Gjatë ditës së sotme janë miratuar një sërë vendimesh nga Këshilli i Ministrave.
Ajo që bie në sy është certifikimi i shkollës së drejtorëve, ku të gjithë ata që duhet të ndjekin këtë shkollë, së pari duhet të ndjekin një sërë procedurash dhe kriteresh deri në certifikimin e plotë.
“Shkolla e Drejtorëve të Institucioneve të Arsimit Parauniversitar bashkëthemelohet nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë (MASR) dhe Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, me emërtimin zyrtar “Albanian-American Development Foundation” (AADF). Marrëveshja e themelimit të Shkollës së Drejtorëve, e nënshkruar ndërmjet MASR-it dhe AADF-së, dhe akti i themelimit të Shkollës së Drejtorëve përcaktojnë të drejtat dhe detyrimet e palëve themeluese të Shkollës së Drejtorëve të Institucioneve të Arsimit Parauniversitar.”-thuhet në vendimi e Këshillit të Ministrave.
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 27/1, të ligjit nr.69/2012, “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Organizimin e Shkollës së Drejtorëve të Institucioneve të Arsimit Parauniversitar, publik ose privat, si person juridik, që gëzon pavarësi administrative, financiare, teknike e vendimmarrëse, me seli në Tiranë, Shqipëri.
Shkolla e Drejtorëve të Institucioneve të Arsimit Parauniversitar bashkëthemelohet nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë (MASR) dhe Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, me emërtimin zyrtar “Albanian-American Development Foundation” (AADF). Marrëveshja e themelimit të Shkollës së Drejtorëve, e nënshkruar ndërmjet MASR-it dhe AADF-së, dhe akti i themelimit të Shkollës së Drejtorëve përcaktojnë të drejtat dhe detyrimet e palëve themeluese të Shkollës së Drejtorëve të Institucioneve të Arsimit Parauniversitar.
Forma ligjore e organizimit të Shkollës së Drejtorëve të Institucioneve të Arsimit Parauniversitar është organizatë jofitimprurëse, pa anëtarësi, në formën “Qendër”. Ajo krijohet dhe regjistrohet në përputhje me legjislacionin në fuqi për organizatat jofitimprurëse.
Organet dhe autoritetet drejtuese të Shkollës së Drejtorëve të Institucioneve të Arsimit Parauniversitar janë:
⦁ Bordi drejtues, i përbërë nga jo më pak se 5 (pesë) anëtarë;
⦁ Drejtori ekzekutiv.
Përbërja, procedura e emërimit, shkarkimit dhe kompetencat e bordit drejtues dhe të drejtorit ekzekutiv përcaktohen në statutin e Shkollës së Drejtorëve të Institucioneve të Arsimit Parauniversitar, të miratuar nga bashkëthemeluesit e saj, në përputhje me legjislacionin në fuqi për organizatat jofitimprurëse. AADF-ja gëzon të drejtën e shumicës së thjeshtë të anëtarëve në bordin drejtues. Kryetar i bordit është njëri prej anëtarëve të emëruar nga ministri i Arsimit, Sportit dhe Rinisë.
Pranë Shkollës së Drejtorëve të Institucioneve të Arsimit Parauniversitar krijohet bordi këshillimor, si një organ konsultativ i drejtorit ekzekutiv, pa funksione vendimmarrëse. Përbërja, procedura e emërimit, shkarkimit dhe funksionet e bordit këshillimor përcaktohen në statutin e Shkollës së Drejtorëve të Institucioneve të Arsimit Parauniversitar.
Shkolla e Drejtorëve të Institucioneve të Arsimit Parauniversitar kryen veprimtarinë e saj në bazë të ligjit nr.69/2012, të ndryshuar, akteve nënligjore në fuqi, aktit të themelimit dhe statutit të saj. Ajo ka për qëllim zhvillimin profesional të drejtorit/nëndrejtorit në detyrë dhe kandidatit për drejtor/nëndrejtor të institucionit arsimor parauniversitar, publik ose privat, nëpërmjet administrimit të procesit të trajnimit të detyrueshëm përgatitor për pajisjen me certifikatë për drejtimin e institucioneve arsimore parauniversitare, të procesit të trajnimit të vazhdueshëm e trajnimeve të tjera dhe të procesit të provimit e të certifikimit të drejtorit/nëndrejtorit në detyrë dhe kandidatit për drejtor/nëndrejtor të institucionit arsimor parauniversitar, publik ose privat.
Shkolla e Drejtorëve të Institucioneve të Arsimit Parauniversitar gëzon ekskluzivitetin për administrimin e trajnimit e të certifikimit të detyrueshëm të drejtorëve/nëndrejtorëve, sipas parashikimeve të përcaktuara në ligj dhe në këtë vendim.Funksionet e Shkollës së Drejtorëve të Institucioneve të Arsimit Parauniversitar janë: trajnimi, certifikimi i drejtorëve/nëndrejtorëve në detyrë, i kandidatëve për drejtor/nëndrejtor të institucioneve të arsimit parauniversitar, si dhe zhvillimi i projekteve në fushën e edukimit, të cilat synojnë të përmirësojnë cilësinë e performancës së drejtimit të institucioneve të arsimit parauniversitar.
Në ushtrimin e funksioneve të përmendura në pikën 9, të këtij vendimi, Shkolla e Drejtorëve të Institucioneve të Arsimit Parauniversitar kryen këto detyra:
a) Vlerëson nevojat për trajnim të drejtorëve të institucioneve të arsimit parauniversitar;
b) Përcakton llojin e trajnimeve, si proces përgatitor për certifikim, trajnimeve të vazhdueshme dhe trajnimeve të tjera si dhe krijon kurrikulat e programet përkatëse;
c) Lëshon certifikatën përkatëse të trajnimit për drejtimin e institucioneve të arsimit parauniversitar;
ç) Përcakton kriteret e përzgjedhjes dhe përzgjedhjen e kandidatëve, të cilët trajnohen nga Shkolla e Drejtorëve të Institucioneve të Arsimit Parauniversitar;
d) Përzgjedh institucionet e arsimit të lartë apo të subjekteve të tjera për realizimin e objektit të veprimtarisë së Shkollës së Drejtorëve të Institucioneve të Arsimit Parauniversitar;
dh) Monitoron zhvillimin e trajnimit;
e) Ofron trajnimin e vazhduar ose trajnime të tjera, nëpërmjet kontraktimit të trajnerëve nga institucionet e arsimit të lartë apo subjekte të tjera vendase ose të huaja;
ë) Monitoron drejtorët/nëndrejtorët e institucioneve arsimore parauniversitare në vendet e tyre të punës, në veprimtarinë e përditshme;
f) Krijon rrjetin e drejtorëve/nëndrejtorëve të trajnuar nga Shkolla e Drejtorëve;
g) Bashkëpunon me institucione homologe të huaja dhe organizma ndërkombëtarë;
gj) Koncepton, zbaton e monitoron projektet dhe aktivitetet në fushën e drejtimit të arsimit parauniversitar;
h) Propozon politikat dhe zhvillimin e studimeve, në bashkëpunim me institucionet e arsimit parauniversitar, për të gjitha fazat që ndikojnë në cilësinë e formimit e të punës së drejtorit/nëndrejtorit të institucionit të arsimit parauniversitar, si: sistemin e formimit e të certifikimit të drejtorëve/nëndrejtorëve, sistemin e përzgjedhjes e të punësimit të drejtorëve/nëndrejtorëve, sistemin e zhvillimit profesional, sistemin e vlerësimit të performancës e të standardeve të punës së drejtorëve/ nëndrejtorëve.
Organizimi i programit të zhvillimit profesional të drejtorëve/nëndrejtorëve, kriteret e përzgjedhjes së trajnerëve dhe detyrat e tyre, kushtet e kriteret e përzgjedhjes së kandidatit për drejtor/nëndrejtor në programin e zhvillimit profesional të drejtorëve/nëndrejtorëve, organizimi i trajnimeve dhe vlerësimi i pjesëmarrësve, certifikimi, llojet, afatet e vlefshmërisë, aspektet përkatëse financiare dhe tarifat përcaktohen në rregulloren “Për zhvillimin profesional dhe kualifikimin e drejtorëve/nëndrejtorëve të institucioneve të arsimit parauniversitar në Shqipëri”, të miratuar nga bordi drejtues i Shkollës së Drejtorëve.
Kushtet dhe kriteret e përzgjedhjes për drejtorët/ nëndrejtorët në detyrë, në programin e zhvillimit profesional të drejtorëve/nëndrejtorëve të institucioneve të arsimit parauniversitar në Shqipëri, miratohen nga ministri përgjegjës për arsimin, pas konsultimit paraprak me Shkollën e Drejtorëve. Trajnimi i drejtorit/nëndrejtorit në detyrë zhvillohet me kohë të pjesshme, pa shkëputje nga puna.
Pas kalimit me sukses të provimit përfundimtar, drejtorët/nëndrejtorët në detyrë dhe kandidatët për drejtor/nëndrejtor pajisen me certifikatën për drejtimin dhe administrimin e institucionit arsimor parauniveristar, e cila lëshohet nga Shkolla e Drejtorëve.
Për sigurimin e cilësisë në drejtimin e institucionit arsimor parauniversitar, ministria përgjegjëse për arsimin siguron trajnimin pranë Shkollës së Drejtorëve të punonjësve përgjegjës për inspektimin e punës së drejtorëve, në lidhje me menaxhimin dhe administrimin e këtyre institucioneve si dhe mbulon të gjitha kostot e trajnimit të tyre.
Shkolla e Drejtorëve të Institucioneve të Arsimit Parauniversitar ka buxhetin e vet, të cilin e miraton dhe e administron bordi drejtues i Shkollës së Drejtorëve, në përputhje me statutin e saj.
Buxheti i Shkollës së Drejtorëve të Institucioneve të Arsimit Parauniversitar përbëhet nga:
a) të ardhura nga veprimtaria e saj ekonomike, përfshirë, por pa u kufizuar në të ardhurat e përfituara nga tarifat për shërbimet e ofruara;
b) të ardhura në formën e dhurimeve, granteve etj., të përfituara nga themeluesit e saj apo donatorë të tjerë, vendas e të huaj;
c) fonde të përfituara nga buxheti i shtetit, institucionet shtetërore, persona juridikë privatë dhe/ose individë, vendas e të huaj, për zhvillimin dhe zbatimin e projekteve të lidhura me drejtimin në arsim;
ç) burime të tjera financiare, të lejuara nga legjislacioni në fuqi.
Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe AADF-ja mbështesin themelimin dhe ushtrimin e veprimtarisë së Shkollës së Drejtorëve të Institucioneve të Arsimit Parauniversitar nëpërmjet kontributeve të përcaktuara në marrëveshjen e themelimit, të nënshkruar ndërmjet AADF-së dhe Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë. Ministria kontribuon duke vënë në dispozicion të Shkollës së Drejtorëve të Institucioneve të Arsimit Parauniversitar ambientet e nevojshme të zyrave për ushtrimin e veprimtarisë së saj.
Të ardhurat e krijuara nga Shkolla e Drejtorëve të Institucioneve të Arsimit Parauniversitar derdhen dhe mbahen në llogarinë e saj, në një bankë të nivelit të dytë në Shqipëri, dhe përdoren vetëm për kryerjen e veprimtarisë së shkollës, për të përmbushur misionin, qëllimin, funksionet dhe objektivat e saj, në përputhje me legjislacionit në fuqi, këtë vendim, aktin e themelimit dhe statutin e Shkollës së Drejtorëve.
Çdo financim i AADF-së dhe çdo e ardhur e gjeneruar nga Shkolla e Drejtorëve të Institucioneve të Arsimit
Parauniversitar, sipas përcaktimeve të ligjit, të këtij vendimi dhe në statutin e saj, nuk konsiderohen fonde publike.
Fondet e financuara nga AADF-ja nuk janë objekt i kontrollit të Kontrollit të Lartë të Shtetit.
Struktura dhe organika e Shkollës së Drejtorëve të Institucioneve të Arsimit Parauniversitar përcaktohen në rregulloren e brendshme të Shkollës së Drejtorëve dhe miratohen nga bordi drejtues.
Punonjësit e Shkollës së Drejtorëve të Institucioneve të Arsimit Parauniversitar përzgjidhen nga Shkolla e
Drejtorëve, sipas procedurave të saj të brendshme. Drejtori ekzekutiv i Shkollës së Drejtorëve të Institucioneve të
Arsimit Parauniversitar emërohet nga bordi drejtues dhe përfaqëson Shkollën e Drejtorëve në marrëdhënie me palët e treta si dhe është përfaqësuesi ligjor i saj në marrëdhëniet e punës me punonjësit e Shkollës së Drejtorëve.
Produktet e pronësisë intelektuale dhe industriale të Shkollës së Drejtorëve të Institucioneve të Arsimit
Parauniversitar gëzojnë mbrojtje nga legjislacioni për pronësinë intelektuale dhe industriale.
Shkolla e Drejtorëve të Institucioneve të Arsimit Parauniversitar ka markën tregtare dhe vulën e saj, të cilat miratohen nga bordi drejtues i shkollës dhe përcaktohen në statutin e saj.
Të gjitha aktet nënligjore apo dispozitat e tjera të parashikuara në akte nënligjore, që vijnë në kundërshtim me këtë vendim, shfuqizohen.
Ngarkohet Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare