Kampioni i trefishtë i Europës, Briken Calja, flet për vonesën e shpërblimeve për medaljet e fituara në Europian, si dhe tregon objektivat e tij tashmë që jemi në prag të kampionatit të peshëngritjes.
Si është aktualisht forma juaj sportive? Çfarë synoni në garat e ardhshme?
Falë punës së jashtëzakonshme, po kaloj një formë shumë të mirë dhe rezultatet po vijnë gjithnjë në rritje. Mendoj se më nevojiten edhe dy muaj për të arritur formën time më të mirë, e më pas çdo gjë do të varet nga gara.
E rëndësishme është të plotësohen kushtet e nevojshme për të arritur maksimumin. Synimi im është që të futem në pesë sportistët më të mirë në kategorinë e peshës 73 kilogramë, e cila për mua është një peshë e re.
Çfarë po ndodh me shpërblimin që ju takon për tri medaljet e arta të fituara në Europian?
Jam në pritje të shpërblimit, edhe pse tashmë kanë kaluar afatet dhe jemi pak vonesë. Megjithatë, po pres një zgjidhje nga Ministria e Sporteve dhe shpresoj të shkoj çdo gjë mirë që kjo situatë të zgjidhet sa më shpejt.
A ju kanë pritur në Ministrinë e Sporteve?
Deri në këto momente akoma nuk ka bërë asnjë pritje, por kam pasur një komunikim me këshilltarin e ministres dhe po bëhet gati një rezervim për takimin. Data e saktë ende nuk është vendosur, por besoj se do të jetë së shpejti.
A janë të mjaftueshëm 36 milionë lekë të vjetër për një peshëngritës?
Absolutisht, janë të pamjaftueshëm, pasi me një shumë të tillë, për shkak të avancimeve që ka sporti, nuk mund t’i përballosh kostot e larta. Shpresoj të shpërblehem për 3 medaljet e arit, pasi jam 3 herë kampion Europe, rezultat ky që nuk është arritur asnjëherë më parë në historinë e peshëngritjes shqiptare.
Si e gjykoni bashkëpunim e FSHP-së me presidentin e federatës greke, Pirro Dhimën?
Bashkëpunimi me federatën greke ka qenë i traditës pas viteve 1990 dhe vazhdimi i këtij bashkëpunimi është në të mirë të sportit dhe patjetër do të ndikojë në rezultate më të mira. Këtë gjë mendoj se duhet ta aplikojnë të gjitha federatat, pasi ndihmon në rritjen e nivelit të sportit në rang kombëtar dhe ndërkombëtar. (Panorama Sport)