Ky vit i ri shkollor do të nisë me rregulla të reja për mësuesit dhe nxënësit e intitucioneve, por jo vetëm.
Qeveria ka marrë vendimin që celularët do të ndalohen jo vetëm në shkolla, por edhe në administratën publike, ndërkohë kryeministri ka paralajmëruar edhe masa për ata të cilët nuk do t’i binden rregullit.
Lidhur me këtë vendim Sindikata e Arsimit Shkodër, ka akuzuar Ministrinë e Arsimit si dhe kryeministrin Rama, me motivin se ky vendim është marrë për të hequr vëmendjen nga premtimi i 5 viteve më parë për rritjen e rrogave të mësuesve.
Kryetari i Sindikatës së Arsimit në Shkodër, Arian Peraj, ka shprehur më tej dhe shqetësimin lidhur me kontratat kolektive të mësuesve si dhe qëndrimin e mbajtur nga Dretoria Arsimore, i cilësuar si flagrant.
Kujtojmë se një ditë më parë Rama tha se ky do të jetë një ndryshim i madh, për institucionet.
“Ky vit do të jetë viti i një epoke të re për celularët në shkolla. Nuk do të lejojmë celulare në shkolla. As për fëmijët, as për mësuesit. Mësuesit do të duhet t’i dorëzojnë në fillim dhe t’i marrin në fund të mësimit. Muaji i parë do të jetë muaj edukimi, nga muaji i dytë celularët merren dhe hidhen në plehra, nuk i kthehen më atij që e ka sepse janë ndotës të rrezikshëm të mjedisit arsimor. Jam i bindur që ky do të jetë një ndryshim i madh, ndërkohë që ne po përgatitemi edhe për vendimin që të heqim celularët edhe nga institucionet e shtetit, që janë bërë si klube interneti të gjithë”, ka thënë Rama.