MENU
klinika

‘’Zoti vdiq’’

Friedrich Nietzsche (Fridrih Niçe) 1844 –1900, nihilizmi shpëtues

12.09.2018 - 11:24

Friedrih Niçe, djalë i një prifti protestant, u lind më 15 tetor 1844 në fshatin sakson të Ronekit, pranë Lucernit. Pas vdekjes së të atit ai shkoi të jetonte së bashku me nënën dhe me motrën në Naumburg. Në moshën dymbëdhjetëvjecare kishte krijuar kompozime muzikore dhe poema.

Duke filluar nga viti 1858, shkoi në të famshmen ‘’Shkollë të Princave’’, kolegji i Shulpfortit, më 1864, filloi në Bon Studimet për teologji dhe filologji klasike. Një vit më vonë, Niçja u ndodh në Laipzig, ku u zhyt në veprat e Artur Shopenhaurit. Më 1868 u njoh me Rikard Vagnerin, me të cilin do të lidhte, më vonë, një miqësi të ngushtë, që do të mbetej shumë e rëndësishme për të, madje edhe pas prishjes së tyre.

 Në moshën njëzetekatërvjeçare, pasi ishte shquar për shumë punime të filologjisë, Niçja fitoi vendin e profesorit në këtë disiplinë në Universitetin e Balës. Takimi me historianin e shquar të artit dhe të qytetërimit, Jakob Burkhard, qe gjithashtu thelbësor.

Më 1870, gjatë luftës franko-gjermane, Niçja shkoi vullnetar si infermier, por u kthye shumë shpejt në Balë për shkak të sëmundjes. Pas sprovës së tij filozofike Die Geburt der Tragedie aus dem Deiste der Musik (Lindja e tragjedisë e krijuar nga shpirti i muzikës 1872), që pothuaj u flak tej njëzëshëm nga specialistët, Niçja iu përkushtua filozofisë.

Një vit pas daljes së Menchliches, Allzumenschliches (Njerëzor, tepër njerëzor, 1878), iu desh të hiqte plotësisht dorë nga posti universitar i Balës për arsye të dhimbjeve të padurueshme te sytë dhe në kokë. Dhjetë vitet e tjera u karakterizuan nga faza alternative të sëmundjes, vetmisë, udhëtimeve dhe punës mbi dorëshkrimet e tij. Ai qëndroi në Romë, Venecia, Xhenove, Sils Maria, Rapolo dhe Menton.

U botuan njëri pas tjetrit Morgenrote (Agimi, 1882), Also sprach Zarathustra( Kështu fliste Zarathustra 1883-1885), Jenseits von Gut und Bose (Përtej së mirës dhe së keqes, 1886), Zur Geneologie der Moral (Gjenealogjia e moralit, 1887), Der fal Wagner (Rasti Wagner, 1886) dhe Gotzendammerung (Muzgu i idhujve 1889). Më 1888, Niçja përpiloi gjithashtu tekste që u botuan më vonë: Antikrishti, Niçja kundër Vagnerit dhe Ecce Homo. Kriza e parë e çmendurisë e goditi në Torino, në fillim të janarit 1889. Ai nuk e mori më veten dhe jetoi i mbyllur në Naumburg, nën kujdesin e së ëmës, pastaj të së motrës në Vaimar, deri kur vdiq më 25 gusht 1900.

Fridrih Niçe nxori mësime rrënjësore nga kriza e metafizikës, që u shfaq në Perëndim që në fund të sistemeve të mëdha idealiste, në fillim të shekullit XIX. Formula sipas së cilës ‘’Zoti vdiq’’, tregon gjithashtu fundin e çdo ontologjie dhe të çdo etike tradicionale. Nihilizmit, që ishte rrjedhojë e fundit të doktrinës së të Mirës dhe Qenies, Niçja i kundërvuri pohimin e jetës. Lojën e lirë të pulsimeve dhe përbuzjen për të gjitha marrëveshjet.

Niçja e nacional-socializmi

Pas vdekjes së Fridrih Niçes, motra e tij Elisabet, martuar me Bernard Foresterin, një profesor nacionalist, antisemit dhe fanatik i muzikës vagneriane, përmblodhi dhe botoi shkrimet e lëna nga i vëllai në një vepër të titulluar Der Ëille zur Macht(Vullneti i pushtetit), duke pohuar se bëhej fjalë për veprën e fundit të filozofit. Ky ‘’libër’’-kompozimi të cilit duket shpesh arbritar dhe në të cilin Elisabet Forster-Niçe ka bërë ndërhyrje që e çnatyrojnë-u bë (për dreq) vepra më ndikuese e tij.

Ai qe bibla e nacionalistëve dhe racistëve gjermanë, megjithëse nazistët e bënë Niçen profetin e tyre të ‘’konceptimit të botës’’. Është e sigurt që filozofi ishte ndikuar nga ideologjia darviniane e kohës së tij, që pohonte se vetëm më të fortët imponohen në luftën për mbijetesë, si dhe me idenë e superioritetit të racës europiane, tipike e erës së kolonializmit.

Megjithatë, ai qe gjithashtu një kritik largpamës i antisemitizmit mendjengushtë dhe një armik i vendosur i çdo nacionalizmi, nga fakti se ai është shprehje e një ‘’morali që nxit grumbulimin e qenieve të gjalla’’, i vendosur pikërisht në antipodet e mendimit të tij.

Shtjellimi i koncepteve të Niçes

Më 1869, që në moshën njëzetekatërvjeçare, Fridrich Niçja (Friedrich Nietzche) u emërua professor i filologjisë klasike në universitetin e Balës. Më 1872 dolën veprat e para filozofike të tij, që tërhoqën vëmendjen, Die Geburt der Tragodie, oder Griechenturn Pessimismus(lindja e tragjedisë ose helenizmi dhe pesimizmi) nëntitulli vinte menjëherë në dukje prirjen e tij filozofike: ‘’pesimizmi’’, në themel të mendimit të Artur Shopenhaurit.

Për shumë borgjezë të kulturuar të epokës, ky pesimizëm formonte kontrapuktin e besimit te zhvillimi që u shfaq në epokën e parë të industrializmit, karakterizuar nga një pozitivizëm mjaft sipërfaqësor.

Pikërisht Gjermania, menjëherë pas fitores me Francën në luftën rrufe të viteve 1870-1871 (në të cilën Niçja mori pjesë për një kohë të shkurtër si infermier), njihte një kundërshti të brendshme midis besimit pozitivist te shkenca dhe pesimizmit të mbushur me romantizëm, midis mendësisë kapitaliste prej pionieri dhe besimit nacionalist lindur nga siguria e përkatësisë në një komb të karakterizuar nga thellësia e mendimit të tij filozofik.

Vepra e tij tashmë përbëhej vetëm nga shënime të shkruara në dhomat e hoteleve, të cilat i sistemoi në përmbledhje aforizmash. E tillë që edhe forma që mori vepra e madhe e fundit që e ndërtoi vetë: Also sprach Zarathustra (Kështu fliste Zarathustra). Zarathustra –I frymëzuar nga një profet eponim, nismëtar i mazdeizmit Iranian-ishte lajmëtari i një ere të re, asaj dionisiake.

Dy bërës thelbësorë karakterizojnë predikimin e Zarathustrës së Niçes: ‘’Mbinjeriu’’ dhe ‘’Kthimi i përjetshëm’’. ‘’Njeriu është diçka që duhet të kapërcehet’’: duke lanë pas vetes çdo drejtim ndaj moralit meskin dhe duke shpalosur të gjithë forcat e jetës që janë tek ai, njeriu bëhet ‘’mbinjeri’’ (Ubermench), që duhet të sundojë të vegjlit dhe të dobtit sa pamëshirshëm aq edhe bujarisht: por jeta e tij do të jetë një rifillim i përjetshëm, ajo do të përsëritet në pafundësi, sepse nuk ka një qëllim te fundi i kohëve.

Jeta-dhe kjo është e lidhur me temën e kthimit të përjetshëm- nuk është mirfilli e një individi, sepse nuk ka kalim të shpirtrave individual nga një trup te tjetri; jeta që përsëritet është gjithçka që individi është çdo herë hapësirë e një çasti, një qendër e forcës jetësore- por jo një subjekt që mbetet identik me vetveten, të cilit do t’i kundërvihej një botë objektesh gjithashtu e pandërprerë.

Më 1882, në Romë, Niçja u njoh me një intelektuale të re ruse, Andreas-Salone (1861-1937), gjithashtu sa magjepëse dhe pasionante, aq edhe e zgjuar dhe mbizotëruese.

Ai u dashurua marrëzisht pas Lusë, si nuk kishte dashuruar kurrë përpara, por doli një pretendues i ngatërruar dhe i ngathët. Lu tregoi për të po aq interes sa edhe për mikun e saj Pol Re, por nuk dëshiroi ta shtynte më tej intimitetin me asnjërin prej dy burrave.

Motra e Niçes arriti ta shkëpuste të vëllain nga ndikimi i asaj gruaje, që ajo e gjykonte skandaloze, dhe lidhja përfundoi në akuza të lodhshme ndaj njëri-tjetrit. Takimi me Lunë-që u bë pas muza e poetit Rainer Maria Rilke (1875-1926), pastaj një nxënëse e Sigmund Frojdit (1856-1939)-përforcoi ëndrrën e Niçes për një çlirim nga sensualiteti.

Karmen Zhorzh Bizesë, përjetim i forcës së sensualitetit femëror, u bë në të njëjtën kohë opera më e dashur e filozofit, që i kishte kthyer shpinën pesimizmit neurotik të Rikard Vagnerit.

Termi nihilizëm (në kuptimin e ngushtë, ‘’vullneti i hicit’’) u përdor nga Nice në forma të ndryshme, ku mund të marrim parasysh ato më kryesoret.

Në të shkuarën ka ekzistuar një nihilizëm thelbësor për të gjitha metafizikat, meqënëse tek ato mbizotëron një qendrim çnjerëzor dhe i kundërt me jetën. Sipas Niçes, të gjitha sistemet etike, fetë, dhe filozofitë e përpunuara në tërë historinë e Perëndimit, janë të interpretueshme si strategji të sendërtuara për t’u dhënë siguri njerëzve të dobët, atyre që nuk arrijnë të pranojnë natyrën e paparashikueshme të jetës, dhe që largohen në një botë të përjetshme.

Ato janë kundërveprime mbrojtëse të një njeriu të pasigurt, i frikësuar nga vetë natyra e tij (nga pasionet, nga instikti) dhe i paaftë të vetëpranohet. Shprehja më e lartë e këtij asgjesimi të njeriut ka qenë feja hebraiko-kristinae: etika e dashurisë, e mëshirës dhe e sfilitjes së trupit për të arritur një lumturi të mundshme jashtëtokësore, është vetëm një përçudnim i shpirtit, një patologji e njerëzimit.

Te mohimi i dytë, Niçe e kuptoi nihilizmin si vdekje e Zotit, pra, si gjendjen e njeriut modern që, duke nisur nga iluminizmi dhe për shkak të një ‘’fuqie të rritur të shpirtit’’, beson gjithmonë e më pak te vlerat tradicionale.

Kjo është kriza e një qytetërimi që Niçe përmbledh me formulën: ‘’Zoti ka vdekur’’, ku Zoti është symbol i të gjitha besimeve dhe i të gjitha metafizikave. Niçe e përshkroi me saktësi këtë nihilizëm (kriza e vlerave) të epokës aktuale: për shembull, ai vuri re se si mungesa e sigurive, braktisja e çdo prespektive jasthëmoderne apo fetare, shakktojnë te njeriu bashkëkohor një ndjenjë të fortë dështimi dhe përhumbjeje ekzistenciale (një ‘marramendje’).

Prej këtej vijon një nostalgji e mprehtë për të shkuarën, ankimi për atë periudhë të lumtur (fëmijërinë e njerëzimit) kur ende besoheshin përrallat (metafizike).

Njeriu modern nuk beson më, por dëshiron të besojë dhe shpreh një nevojë psikologjike për liturgji ngushëluese; nga ana tjetër, ai nuk di më se kujt t’i besojë dhe nuk arrin më t’i përdorë mitet dhe ritet e së shkuarës.

Pra, përfundon duke shpikur të reja, krijon besime të reja në vend të besimeve të lashta, shpesh, duke i veshur ideologjitë politike me kuptime fetare. Te përvojat tragjike të historisë moderne, të shkaktuara nga një fanatizëm ideologjiko-politik i jetuar besimtarisht, por edhe te lulëzimi i sekteve fetare, te mbijetesa e besimeve magjike (astrologjia, parapsikologjia, ufologjia) dhe madje te ato mistike (shfaqjet e shën Mërisë) mund të shihet një nihilizëm i dëshpëruar , ‘një vullnet për të besuar me çdo kusht’ tej çdo rrëzim itë realitetit.

-Së fundmi, për Niçen ekziston një nihilizëm aktiv dhe pozitiv: pikërisht, qendrimi i mbinjeriut që pranon ‘vdekjen e Zotit’(fundin e çdo feje, çdo sistemi vlerash) dhe është i aftë t’i përballojë psikologjikisht pasojat e kësaj. Në këtë kuptim, Niçe i veshi vetes titullin e nihilistit të parë.

Disa thënie interesante të Niçes

Niçe ishte i mendimit se libri i tij ‘’Kështu foli Zarathustra’’ ishte një vepër që duhej mësuar përmendësh në të gjitha esencat e fjalëve në tij. Ja disa thënie të goditura nga veprat e Niçes:

Ti ke rrugën tënde. Unë kam rrugën time. Sa për rrugën e drejtë, rrugën e duhur, dhe rrugën e vetme, ajo nuk ekziston.

Të krijosh vlera të reja, për këtë as luani s’është i aftë. Por për të krijuar liri për krijime të reja, për këtë duhet forca e Luanit.

Kujtesa më tregon se e kam bërë unë këtë, krenaria thotë se unë nuk mund ta bëjë këtë. Dhe kujtesa tërhiqet.

Kënaqësia e kopesë është më e lashtë sesa ajo e unit; përderisa ndërgjegjja e pastër quhet kope, vetëm ndërgjegjja e njollosur thotë unë.

Kur të kesh një mik, duhet të jesh gati të luftosh për të, dhe për të luftuar, duhet të jesh i aftë për të qenë armik.

Vërtet njeriu është një lumë i ndyrë; duhet të jesh det për të pritur një lumë të ndyrë pa u ndotur.

Ja të mirët dhe të drejtët! Kë urrejnë ata më shumë? Atë që shkatërron tabelat e tyre të vlerave, shkatërruesin, përmbytësin- por ky është krijuesi.

Burri i vërtetë do dy gjëra, rrezikun dhe lojën. Prandaj e do gruan, që është loja më e rrezikshme.

Më shumë rreziqe kam ndeshur në njerëz sesa ndër kafshë.

Ai që është i pakënaqur është gati për hakmarrje.

Në dashurinë e gruas ka padrejtësi dhe verbëri ndaj kujtdo që ajo nuk dashuron. Edhe atëherë kur dashuria e gruas është e mencur, pranë dritës ajo shfaq gjithmonë agresivitet, shkëlqim dhe natë.

Ju më thoni: Jeta është e vështirë, jeta nuk durohet.Atëherë, pse e keni atë krenari në mëngjes dhe atë dorëheqje në mbremje?

Ai që ngjitet në malin e lartë, qesh me të gjitha dramat, serioze apo të shtira.

Në fakt, uni dinak, uni që s’njeh dashuri, ai që dëshiron përfitimin tij në përfitimin e shumicës, nuk përbën origjinën, shkakun e kopesë, por shënon perëndimin e saj.

Kur të kesh një mik, duhet të jesh gati të luftosh për të, dhe për të luftuar, duhet të jesh i aftë për të qenë armik.

Cdo virtyt është xheloz për tjetrin dhe xhelozia është dicka pjellore. Edhe virtytet mund të vdesin për shkak xhelozie.

A je skllav? Atëherë s’mund të bëhesh mik i askujt. Apo mos je tiran? Atëherë askënd s’mund të bësh mik.

Pak helm kohë pas kohe të fal ëndrra të bukura.Dhe, në fund, shumë helm, për një vdekje të këndshme.

Ju shihni lart, kur kërkoni të lartësoheni. Po unë shoh poshtë sepse jam lart.

Tek miku duhet nderuar dhe armiku.A mund të takosh mikun tënd, pa kaluar në anën e tij?

Ai që vuan për të ditur, lahet pa dëshirë në ujin e një të vërtete të cekët, por jo në atë të një të vërtete të ndyrë.

Të flesh është punë e vështirë; duhet të hapësh sytë gjithë ditën që ta bësh.

Të krijosh vlera të reja, për këtë as luani s’është i aftë. Por për të krijuar liri për krijime të reja, për këtë duhet forca e Luanit.

E vërteta është: e dashurojmë jetën, ama jo sepse jemi mësuar me të, por sepse jemi mësuar të dashurojmë.

Baltë ka në fund të shpirtit, dhe e keqia më e madhe është se balta e tyre ka akoma shpirt.

(Marrë nga, ‘’Filozofët më të mëdhenj të kohërave’’ Edmund Jacoby,  ‘’Atlasi i ilustruar i filozofisë, Umbaldo Nicola), ‘’Kështu foli Zarathustra’’.

Arratisja më e madhe në veriun e vendit

Si e kaluan kufirin 26 veta të familjes Skepi më 1958!

Çfarë i ndodhi doktor Guarametos, i qëlluar nga hetuesi i tij

Misteret e një darke në faqet e një romani magjik të Ismail Kadaresë!

Bashkëshortja e ish-futbollistit rrëfen lidhjen e tyre pasionante

Piloti që u bë portier, historia e Mikel Jankut!

Xhufi: Enver Hoxha nuk donte t’ia linte partinë…

43 vjet nga vdekja, letra e fundit e Mehmet Shehut!

Pesë ditë pas shkarkimit të Abigeila Voshtinës

Aulon Naçi emërohet drejtor i ri i TKOB