteret e një darke në faqet e një romani magjik të Ismail Kadaresë!

Bashkëshortja e ish-futbollistit rrëfen lidhjen e tyre pasionante

Piloti që u bë portier, historia e Mikel Jankut!

Xhufi: Enver Hoxha nuk donte t’ia linte partinë…

43 vjet nga vdekja, letra e fundit e Mehmet Shehut!

Pesë ditë pas shkarkimit të Abigeila Voshtinës

Aulon Naçi emërohet drejtor i ri i TKOB