Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit u përball me kundërshtimin e banorëve të tensionuar, gjatë aksionit për prishjen e 9 objekteve të ndërtuara pa leje në zonën e Jalës.
Objektet janë kryesisht hotele një dhe dykatëshe, për të cilat banorët thonë se kishin ende pushues brenda në momentin e mbërritjes së inspektorëve.
Ndërsa IKMT sqaron se për këto objekte është bërë procesi i skualifikimit nga ana e institucionit të ALUIZNI-it duke u trajtuar si ndërtim i paligjshëm ndërsa njoftimi është bërë sipas ligjit.
Ndërkohë banorët shprehen se nuk janë njoftuar paraprakisht, madje thonë se objektet janë në pronën e tyre me ligjin 7501.
“Kam dokumentet e pronës, të cilën e kemi me ligjin 7501. Ne jemi në pronën tonë dhe nuk jemi futur absolutisht asnjë metër brenda kufirit. E vetmja arsye që po na i prishin ndërtimet është se ata pretendojnë se në jemi futur brenda territorit të SHPU në Jalë, Shtëpia e Pushimit të Ushtarakëve. Ne e vërtetojmë që nuk është kështu me dokumente. Për këtë kemi bërë edhe ankimim në Gjykatën e Vlorës. Ne jemi në proces gjyqësor dhe e kemi ankimuar brenda afateve kohore. Sot kanë ardhur pa njoftim paraprak dhe pa një vendim”, shprehet një prej pronarëve të ndërtimeve që janë parashikuar të prishen në Jalë.