Një ekonomist francez të dielën i bëri thirrje presidentit të vendit të miratojë një stil qeverisës “më pak jupiterian” dhe t’i lërë qytetarët, jo qeverinë të riformësojnë shoqërinë franceze.
Jean Pisani-Ferry, një profesor i universitetit i cili ishte bashkëpunëtor në programin ekonomik të zotit Macron, i tha gazetës javore Le Journal du Dimanche: “Metoda Macron duhet të ndryshojë. Gjëja kryesore është që francezët të luajnë një rol aktiv në transformimin e shoqërisë”. Më tej ai vazhdoi “Është një parakusht për suksesin. Kjo do të kërkonte më shumë diskutime dhe një stil udhëheqës më pak jupiterian. ”
Ekonomisti i referohej stilit të udhëheqjes së z. Macron, i cili shihet nga disa si një stil monarkik. Kreu i shtetit duhet të ndryshojë metodën dhe të tentojë të jetë një udhëheqës i cili promovon një “kulturë të bazuar në rezultate”, tha z. Pisani-Ferry.
Ekonomisti francez gjithashtu komentoi për ethet populiste që po përhapeshin në Europë duke thënë se një sërë ngjarjesh të papritura, duke përfshirë vendimin e Italisë për të votuar një qeveri populiste dhe humbjet e dëmshme të Kancelares gjermane Angela Merkel në zgjedhjet e përgjithshme të vitit të kaluar “minuan vlerat evropiane të solidaritetit.
“Ekziston një nevojë urgjente për ta bërë eurozonën më të fuqishme para recesionit të ardhshëm … Ne gjithashtu duhet të sigurohemi se Evropa është në një pozicion për t’iu përgjigjur sjelljes brutale dhe agresive të Presidentit Donald Trump dhe t’i kundërvihet nacionalizmit autoritar të Viktor Orbanit, kryeministrit hungarez,” tha ai për JDD.
Kjo nuk është hera e parë që Z. Pisani-Ferry i kërkon zotit Macron të ndryshojë metodat e tij.
Në qershor, ai paralajmëroi administratën Macron se politika ekonomike konsiderohej si favorizuese për të pasurit dhe po dështonte të trajtonte pabarazitë.
Në memorandumin konfidencial të botuar nga e përditshmja qendrore e majtë, Le Monde, z. Pisani-Ferry dhe dy ekonomistë të tjerë thanë se politika ekonomike e zotit Macron nuk dinte të bindte “edhe mbështetësit më të zjarrtë” dhe shprehu frikë se tendencat e tij autoritare mund të shkaktonin konflikte.
Ekonomistët thanë se kishte rrezik që francezët t’i konsideronin reformat e tij të padrejta dhe të mendonin se qeveria është e shurdhër ndaj nevojave të më të varfërve në shoqëri.
“Presidenti duhet të flasë për çështjen e pabarazive dhe të mos e lërë këtë debat tek kundërshtarët e tij”, u shprehën ekonomistët.
Jo pa të drejtë presidenti francez quhet shpesh “presidenti i të pasurve”.