Eurodeputeja nga radhët e partisë opozitare greke Demokracia e Re, Maria Spyriaki ka theksuar se partia e sj e ka një qëndrim të vendosur kundër Marrëveshjes për emrin.
Spyraki nga Kuvendi i Maqedonisë theksoi se partia e saj dhe populli grek nuk pranon ekzistencën e popullit dhe gjuhës maqedonase. Ajo madje vazhdoi më tej duke thënë se Shkupi nuk është gati për në BE.
“Duhet t’ua sqarojmë qytetarëve të IRJM-së se përmbushja e kritereve të Kopenhagës janë parakushte që IRJM-ja të fillojë negociatat për anëtarësim në BE. Besoj se Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë (IRJM-ja), nuk është akoma gati për të filluar negociatat për anëtarësim në BE. Në Greqi ne nuk njohim ekzistencën e kombësisë maqedonase dhe gjuhës maqedonase” – tha Maria Spyraki, Eurodeputete dhe anëtare e partisë “Demokracia e Re”.
Nga ana tjetër zv/kryetari i Parlamentit Evropian, Dimitris Papadimulis iu apeloi të gjithë deputetëve në Parlamentin e Athinës dhe atë të Shkupit që t’i tejkalojnë dallimet dhe ta mbështesin marrëveshjen, duke u shprehur se “Patriotizmi nuk është nacionalizëm”.
Papadimulis i cili vjen nga partia e Aleksis Tsiprasit, Syriza garantoi se Marrëveshja e Prespës do të ratifikohet edhe në Kuvendin grek.
“Jam i sigurt se nëse vendi juaj e ratifikon Marrëveshjen e Prespës dhe i bën të gjitha ndryshimet e nevojshme kushtetuese ashtu siç parashikohet me marrëveshje, Kuvendi grek do ta ratifikojë po ashtu Marrëveshjen e Prespës. Dhe sipas deklaratës publike të Kryetarit të Kuvendit të Greqisë mund të ju them se kjo do të ndodhë brenda marsit të ardhshëm”– ka thënë Zv/kryetari i Parlamentit Evropian, Dimitris Papadimulis.
Papadimulis premtoi dhe garantoi se Parlamenti Evropian do ta mbështesë Maqedoninë në rrugën e saj drejt integrimit në BE. Eurodeputetët Papadimulis dhe Spyraki po qëndrojnë në Shkup për komitetin e përzier parlamentar mes Maqedonisë dhe Bashkimit Europian.