Presidenti i Republikës së Shqiopërisë, Ilir Meta, ka pritur sot Ekipin Olimpik Shqiptar, i cili do të përfaqësojë ngjyrat kuqezi në kompeticionin e radhës global. Përveç urimeve të rastit, kreu i shtetit shqiptar ka bërë edhe dorëzimin e flamurit tonë kombëtar për sportistët, të cilët duhet ta nderojnë atë me rezultate të larta sportive.
“Të dashur miq, sot pata privilegjin t’i dorëzoja flamurin kombëtar Ekipit Olimpik Shqiptar, që do të na përfaqësojë në “Lojërat Olimpike Rinore 2018”, në Argjentinë. Flamuri kuqezi, uroj të jetë energji dhe frymëzim i tyre, për ta ngritur sa më lart autoritetin e Shqipërisë në arenën sportive ndërkombëtare”, – njofton Zoti Meta përmes faqes së tij zyrtare në Facebook.
Presidenti Meta tha para sportistëve kuqezinj: “Dua t’ju shpreh sot mirënjohjen time për angazhimin serioz në përgatitjen e delegacionit sportiv për Lojërat Olimpike Rinore 2018, që do të zhvillohen nga 6 deri më 18 tetor në Buenos Aires të Argjentinës.
Me këtë rast dua t’iu shpreh fjalët më të mira, njëkohësisht edhe besimin për performancën tuaj të pritshme, që jo vetëm do t’ju rrisë ju si sportistë në këto sporte të bukura dhe të vështira, por urojmë që të ngrejë më lart autoritetin e vendit tonë në arenën sportive ndërkombëtare.
Gjithmonë kam ndjekur me interes aktivitetet tuaja sportive, në të cilat keni shfaqur vlerat e rëndësishme të shpirtit të garës, sidomos në këto ngjarje sportive elitare.
Me këtë rast ju uroj të jepni më të mirën, energjinë tuaj dhe aftësitë tuaja në garat ku do të garoni. Rezultati është njëra anë e suksesit tuaj, por kujtoni gjithmonë që sporti është një element i çmuar dhe i pazëvendësueshëm, që na ndihmon në rritjen e identitetit kombëtar, për të qenë sportistë të mirë dhe qytetarë të devotshëm.
Dua t’iu uroj juve dhe familjeve tuaja suksese në Lojërat Olimpike Rinore dhe njëkohësisht të gjitha institucioneve sportive në vend të japin kontributin e tyre, moral dhe material, për të krijuar një klimë të favorshme, për suksesin në pjesëmarrjen tuaj të rëndësishme”.
Duke marrë flamurin kuqezi, boksierja Elsidita Selaj, flamurmbajtëse e Shqipërisë në këtë turne, tha: “Ju falënderoj, Zoti President, për mikpritjen që na rezervuat! Dua të theksoj se është një nder i madh të mbaj flamurin kombëtar dhe së bashku me shokët e skuadrës të përfaqësojmë shtetin tonë në Lojërat Olimpike Rinore. Shpresoj të bëjmë një paraqitje sa më dinjitoze, të kthehemi me rezultate sa më të larta”!
Marrin pjesë 5 sportistë të rinj, Relaksa Dauti në Atletikë, Elsidita Selaj dhe Muhamet Qamili në Boks, Katie Rock në Not dhe Antonino Luli në Peshëngritje.