MENU
klinika

Do të kemi rritje nominale 6.1%?

“Kurthi” i deflatorit

09.09.2018 - 15:33

Programimi i të ardhurave buxhetore mbështetet në një sërë projeksionesh, por më i rëndësishmi dhe thelbësori është ai i rritjes ekonomike. Nëse ekonomia e vendit rritet në një masë të caktuar, rrjedhimisht edhe të ardhurat fiskale priten të rriten së paku në të njëjtat përmasa. Natyrisht, kjo pa marrë parasysh ndryshimin e taksave dhe tatimeve, përmirësimin e administrimit fiskal apo luftën ndaj informalitetit, që janë të tjerë faktorë që ndikojnë në projeksionet e të ardhurave buxhetore.

Arsyeja kryesore pse qeveritë shqiptare, për vite me radhë, kanë parashikuar rritje ekonomike më të larta se pritshmëritë realiste lidhet me nevojën për të justifikuar një plan ambicioz të rritjes së të ardhurave. Një problem i tillë mund të konstatohet edhe buxhetin e vitit 2018. Për këtë vit, qeveria ka parashikuar një rritje ekonomike reale prej 4.2%. Deri këtu, shifrat duket të arsyeshme. Në fakt, edhe parashikimet nga burime më asnjanëse, si Banka e Shqipërisë, Banka Botërore apo Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, megjithëse janë lehtësisht më të ulëta, e vendosin rritjen në nivele të përafërta.

Por, duhet pasur parasysh një element i rëndësishëm. Rritja e të ardhurave, në vlerë absolute, mbështetet në rritjen ekonomike nominale. Faktori që bën diferencën mes rritjes reale dhe asaj nominale është deflatori i PBB-së. Në thelb, deflatori jep rritjen e çmimeve për mallrat dhe shërbimet e prodhuara në ekonomi në një periudhë kohore të caktuar. Ai llogaritet si raport mes PBB-së me çmime korrente dhe asaj me çmime konstante. Ndaj, për të qenë sa më të saktë në parashikimin e të ardhurave buxhetore,  duhet një projeksion realist jo vetëm për rritjen reale, por edhe për atë nominale dhe për deflatorin e PBB-së.

Çfarë ka ndodhur në fakt në buxhetin e vitit 2018? Rritja nominale e ekonomisë parashikohet në rreth 6.1%, e deflatuar me rreth 1.9%, për të arritur në një rritje reale të PBB-së me 4.2%.

Nëse shohim parashikimet e qeverisë për Prodhimin e Brendshëm Bruto, në vlerë nominale, duket se ka një optimizëm të theksuar. Qeveria parashikon që PBB-ja nominale në vitin 2018 të arrijë vlerën e 1650 miliardë lekëve, rreth 95 miliardë lekë më shumë krahasuar me vlerësimin e vitit 2017.

Çështja që shtrohet është nëse për vitin 2018 deflatori i PBB-së mund të jetë vërtet në nivele pranë 1.9%. po të shohim ecurinë e këtij treguesi për vitet e fundit, ky parashikim duket tejet optimist.

Në dy vitet e fundit të matura nga Instat me të dhëna përfundimtare, deflatori ka qenë në vlera shumë më të ulëta, madje edhe negative. Kështu, për vitin 2015 deflatori ishte 0.6%, ndërsa për vitin 2016 deflatori ishte madje negative, me -0.5%.  Mbështetur në këto të dhëna dhe projeksione, parashikimi për një deflator të PBB-së në nivelin 1.9% gjatë vitit 2016 duket disi optimist, pavarësisht se çmimet në ekonomi kanë dhënë shenja të rimëkëmbjes dhe inflacioni këtë vit është më afër objektivit të Bankës Qendrore.

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN