MENU
klinika

E rëndë!

Infeksionet që vrasin mbi 10 milion fëmijë! Duhet t’i dini!

21.09.2018 - 19:49

Që nga viti 1970 numri i parashikuar vjetor i vdekjeve për fëmijët e moshës nën 5 vjeç është zvogëluar për afro një të tretën. Në disa shtete shkalla e vdekshmërisë së fëmijëve është shtuar.

Në vitin 1998 më tepër se 50 shtete, shkallën e vdekshmërisë së fëmijëve e kanë pasur mbi 100 për 1000 të lindur.

Në vendet në zhvillim për çdo vit vdesin më tepër se 10 milion fëmijë para se të arrijnë moshën pesë vjeç. Shtatë prej dhjetë vdekjeve të këtyre fëmijëve ndodhin për shkak të infeksioneve akute respiratore (kryesisht pneumonisë), diarresë, fruthit, malarjes ose kequshqyerjes dhe kombinimit të këtyre gjendjeve.

Infeksionet intestinale në fëmijë mund të shkaktohen jo vetëm nga bakteret patogjene, por edhe viruset, protozoaret dhe madje edhe kërpudhat.

Çdo ditë në trupin e fëmijës mund të hyjnë miliona organizma të vegjël, trupa të huaj, viruse dhe baktere që mund të shkaktojnë shumë sëmundje infektive. Por natyra ka krijuar mekanizma të shumtë mbrojtës për të mos lejuar depërtimin dhe për të shkatërruar aftësinë sëmundje-shkaktuese të tyre.

Kështu, depërtimi i baktereve të dëmshme përmes traktit gastrointestinal bëhet nga goja e cila përmban pështymën që ka veti antibakteriale, më pas bie në kontakt me lëngun e stomakut që përmban acid klorhidrik dhe më pas në intestinë ku bie në kontakt me bakteret të mira që mbrojnë trupin tonë nga agjentët ndërhyrës.

Në disa situata, ky plan mbrojtjeje nuk është i mjaftueshëm, duke çuar në depërtimin e patogjenëve dhe shfaqjen e simptomave të infeksionit të zorrëve.

Arsyeja për këtë mund të jetë prania e një sëmundje tjetër bashkëshoqëruese, përdorimi për trajtim i antibiotikëve, ulja e imunitetit etj.

Ndotja e ushqimeve, mungesa e higjienës vetjake, sëmundje të ndryshme infektive, klima e faktorë të tjerë ndihmojnë shfaqjen e parazitëve, ose siç njihen ndryshe krimbave, kryesisht në zorrë.

Fëmijët mbeten më të prekurit. Kujdesi që duhet të tregojmë gjatë stinës për të shmangur ndërlikimet e këtyre infeksioneve në organizëm duhet të jetë shumë i madh.

Parazitozat zënë një vend të rëndësishëm në tërësinë e sëmundjeve infektive që trajtohen kryesisht në shërbimin tonë ambulator.

Infeksionet parazitare kanë një prevalencë të lartë në vendin tonë. Kushtet klimaterike, pozita gjeografike, lëvizjet e pakontrolluara të popullsisë, probleme të infrastrukturës, mosfunksionimi si duhet i hallkave të shërbimit shëndetësor, thyerja në hallka të ndryshme e higjienës ushqimore, favorizojnë përhapjen e këtyre sëmundjeve në popullatën shqiptare.

Megjithatë, ky nuk është vetëm problem i vendeve në zhvillim. Edhe vendet e zhvilluara preken nga këto sëmundje.

Të dhënat e literaturës referojnë se në SHBA dhe Kanada, lamblia rezulton si paraziti më i shpeshtë, kurse nga askaridi rezulton e prekur rreth 1/5 e botës (afërsisht 1 bilion njerëz). Parazitët e zorrëve infektojnë dhe banojnë në traktin gastrointestinal. Ju mund të infektoheni me dy lloje të parazitëve të zorrëve, protozoa dhe heleminths.

Protozoa janë parazitë mikroskopikë, kurse heleminths janë krimba që janë të dukshëm për syrin në fazat e tyre të rritjes. Secili nga këto parazitë hyn në trupin tuaj nëpërmjet ushqimit të kontaminuar, uji ose kontaktit të lëkurës. Dhimbje barku, gazra, dizenteri, të vjella janë disa nga simptomat e zakonshme të një infeksioni zorrësh nga parazitët.

Një problem shqetësues që lidhet me infeksionet intestinale të të gjitha natyrave është kequshqyerja dhe sidomos një pikë shumë e rëndësishme e saj siç është shfaqja e anemisë dhe kjo kryesisht nga mungesa ose mospërthithja e hekurit.

Nga studime të ndryshme që janë bërë në vendin tonë rezulton se anemia në moshat fëminore, sidomos ajo nga karenca e hekurit është një problem madhor i cili ndikon sidomos në shtatshkurtësinë e fëmijëve ose i njohur ndryshe si fenomeni “stunting” i cili është problematik për fëmijët shqiptarë, sidomos rreth moshës 2-vjeçare.

Duke u nisur nga gjithë çka thamë më lart del si detyrë e rëndësishme diskutimi në thellësi i këtyre problemeve duke u mbështetur mbi atë që thotë dhe udhëzon mjekësia e bazuar në evidencë e cila sjell përvojën më të mirë botërore.

Kjo është e nevojshme sepse nëpërmjet shkëmbimit të informacionit ne arrijmë që të:

-Mundësojmë përcaktimin e saktë të sëmundjeve të fëmijëve në nivelin e kujdesit parësor;

-Sigurojmë trajtimin e përshtatshëm të të gjitha sëmundjeve të rëndësishme intestinale;

-Mundësojmë këshillimin dhe sigurojmë shërbime parandaluese;

-Shpejtojmë drejtimin në spital të fëmijëve shumë të sëmurë;

-Synojmë përsosjen e cilësisë së kujdesit ndaj fëmijëve të sëmurë në institucionet e udhëzuara.

Këtu një vend të rëndësishëm zë edhe parandalimi, masat që duhet të merren duke filluar nga informimi i popullatës, unifikimi i protokollëve mjekësorë, ndërgjegjësimi i institucioneve politikbërëse me qëllim reduktimin e sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë fëminore në vendin tonë.