Në Maqedoni po zhvillohet referendumi për marrëveshjen me Greqinë për çështjen e emrit, i cili është vlerësuar si historik për të ardhmen euroatlantike të vendit.
Komisioni shtetëror i Zgjedhjeve bëri të ditur se deri në orën 17:00 në votime kanë dal 29.05 për qind e trupit të përgjithshëm votues.
Kryetari i Komisionit Shtetëror Zgjedhor, tha se procesi zgjedhor në përgjithësi është duke u zhvilluar në mënyrë të qetë dhe demokratike përveç disa parregullsive në disa vendvotime ku janë ndërmarrë masa për zbardhjen e rasteve.
Rreth 1.8 milion qytetarë me të drejtë vote janë ftuar t’i përgjigjen pyetjes: “A jeni për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe BE me pranimin e marrëveshjen me Greqisë”.
Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev pas votimit në referendumin e së dielës, ka shprehur besimin e plotë se votimi do të jetë i suksesshëm dhe se me këtë do të plotësohet dëshira e qytetarëve për anëtarësimin e vendit në NATO dhe BE.
“Sot është festë e vërtetë. Unë pres që përmes masivitetit në votime, me pjesëmarrjen e madhe, edhe një herë të konfirmohet uniteti multietnik i qytetarëve tanë dhe uniteti i përgjithshëm politik i qytetarëve pa dallim përkartësinë politik….Unë besoj se një shumicë e madhe e qytetarëve do të jenë për pasi më shumë se 80 për qind e qytetarëve janë për NATO-në dhe BE-në.Unë besoj se kjo shumicë dërrmuese sin ë cdo demokraci, do të jetë një udhërrëfyes i saktë, për ne politikanët dhe për Kuvendin që t’i ndjek dëshirat e qytetarëve dhe në fund”.
“Kuvendi do të votojë për këtë dëshirë të tyre, pasi atje konfirmohet e ardhmja jonë”, ka deklaruar Zaev pas votimit në Strumicë, qytet në jug të Maqedonisë.
Votimi zhvillohet në 3.480 vendvotime, të cilat janë hapur në orën 7:00 të mëngjesit ndërsa do të mbyllen në orën 19:00 të mbrëmjes.
Referendumi ka karakter konsultues, por bazuar në dispozitat kushtetuese, dalja në referendum duhet të jetë mbi 50 për qind të trupit të përgjithshëm votues, edhe pse për këtë ka pasur debate e interpretime të ndryshme, nëse me daljen eventuale nën 50 për qind do të konsiderohej i dështuar ose jo.
Referendumi pason marrëveshjen që kanë arritur Maqedonia dhe Greqia, më 17 qershor, në Prespë, për mbylljen e kontestit 27 vjeçar për emrin.
Zgjidhja e marrëveshjes parashikon që Maqedonia të ndërrojë emrin në “Maqedonia e Veriut”.
Por, partitë e opozitës të udhëhequra nga VMRO DPMNE-ja e Hristijan Mickovskit dhe presidenti, Gjorge Ivanov, marrëveshjen e kanë quajtur “kapitulluese”.
Opozita ka vendosur që të mos bëjë thirrje për dalje apo mos dalje në referendum, por kjo në opinion është interpretuar si bojkot në heshtje. Presidenti ndërkohë publikisht ka bërë të ditur se nuk do të votojë.
Marrëveshja ndërkohë mbështetet fuqishëm nga Bashkimit Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës duke thënë se “votimi më 30 shtator është më i rëndësishmi në historinë e Maqedonisë.”
Ndërkombëtarët këtë mbështetje e kanë reflektuar edhe me vizita të shumta të nivelit të lartë, si ajo e kancelares gjermane, Angela Merkel dhe sekretarit amerikan të mbrojtjes.
Nëse kalon në referendum, marrëveshja rikthehet në Kuvend, ku duhet të miratohen edhe ndryshimet kushtetuese që kanë të bëjnë me emrin ri të shtetit. Ndryshimet miratohen me dy të tretat e votave, të cilat nuk i ka shumica parlamentare.
Që marrëveshja të bëhet e plotfuqishme duhet të miratohet edhe në Parlamentin e Greqisë, por vetëm pasi pala greke të jetë siguruar se Maqedonia ka përmbushur të gjitha detyrimet e saja.
Procesi votues po mbikëqyret nga 11.907 vëzhgues vendor dhe 493 ndërkombëtar, prej të cilëve 197 nga misioni i OSBE/ODIHR, 35 nga ambasada amerikane dhe të tjerët nga misione tjera diplomatike. Nga vëzhguesit vendor numrin më të madh e ka shoqata për iniciativa qytetare dhe politike me gjithsej 5.574 persona.
Rezultatet e referendumit pritet të jepen nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve pak çaste pas mbylljes së kutive të votimit në orën 19:00, para se gjithash do të dihet edhe përqindja e saktë e daljes së qytetarëve në votim.