MENU
klinika

Prof. Asc. Sokol Buba

Gjaku në feçe tek fëmijët/ Ç’duhet të dinë prindërit

19.09.2018 - 16:20

Prania e gjakut në feçe është një fenomen i njohur në moshat fëminore, por jo aq i shpeshtë sa tek të rriturit.

Ajo që ndërlikon situatën është fakti që prania e gjakut në feçe shkakton një ankth dhe problem të paparë stresues tek prindërit dhe prandaj kërkohet një ekzaminim shumë i hollësishëm.

Por ajo që është e mirë në këtë drejtim është fakti që prania e gjakut në feçe tek moshat fëminore rrallë herë shkaktohet nga sëmundje malinje. Në rastet më të shpeshta që paraqiten në spital diagnoza që vihet re më shumë është ajo e ‘fisurës anale’.

Në rastin e një fëmije që paraqitet me gjak në feçe disa nga pyetjet kryesore që duhen drejtuar janë:

A është ky një fenomen akut apo kronik? Cila është ngjyra e gjakut në feçe? Rozë si hemorragji e freskët, e errët si manaferrë apo si melena?

Sa është sasia e hemorragjisë, sepse edhe nëse hemorragjia mund të jetë e kateve të mësipërme ajo në rastin e fëmijëve mund të paraqitet në ngjyrë të kuqe për shkak të kohës së shkurtër të tranzitit intestinal.

Gjithashtu ekzaminimin duhet që ta shoqërojnë edhe pyetje të karakterit të përgjithshëm si:

• A është shoqëruar kjo me të vjella?

• A ka dhimbje abdominale?

• A ka ndryshim të konsistencës së feçes, konstipacion apo diarre?

• A ka pasur ndonjë dëmtim, trauma?

• A ka histori familjare për polipoze, për sëmundje gastro-intestinale kronike apo akute?

• A kemi përdorim të preparateve të ndryshme në këtë periudhë që mund të shkaktojnë hemorragji si për shembull kortizonikët etj?

Ekzaminimi klinik

Ky ekzaminim duhet që të përqëndrohet në këto pika:

 A është fëmija në gjendjen e shokut si rezultat i hemorragjisë?

 A kemi praninë e fenomeneve hemorragjike edhe në vende të tjera si për shembull në gojë, apo hundë?

 A kemi praninë e fenomeneve hemorragjike në lëkurë?

 A kemi elementë të veçantë në palpacionin abdominal?

 A është bërë ekzaminimi i kujdesshëm i zonës perianale dhe çfarë është vënë re?

 A është bërë tusheja rektale?

Diagnoza diferenciale duhet që të bëhet midis diagnozave të mëposhtme të cilat që të gjitha kanë si karakteristikë praninë e gjakut në feçe.

• Neonati

Prania e feçes së ujshme e shoqëruar me praninë e gjakut në feçe është një ndodhi jo e rrallë në moshat e vogla. Disa herë ajo mund të shkaktohet edhe nga gëlltitja e gjakut si rezultat i dëmtimit të thithkave të gjirit tek nëna.

• Fisurat anale

Kjo mund të ndodhë tek neonati, por edhe në rastin e fëmijëve më të mëdhenj dhe karakteristika të saj janë prania e gjakut të kuq në feçe dhe ndjenja e dhimbjes.

Në ekzaminimin e zonës peranale ne mund të shohim praninë e ‘fisurës anale’ dhe ndaj nuk janë të nevojshme ekzaminime të tjera shtesë. Vetëm kujdesi në drejtim të konsistencës së feçes së foshnjes që sigurisht lidhet me kujdesin në mënyrën e ushqyerjes është e vetmja rrugë e trajtimit.

• Vovulus

Mund të haset si tek neonati edhe tek fëmijët më të rritur. Tek fëmijët e vegjël ka si karakteristikë shoqërimin me hemorragji në formë melene dhe të menjëhershme si dhe shoqërohet me të vjella biliare, gjithashtu shoqërohet me distendim abdominal, ndërsa hemorragjia masive rektale ndodh më vonë si rezultat i zhvillimit të gangrenës së zorrës. Në ekzaminimin radiografik ne vendosim diagnozën e ‘volvulusit intestinal’ si rezultat i pranisë së “bubble sign”.

• Një nga sëmundjet e cila shoqërohet me praninë e gjakut në feçe te moshat fëminore është divertikuliti.

Divertikuliti i zorrës është ajo pathollogji e cila shoqërohet me praninë e “xhepave“ të vegjël në murin e zorrës.

Shkaqet e kësaj pathollogjie nuk janë të njohura mirë, por dihet se shumica e njerëzve që arrijnë në moshën 50-60 vjeçare paraqesin divertikulit. Disa autorë mendojnë se kjo mund të shkaktohet si rezultat i presionit të shtuar brenda lumenit të zorrës ndërsa disa të tjerë mendojnë se kjo mund të vijë si rezultat i dobësisë së murit intestinal.

Kjo pathollogji është e përhershme dhe nuk ka asnjë lloj diete që mund ta zhdukë atë. E vetmja mënyrë për ta trajtuar është heqja në mënyrë kirurgjikale e pjesës së zorrës ku ndodhet divertikuli.

Personat që kanë divertikula mund t’i kenë ato të përhapura në të gjithë kolonin, pra vendodhja e tyre nuk është specifike, por në rastet më të shpeshta ne i hasim divertikulat në pjesën sigmoide dhe në atë descedente të kolonit.

Klinika

Shumica e njerëzve nuk kanë shenja gjatë gjithë jetës së tyre. Divertikuliti fillon të bëhet “i dukshëm” në rastin e rupturës së tij ose në rastin e infeksionit duke na krijuar abces dhe kjo situatë quhet diverticulitis.

Në këto raste shenjat klinike që shoqërojnë këtë situatë janë dhimbja, temperaturë dhe butësi në kuadratin e majtë të poshtëm abdominal. Rrallë mund të ndodhë që si rezultat i infeskionit enët e gjakut në murin e zorrës ku është vendosur divertikuli të dobësohen, të çahen dhe të shkaktojnë hemorragji.

Hemorragjia nga divertikuli nuk është e dhimbshme, por ajo është më e rëndë nga ana e kompromentitmit klinik sesa hemorragjia nga kanceri i kolonit apo nga hemoroidet. Shpesh diagnoza e hemorragjisë rektale nga divertikulti është diganoza më e shpeshtë në shtrimet e repartit të kirurgjisë.

Në varësi të vendit ku është lokalizuar divertikuli kemi dhe karakteristikat e gjakut që ndodhet në feçe.

Kështu në rast se divertikuli ndodhet në pjesën e sigmës atëherë gjaku ka ngjyrë rozë, duket si gjak i freskët.

Ndërsa në rast se divertikuli ndodhet në pjesët e sipërme të kolonit atëherë në përgjithësi gjaku ka ngjyrë vishnje të errët ose dhe në formën e melenës.

Hemorragjia nga divertikuli ka një karakteristikë; ajo stopon vetë, përsëritet dhe ka pacientë që në të njëjtën periudhë të hospitalizimit mund të kenë disa episode të hemorragjisë nga divertikuliti që fillojnë dhe mbarojnë vetë.

Bile te disa pacientë edhe pse kanë hequr në mënyrë kirugjikale divertikulin nga koloni mund të kenë episode të tjera hemorragjie edhe 4-5 vjet pas ndërhyrjes kirurgjikale.

Pathollogji të tjera të cilat shkaktojnë praninë e gjakut në feçe janë edhe polipet e zorrës dhe kanceri i kolonit.

Tumoret beninje të intestinit shpesh janë quajtur edhe polipe, ndërsa kanceret janë procese malinje të intestinit dhe mendohet se kanë origjinën e tyre nga polipet.

Hemorragjia e shkaktuar nga to nuk është asnjëherë në sasi të madhe që të shkaktojë shok apo hypotension, por është e vazhdueshme.

Kanceri i lokalizuar në pjesën sigmoide ka tendencë më shpesh që të shkaktojë hemorragji të herëpashershme, jo në sasi të madhe dhe në ngjyrë të kuqe ndërsa kanceri i lokalizuar në pjesën ascedente të kolonit mund të shkaktojë hemorragji shpeshherë okulte dhe në disa raste në ngjyrë të errët ose si melena.