Në jetë asnjëherë nuk duhet të dorëzohesh e këtë e tregon më së miri, Chiara Bordi, 18-vjeçarja nga Italia, e cila edhe pse humbi një këmbë kur ishte vetëm 13 vjeç, asnjëherë nuk ne shoi ëndrrën e saj për të marrë pjesë në një konkurs bukuria.
Tashmë në moshën 18-vjeçare, bukuroshja u bë pjesë e “Miss Italia” dhe aty nuk ishte një pjesëmarrëse e thjeshtë.
Mbrëmjen e së martës, kur u mbajt edhe ky event në shtetin përtej Adriatikut, ajo u rendit si vajza e tretë më e bukur në Itali.
Chiara nuk ndjehej aspak inferiore ndaj vajzave të tjera, ndërsa e shfaqi me krenari këmbën e saj me protezë.
Por paraqitja e saj nuk ka mbetur pa u komentuar në rrjetet sociale, ku kishte edhe nga ata që mendonin se ajo e shfrytëzoi problemin e saj për të konkurruar në këtë event. Por vajza pati edhe një reagim për këtë persona: “Po, mua më mungon një këmbë, por ty të mungon zemra dhe truri. Unë nuk jam e interesuar të fitoj, por t’i tregoj botës se jeta është ende e bukur kur rilind pas një ngjarje tragjike”.
Ajo e përshkruan veten si një modele bionike në llogarinë e saj në “Instagram” dhe ka punuar me organizatën britanike “Models of Diversity”, e cila punon për të promovuar më shumë diversitet brenda industrisë së modës. Në profilin e saj, Chiara shpjegon se si ajo do të donte të studionte për t’u bërë një kirurge ortopedike.