Nuk ka pse të jemi të paduruar dhe të fillojmë më shpejt ushqimin me lugë tek foshnjat.
Nuk ka asnjë arsye bindëse që zverdhja e fëmijës (procesi kur një fëmijë që ushqehet me gji mësohet të ushqehet ndryshe) fillon para muajit të 5-të të lindjes, përderisa qoftë qumështi i nënës apo qoftë qumështi artificial janë në gjendje të kënaqin nevojat e fëmijës së vogël.
Përpara se të flasim më konkretisht për zvjerdhjen duhet të dallojmë 2 grupe latantësh:
– Ata që ushqehen me gji;
– Ata që ushqehen me qumësht artificial.
Siç kemi thënë shpesh, qumështi i nënës ka përbërje ushqimore ideale dhe prania e lëndëve bioaktive, përveç të tjerave, bën që të fuqizohen dhe të përshpejtohen proceset e maturimit të organeve dhe sistemeve të organizmit.
Kurse qumështi artificial, është në gjendje vetëm të respektojë fazat e zhvillimit, por jo t`i përshpejtojë për shkak të mungesës së këtyre lëndëve bioaktive.
Atëherë, nëqoftëse për fëmijën që ushqehet me gji, është e mundur që të fillohet zvjerdhja pas muajit të 5 të lindjes, do të ishte e pajustifikuar, madje e dëmshme fillimi i shtesave ushqimore të forta për fëmijën që ushqehet me qumësht artificial.
Kjo për faktin se mungojnë disa faktorë, të pranishëm vetëm në qumështin e nënës, që maturojnë mukozën e zorrëve.
Kur fillohen ushqimet shtesë, një zorrë të cilës i mungon kjo veçori bëhet e përshkueshme për proteinat me veti alergjizuese.
Përveç kësaj, veshka, siç kemi përmendur dhe më parë, nuk mund të tejkalojë kufijtë “e shpejtësisë”, sepse merr “superxhiro” dhe kur ushqyerja është me qumësht artificial ajo është me “shpejtësi maksimale”, për shkak të ngarkesës së lartë që i ofrohet veshkave nga qumështi artificial.
Kështu proteinat dhe kripërat e qullit të parë do ta mbingarkonin akoma më shumë veshkën.
Pak si shumë, hë?!
“Fatura” bëhet edhe më “e kripur”, nëse përdorim ujë mineral me përmbajtje të lartë kripërash për të përgatitur ushqimin.
Rreziqet e një zvjerdhjeje të parakohshme janë të shumta.
Edhe pse mund të mos kemi shfaqje të menjëhershme të vëzhgueshme prej nënës, zvjerdhja e parakohshme ka ndikime afatgjata mbi shëndetin e fëmijës.