MENU
klinika

Punimet në Ujësjellës

Nis pastrimi i kolektorit në Durrës, jo më përmbytje

19.09.2018 - 13:00

Ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizimeve në qytetin e Durrësit, ka nisur tashmë fazën e parë të pastrimit të një prej kanaleve kryesore të ujërave të larta me qëllimin për të shmangur përmbytjet në rrugën “Skënderbej”.

Kolektori i cili nuk pastrohej prej 36 vjetësh dhe i ndërtuar shumë kohë më parë, në kohën e pushtimit italian më 1939, ishte tashmë plotësisht i bllokuar.

Lidhur me punimet, kryeinxhinier i UKD, Gerald Dautaj, ka thënë:

“Po bëhet pastrimi i kolektorit të ujërave të shiut, i cili është një kolektor i dimensionit 2000 mm. Ai ka që nga viti 1982 që nuk është pastruar dhe është ndërtuar që nga koha e italianëve, në vitin 1939 dhe shërbente për largimin e ujërave të shiut në këtë pjesë të qytetit. Ka qenë një kolektor i bllokuar nga aluvionet dhe dekantime të ndryshme. Faza e parë përfshin aksion nga derdhja në det deri te qendra tregtare me gjatësi 650 metër linear. Pastrimi i këtij kolektori do të eleminojë tërësisht përmbytjet në rrugën Skënderbej”.

Në këtë rrugë punimet kanë shkaktuar vështirësi në qarkullimin e këmbësorëve dhe automjeteve duke qenë se paralelisht po kryhen investimet për zgjerimin e trotuareve.

Në këtë mënyrë, për të shpejtuar procesin dhe shmangur sa më parë problemet në trafik, grupet e punës së Ujësjellësit po punojnë dhe gjatë natës.

Specialistët thonë se, pastrimi i plotë i këtij kolektori do të shmangë përmbytjet nga shirat në rrugën nga hyrja e portit në drejtim të rrethrrotullimit të stacionit të trenit.

Ndërkohë, punime për rehabilitimin e rrjetit të kanalizimeve të ujërave të zeza, me fonde të Bankës Botërore, po kryhen edhe në zonën që nis nga brryli në drejtim të stacionit të trenit dhe deri në hyrje të ish-Kënetës.

Si pasojë e ndërtimeve pa kriter mbi sistemin e kanalizimeve të ujërave të larta në qytet e fshatra tashmë ato janë jashtë funksionimit, duke e shndërruar Durrësin dhe periferitë e tij në një vend të përmbytur pas çdo rrebeshi shiu.