Vaksinohuni!!
Nuk ka asnjë sëmundje të parandalueshme nga vaksina që të shkaktojë aq shumë vdekje sa fruthi.
Shtimi i numrit të rasteve me fruth në vendin tonë gjatë vitit 2018, sëmundje e njohur mirë në botë e tek ne para fillimit të aplikimit të vaksinës, përbën një arsye të fortë që të risillet në kujtesë, në mënyrë që çdokush të arrijë ta evidentojë në rast shfaqjeje, të ketë informacion rreth tij dhe të kërkojë ndihmën e duhur kur sëmundja komplikohet dhe rëndohet.
Edhe pse numri i vdekjeve nga fruthi ka rënë ndjeshëm pas vaksinimit dhe programeve të herëpashershme të parandalimit që ndërmerren në botë, kjo sëmundje ende shkakton më tepër se 100 000 vdekje çdo vit, pjesa më e madhe e tyre nën moshën 5 vjeç.
Fruthi prek rreth 20 milion njerëz çdo vit, sidomos në vendet në zhvillim të Afrikës dhe Azisë.
Në 1980 vdiqën rreth 2,6 milion njerëz prej tij dhe në 1990 rreth 545 000.
Programet globale të vaksinimit në 2014 reduktuan numrin e vdekjeve nga fruthi në 73 000. Risku i vdekshmërisë në të infektuarit është 0,2%, por mund të shkojë deri në 10% tek personat e kequshqyer.
Por çfarë është fruthi?
Fruthi është një infeksion që merret nga rrugët e frymëmarrjes, me infeksiozitet të lartë, që karakterizohet nga temperatura, kolla, rrufa, elemente në mukozën e gojës dhe rash kutan (puçrra të kuqe) të përhapura në të gjithë trupin.
Shkaktari i kësaj sëmundje është një virus.
Virusi i fruthit ka një tip antigjeni dhe si bartës i tij i vetëm është njeriu. Para erës së imunizimit kundër fruthit, ai ishte një infeksion me përhapje në të gjithë botën, me shfaqje çdo 2-3 vjet, sidomos në periudhën dimër-pranverë.
Në kohën e sotme mund të evidentohen epidemi të vogla të fruthit, kryesisht në të pavaksinuar apo në adoleshentë të vaksinuar, që nuk kanë administruar më pas vaksinimin e “kujtesës”.
Mos harroni!
Virusi i fruthit transmetohet vetëm përmes kontaktit direkt me të sëmurin me fruth.
Kalimi i fruthit lë një imunitet të qëndrueshëm për tërë jetën.
Virusi eliminohet me rrugë nazofaringeale, përmes kollës ose teshtimës dhe hyn në organizmin bujtës nëpërmjet mukozës së rrugëve të sipërme respiratore ose konjuktivave.
Personi i infektuar mund ta transmetojë sëmundjen që 3-4 ditë para se të shfaqet rashi (puçrrat) e deri në 4-5 ditë pas tyre.
Virusi i fruthit infekton të gjithë traktin respirator. Ky është shkaku i shfaqjeve karakteristike të fruthit si kollës, rrufës dhe atyre më pak të shpeshta, si laringititit, bronkiolitit dhe pneumonisë.
Dëmtimi i gjeneralizuar i traktit respirator, me pasojë humbjen e epitelit me cilie, janë shkaku i predispozitës për infeksione dytësore bakteriale, si pneumonia dhe infeksioni i veshit të mesëm.
Fruthi është një shkak madhor i vdekshmërisë tek fëmijët dhe kjo gjë i atribuohet aftësisë së virusit të fruthit për të shkaktuar dëmtim të përgjigjes imunitare të organizmit të infektuar.
Në shumicën e pacientëve me fruth, imuniteti specifik i drejtuar kundër virusit të fruthit, është efikas në arritjen e çrrënjosjes së virusit dhe ruajtjen e një imuniteti të qëndrueshëm për tërë jetën.
Simptomat dhe shenjat e fruthit, si ta njohim atë?
Pas një periudhe 10-14 ditore që virusi hyn në organizëm, fillon faza paraprirëse e fruthit. Kjo fazë manifestohet me temperaturë, anoreksi, gjendje të përgjithshme jo të mirë, dhimbje muskujsh, dhimbje koke, skuqje të syve dhe me simptoma respiratore, si kollë dhe shtim të sekrecioneve nazale.
Në fund të kësaj faze, e cila zgjat 1-4 ditë, shfaqen njollat Koplik, të evitentuara për herë të parë nga Koplik në vitin 1896, kryesisht në mukozën e gojës kundrejt dhëmbëve.
Këto njolla, zakonisht shfaqen 1 ditë ose më shumë përpara shfaqjes së rashit kutan dhe qëndrojnë për 2 ditë gjatë shfaqjes së tij, janë shenja patognomonike diagnostikuese për fruthin.
Njollat Koplik janë pika të vogla, të çrregullta, me ngjyrë të kuqe me qendër të bardhë në blu. Numri i tyre është i ndryshëm, nga disa, në një numër më të madh.
Rashi kutan shfaqet ditën e dytë ose të katërt të fazës prodromale dhe më rrallë deri në ditën e shtatë të kësaj faze.
Në fiilim ai shfaqet në pjesën pas veshëve ose në fytyrë e në qafë, si një eritemë, që më pas përhapet më poshtë në trung e në fund në ekstremitete. Duart dhe këmbët mund të mos preken nga rashi kutan.
Rreth ditës së dytë të shfaqjes së rashit temperatura bie dhe i sëmuri ndihet klinikisht më mirë. Në fillim këto puçrra janë si njolla të kuqe diskrete, të cilat zhduken nën presion.
Më pas këto lezione bëhen të ngritura mbi lëkurë dhe nuk zhduken nën presion. Tek adultët, rashi është me shtrirje më të gjerë, njollat kanë tendencë të bashkohen me njëra-tjetrën dhe me nuancë më të kuqe se tek fëmijët, sidomos në fytyrë.
Rashi kutan fillon të zbehet sipas shkallës së shfaqjes së tij, pasuar nga një deskuamim kutan. Faza e rashit kutan ka një kohëzgjatje 5 ditore, e pasuar më pas nga një fazë kovaleshence 1-2 javore, me predominim të një dobësie të përgjithshme të pacientit.
Gjatë fazës së temperaturës, kolla mund të jetë një nga shenjat e bronkitit. Këto manifestime mund të persistojnë dhe gjatë fazës së kovaleshencës dhe kolla të jetë simptoma e fundit që do të zhduket.
Rritja e gjëndrave limfatike mund të shoqërojë periudhën febrile të fruthit, por mund të persistojë dhe disa javë pas kalimit të sëmundjes.
Të përzierat dhe më rrallë të vjellat, mund të vërehen më shpesh tek adultët se tek fëmijët, të cilat shpesh janë të shoqëruara nga një rritje e lehtë e transaminazave (prekje e mëlçisë).
Kemi gjithashtu edhe rastet jo tipike të fruthit.
Fruthi shoqërohet me sëmundje që janë komplikime të tij si infeksioni i veshit të mesëm, laringiti, trakeiti, pneumonia, diarreja, prekja e sistemit nervor qendror, konjuktiviti (skuqja e syve) etj.
Si e ka ecurinë sëmundja?
Në përgjithësi fruthi është një infeksion me prognozë të mirë. Ai mund të ketë një ecuri të rëndë zakonisht në pacientët imunodepresë, duke patur një vdekshmëri të lartë në raste me shfaqjen e komplikacioneve të mushkërisë e të trurit.
Si trajtohet dhe parandalohet kjo sëmundje?
Fruthi nuk ka mjekim të drejtuar ndaj shkaktarit. Mjekimi i vetëm i fruthit është ai simptomatik, përmes përdorimit të përgatesave anti temperaturë dhe të likideve, sipas rëndesës së formave klinike.
Niveli i sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë nga fruthi ka ndryshuar rrënjësisht pas fillimit të aplikimit të vaksinës së fruthit. Vaksina e fruthit është futur në përdorim në vitin 1960 në SHBA.
Në periudhën para vitit 1960 në SHBA çdo vit infektoheshin rreth 500.000 persona nga fruthi, shifër e cila ka pësuar një rënie në masën 95% pas fillimit të vaksinimit.
Në Shqipëri, vaksinimi kundër fruthit ka nisur në vitin 1970.
Në kohët e sotme fruthi haset në popullatat e vendeve në zhvillim, si pasojë e mungesës së aplikimit të vaksinës, ndërsa në vendet e zhvilluara ai haset në persona ku pavarësisht vaksinimit, ai ka qenë jo efikas.
Dështimi i vaksinimit vjen si pasojë e inaktivizimit të vaksinës (mos ruajtje dhe transport jo i sigurtë i vaksinës) apo neutralizimi i vaksinës, nga antitrupat që fëmija merr nga nëna kur vaksinimi realizohet para moshës 12-mujore.
Imunoprofilaksia aktive realizohet përmes aplikimit të vaksinës me virus të dobësuar, si një vaksinë trevalente (fruth-parotid-rubeolë). Vaksina e fruthit nuk duhet aplikuar në personat në defiçite të imunitetit qelizor dhe në gratë shtatzëna.
Në fëmijët me AIDS, janë raportuar raste fatale me fruth, të shfaqura pas vaksinimit. Megjithë riskun potencial që mund të mbartë vaksinimi kundër fruthit, ai mund të jetë më i pakët krahasuar me atë që mund të shkaktojë një infeksion i mundshëm fruthi tek këta pacientë. Kjo është asyeja që vaksina rekomandohet për fëmijët me infeksion jo simptomatik nga HIV.