MENU
klinika

Rreth 2550 euro për frymë

Shqiptarët, 938 miliardë lekë “para të thata”

08.09.2018 - 13:30

Pasuria financiare e shqiptarëve vlerësohet është rreth 938 miliardë lekë. Ky tregues llogaritet si diferenca mes mjeteve dhe detyrimeve të individëve në produkte dhe instrumente financiare.

Mbështetur në të dhënat e Bankës së Shqipërisë, individët zotëronin në fund të muajit korrik 951 miliardë lekë depozita në sistemin bankar. Këtyre iu shtohen edhe investimet në tituj financiarë, qoftë direkt apo nëpërmjet fondeve të investimit. Investimet e individëve në bono,  në mesin e këtij viti, kishin vlerën e afro 96 miliardë lekëve. Ndërkohë, kontributi i individëve në fondet e investimit vlerësohet në rreth 65 miliardë lekë, megjithëse për momentin statistikat nuk ofrojnë një ndarje mes kuotave të zotëruara nga individët dhe atyre që iu takojnë personave juridikë. Një investim tjetër, që ka nisur në vitet e fundit, është ai në obligacione të shoqërive tregtare. Megjithëse nuk ekzistojnë statistika të plota, vlera e obligacioneve të koporatave llogaritet në rreth 7 miliardë lekë, të mbajtura në pjesën më të madhe nga individë. Në total, asetet financiare të individëve arrijnë në rreth 1.1 trilionë lekë. Po të zbresin kredinë për individë në sistemin financiar,  që ka vlerën e 181 miliardë lekëve, shuma e ngelur prej 938 miliardë lekësh përbën atë që në nivel makroekonomik mund të quhet pasuria financiare e shqiptarëve.

E matur si pasuri për frymë, ajo do të rezultonte në rreth 323 mijë lekë apo afërsisht 2550 euro. Sidoqoftë, në realitet pasuria e shqiptarëve është mjaft e polarizuar dhe e pabarabartë. Sipas statistikave nga Agjencia e Sigurimit të Depozitave, vlerësohet se 4% e depozituesve në sistemin bankar zotërojnë 45% të totalit të depozitave bankare.

Pasuria është rritur afro 13% në pesë vjet

Në harkun e pesë viteve, pasuria financiare e shqiptarëve është rritur me rreth 104 miliardë lekë, ose 12.6%. Gjatë gjithë kësaj periudhe, individët e kanë rritur vlerën e kursimeve të tyre, të investuara në produkte financiare, me rreth 134 miliardë lekë. Paralelisht, edhe kredia për individë është rritur me 29 miliardë lekë, vlerë kjo ndjeshëm më e ulët në raport me pasurinë që familjet kanë krijuar dhe kanë investuar ndërkohë.  

Në fakt, rritja e pasurisë gjatë një periudhe kur ekonomia ka vuajtur ndjeshëm efektet e krizës është një zhvillim domethënës dhe, në teori, i papritur. Kjo mund të shpjegohet me një sërë hipotezash. Cikli rënës i ekonomisë kushtëzon edhe psikologjikisht sjelljen financiare të individëve. Kur pritshmëritë për të ardhmen janë pesimiste, ata kanë tendencën të kursejnë më shumë. Një burim që duhet mbajtur parasysh në krijimin e pasurisë janë edhe flukset hyrëse të parasë nga jashtë. Megjithëse me ritme të ngadalësuara, remitancat kanë vazhduar të kenë vlerë të konsiderueshme, duke mbështetur rritjen e kursimeve. Një faktor tjetër ka qenë fluksi në rritje i investimeve të huaja direkte, kryesisht falë disa projekteve madhore, si gazsjellësi Trans-Adriatik, apo hidrocentrali në kaskadën e lumit Devoll. Gjithashtu, një temë e debatueshme ka qenë të ardhurat e siguruara nga ekonomia kriminale. Rritja e kultivimit të kanabisit, sidomos në në vitet 2015 dhe 2016, besohet të ketë siguruar të ardhura të konsiderueshme, ndonëse pesha e vërtetë e të ardhurave nga aktivitetet e jashtëligjshme është e pamundur për t’u kuantifikuar. Të gjithë këta faktorë kanë sjellë rritje të pasurisë së shqiptarëve, megjithë ritmet e ulëta të rritjes ekonomike. Nga ana tjetër, kriza ka sjellë edhe një shtrëngim të ndjeshëm të kreditimit, pavarësisht se te individët ky shtrëngim ka qenë më pak drastik se te bizneset. Sidoqoftë, rritja e ngadaltë e kreditimit gjithashtu ka kontribuar që, në terma neto, pasuria e individëve të rritet.

 

Rënia e interesave nuk ka ulur kursimet

Zbehja e rritjes ekonomike dhe e presioneve për rritjen e çmimeve e kanë bërë më stimulus se kurrë kursin e politikës monetare. Prej shtatë vitesh, norma bazë e interesit është ulur vazhdimisht, deri në nivelin aktual prej 1%, më i ulëti i regjistruar ndonjëherë. Një politikë monetare lehtësuese synon të nxisë konsumin dhe investimet, përmes uljes së çmimit të parasë. Kjo ulje, nga ana tjetër, duhet t’i bëjë agjentët ekonomikë më pak të prirur për të kursyer. Politika monetare është reflektuar dukshëm në interesat e tregjeve financiare, si depozitat bankare, ashtu edhe te titujt e qeverisë shqiptare. Në mesin e vitit 2013, norma mesatare e interesit të depozitave me afat ishte 3.8%. Pas pesë vjetësh, interesi mesatar i depozitave ka zbritur në 0.9%. Për euron, interesat e depozitave kanë rënë edhe më shumë, në 0.1%, nga 1.8% që ishin pesë vjet më parë. Rënia e interesave është e dukshme edhe për letrat e borxhit të qeverisë. Në mesin e vitit 2013, yield mesatar i ponderuar i titujve qeveritarë ishte mbi 7%, ndërsa në qershor të këtij viti zbriti në rreth 4%.

Pavarësisht se kthimi nga investimet në instrumente financiare ka rënë, kjo nuk e ka dekurajuar rritjen e investimeve të individëve në këto instrumente. Kjo lidhet pjesërisht edhe me zhvillimin modest të tregut financiar dhe mungesën e alternativave të tjera të investimit. Por, mbi të gjitha, shqiptarët mbeten kryesisht të orientuar drejt investimeve me rrezik të ulët, duke preferuar në çdo rast një kthim të vogël, por të sigurt.