MENU
klinika

Kontrolli i karburanteve

Konfindustria: Ka rrezik për abuzime

23.09.2018 - 12:27

Koncesioni për privatizimin e shërbimit të kontrollit të sistemit të aparateve matës të shitjes së karburanteve rrezikohet të kalohet në monopol privat me pasoja të rënda për qytetarët dhe bizneset.  Konfindustria vlerëson se abuzimi me volumet në shitje të karburanteve ndaj qytetarëve dhe bizneseve vlerësohet në vlerat 20-25 milionë euro në vit.

Administratori, Gjergj Buxhuku, thotë se mungesa e përcaktimeve dhe mjeteve të qarta ligjore për të parashikuar, vëzhguar dhe parandaluar veprimet e mundshme abuzive të koncesionarit privat, krijon kushtet për të dëmtuar rëndë interesin publik dhe konkurencën në tregun strategjik të karburanteve.

“Në kushtet e mësipërme, koncesionari privat mund të lidhi lirisht dhe pa asnjë frikë nga kontrollet e agjencive shtetërore marrëveshje të fshehta me shitësit e karburanteve për të abuzuar me volumet e shitjes në dëm të konsumatorëve. Gjithashtu, rrezik i mundshëm është edhe mundësia e prishjes së rregullave të konkurencës në treg. Mungesa e plotë e përvojës së kompanisë, që ka fituar bonusin qeveritar në garën e koncesionarit, rrit edhe më shumë mundësinë e krijimit të situatave të papranueshme për interesin publik,” thotë Buxhuku.

Konfindustria shpreh shqetësimin, se pavarësisht zotimit të qeverisë për të ndaluar në muajin shtator 2018 të praktikave të dhënies së koncesioneve të pakërkuara, përsëri vazhdohet në të njejtën mënyrë. Institucionet ndërkombëtare si FMN dhe BE kanë kërkuar në mënyrë të përsëritur dhënien fund të koncesioneve të pakërkuara. Tregu i karburanteve është më i madhi në vend me mbi 10% të PBB dhe vlerë absolute mbi 1 miliard euro në vit.