Trashëgimia kulturore e Korçës veçanërisht në aspektin eklistik përfaqsohet në një koleksion të rrallë objektesh kulti. Disa syresh kanë nisur t’i nënshtrohen restaurimit, sikurse Kisha Post-bizantine e Ristozit në Mborjte të Korçës, e shpallur ‘monument kulture i kategorisë së parë’.
Ndërhyrja e fundit është kryer në vitin 1980, por asokohe për shkak të materialeve të përdorura u dëmtua konstruktin eksterior i saj. Teksa sot, 2 vite pas miratimit të projektit prej Bashkisë së Korçës kanë përfunduar dy fazat e para dhe brenda 6 muajsh pritet të përfundojë dhe faza e tretë.
Projekti konsiston në restaurimin e kupolës, tamburit dhe naozit.
Pjesë e fazës së tretë të projektit është edhe restaurimi i pikturave murale dhe afreskeve. Gjergji Koki, drejtor i Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare tregon për vlerat unikale të kësaj kishe. ”Është ndër objektet më unikale dhe me vlerë që kemi në Shqipëri dhe Ballkan për faktin se daton nga viti 1398 dhe ruhet edhe sot në formën e saj organike. Faza e tretë synon t’i rikthejë objektit vlerat e duhura” – shpjegon ai.
Kisha e Ristozit është ndërtuar më herët në Ballkan me të hollat e dhuruara nga peshkopi Nimfoni. Ajo bën pjesë në grupin e kishave me kryq të brendashkruar pa mbështetje të brendshme. Projekti për restaurimin e kishës u miratua pasi objekti rrezikonte shembjen, ndërsa tani pritet që në përfundim të procesit restaurues t’i rikthehet lavdia e munguar.
Përgatiti: L.S.