Prodhimi i lartë i energjisë elektrike duket se do t’i japë një shtysë rritjes ekonomike edhe në tremujorin e dytë të vitit. Sipas Instat, shitjet në sektorin energjetik u rritën me më shumë se 38% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Kushtet e favorshme hidrike kanë krijuar mundësi për prodhim të lartë të energjisë elektrike, çka është ndjerë jo vetëm në performancën e sektorit, por edhe në ecurinë e përgjithshme të ekonomisë shqiptare. Edhe dy degët e tjera të industrisë, ajo nxjerrëse dhe përpunuese raportuan rezultate të mira.
Në veçanti, degë me peshën kryesore brenda sektorit, industria përpunuese i rriti shitjet me 15.5%. Ndërkohë, zhvillime negative erdhën vetëm nga sektori i ndërtimit, ku shitjet ranë me afro 5%. Megjithatë, në rastin e ndërtimit duhet pasur parasysh edhe efekti i bazës së lartë krahasuese. Viti i kaluar ishte një vit elektoral, i shoqëruar me një fluks të rritur investimesh në infrastrukturë për tremujorin e dytë. Përgjithësisht, raporti mes viteve të zakonshme dhe atyre elektorale sjell çbalancime të tilla në rezultatet e ndërtimit.
Tendenca e shitjeve ishte pozitive edhe në sektorin e shërbimeve, kryesisht në degët e lidhura me turizmin, si agjencitë e turizmit, hoteleria dhe transporti, ku shitjet u rritën me ritme dyshifrore krahasuar me një vit më parë. Këta sektorë po përfitojnë kryesisht nga tendenca pozitive e turizmit, që edhe këtë vit është në rritje, siç dëshmohet nga të dhënat për hyrjen e vizitorëve dhe shpenzimet për udhëtime në bilancin e pagesave.
Ndërkohë, tregtia, dega me peshën kryesore në shërbime, shënoi një rritje më të përmbajtur, me 1.9% më shumë krahasuar me një vit më parë. Shitjet e biznesit janë një tregues orientues për ecurinë e prodhimit të brendshëm bruto. Një rritje e lartë e shitjeve me gjasa reflektohet në një ritme të larta të rritjes ekonomike.