Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka zhvilluar një vizitë në Maqedoni ku u takua me të gjithë përfaqësuesit e spektrit politik shqiptar atje. Tema kryesore e takimit, ishte zhvillimi i referendumit për çështjen e emrit në 30 Shtator. Kryeopozitari Basha, u prit në takim nga kryetari i BDI-së Ali Ahmeti, kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare Menduh Thaçi, kryetari i Lëvizjes Besa, Bilal Kasami, kryetari i Partisë Aleanca e Shqiptarëve, Ziadin Sela, si dhe nga kryetari i Komunës së Strugës, Ramiz Merko.
Gjatë takimeve me krerët e politikës shqiptare në Maqedoni, Basha vlerësoi si shumë të rëndësishme mbështetjen e shqiptarëve dhe të gjithë qytetarëve të Maqedonisë për të votuar në referendumin e 30 shtatorit, gjë që do t’i hapë rrugën anëtarësimit të Maqedonisë në NATO por edhe të garantimit të paqes, sigurisë dhe stabilitetit në Ballkan.
Gjatë takimit me kryetarin e BDI-së, Ali Ahmetin, Basha i bëri thirrje të gjithë shqiptarëve të Maqedonisë që të votojnë pro referendumit.
“Kisha kënaqësinë të bëj një takim me zotin Lulzim Basha, ku në këto ditë të rëndësishme kryetari i PD-së së Shqipërisë na inkurajoi për një proces shumë të rëndësishëm. E informova mbi organizimin tonë, mbi rrjedhën e zhvillimeve në vend. Më 30 shtator nuk votohet thjeshtë për një marrëveshje të arritur mes dy vendeve ku zgjidhet një problem gjysëm shekullor. Në 30 shtator votohet për më shumë paqe, stabilitet dhe siguri dhe kjo arrihet duke qenë anëtar në NATO dhe në BE. Kjo do të thotë se 30 shtatori është ditë historike për ne. Ditë e papërsëritshme dhe asnjë nuk duhet të hezitojë por të dalë e të votojë për të ardhmen e vendit“, u shpreh kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
Ndërkohë, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, vlerësoi përpjekjet e liderëve të partive shqiptare në Maqedoni, të cilët kanë nisur një fushatë informuese rreth çështjes së referendumit që do të bëhet më 30 shtator si dhe arsyet se pse duhet votuar pro.
“Kam ardhur të ndaj me kënaqësi qendrimin e përbashkët të të gjithë forcave politike të shqiptarëve në Maqedoni. Liderit të Bashkimit Demokratik për Integrim, zoti Ali Ahmeti, e tha qartë dhe shkoqur. Mesazhi i tij, i cili rezonon sot anembanë Maqedonisë pranë qytetarëve shqiptarë dhe të gjithë qytetarëve të Republikës së Maqedonisë, është mesazhi i stabilitetit, i paqes, i sigurisë dhe i të ardhmes së sigurtë të Republikës së Maqedonisë dhe qytetarëve të saj si anëtare e aleancës së NATO-s dhe si prolog i anëtarësimit të Maqedonisë në Bashkimin Europian”.
“Unë jam këtu që në emër të Partisë Demokratike të mbështes dhe të përgëzoj nga zemra përpjekjet e palodhura të lidershipit shqiptar, të z Ali Ahmeti, të kolegëve të tij, krah për krah edhe forcave të tjera politike të Maqedonisë që me 30 shtator të shënohet një kapitull i rëndësishëm për Maqedoninë por edhe për mbarë rajonin duke hedhur hapin vendimtar drejt anëtarësimit të Maqedonisë në NATO“, përfundoi kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.