MENU
klinika

Euro 2018, nuk bëri dot pasaportën

Talentja që la Amerikën për Shqipërinë

02.09.2018 - 12:45

Nuk e kishte menduar se do të ishte kaq e vështirë, por ja që Shqipëria ka burokracitë e veta. Adelina Berisha, volejbollistja shqiptare, me ftesë të Federatës Shqiptare të Volejbollit, ka ardhur nga Amerika për të përfaqësuar ekipin kombëtar në Kampionatin Europian U-19, që po zhvillohet në vendin tonë.

Por pavarësisht cilësive të saj dhe stërvitjes intensive që ajo bëri bashkë me grupin e vajzave, pati një problem: Nuk u pajis dot me pasaportën shqiptare. Gjithçka është bërë konform rregullave, por koha ishtë e pamjaftueshme.

adelina berisha 4
adelina berisha 4

Konica.al: Isa, përse vendosët të sillnit vajzën tuaj nga Amerika për të luajtur me kombëtaren e Shqipërisë U-19 në volejboll?

Isa Berisha: Vajza ime u ftua për të luajtur me ekipin kombëtar. Që në momentin kur u telefonuam ne e pranuam këtë propozim, pasi është nder për ne, po ashtu jemi shumë të lumtur edhe në aspektin patriotik.

Konica.al: Ju jeni ndeshur me disa probleme për sa i përket marrjes së shtetësisë shqiptare, gjë e cila do të lejonte Adelinën të luaj me kombëtaren e vajzave në volejboll. Cfarë mund të na thoni për këtë situatë dhe mendoni se do të marrë zgjidhje?

Isa Berisha: Patëm disa probleme për sa i përket plotësimit të dokumetacionit. Shpresuam fort të kishte përparim në këtë pikë për të ecur përpara në marrjen e nënshtetësisë.

Konica.al: Sa kohë keni në Shqipëri që keni ardhur bashkë me vajzën?

Isa Berisha: Ne kemi më shumë se katër javë që jemi në Shqipëri. Por unë vetë kam ardhur në Shqipëri disa herë që prej muajit maj për të plotësuar të gjithë dokumentacionin, në mënyrë që Adelinës t’i jepej mundësia për të luajtur.

adelina berisha 3
adelina berisha 3

Konica.al: Cila ishte arsyeja që nuk morët dot pasaportën shqiptare?

Isa Berisha: Vajza ime amerikano-shqiptare, është 14 vjeçe, e vlerësuar nga trajnerët shqiptarë si një yll në rritje në volejboll. Por kjo mundësi u devijua nga veprimet burokratike me të cilat u ndeshëm në marrjen e nënshtetësisë shqiptare. Adelina që prej katër javësh iu bashkua ekipit kombëtar duke u trajnuar. Por premtimet asnjëherë nuk u mbajtën.

Procedurat për nënshtetësi shqiptare nisën menjëherë pasi Federata shqiptare e volejbollit dha miratimin që Adelina të ishte pjesë e grupit kuqezi, pasi aftësitë dhe talenti i saj ishin shumë të mira.

adelina berisha 1
adelina berisha 1

“Konica.al” ka mësuar se pengesa kryesore fillimisht ishte marrja e nënshtetësisë për babain fillimisht e më pas për Adelinën. Shkaku kryesor është bërë vonesa e mbërritjes nga Italia e një certifikate lindje për babain e volejbollistes.

Si pasojë, Ministria e Brendshme e kishte të pamundur të plotësonte dosjen e nevojshme për nënshtetësinë, e cila do t’i dërgohej presidentit për lëshimin e dekretit të nënshtetësisë.

adelina berisha 8
adelina berisha 8

“Konica.al” ka kontaktuar edhe me presidentin e Federatës Shqiptare të Volejbollit, Erli Pëllumbi, i cili ka sqaruar çështjen e Adelina Berishës:

“Duke qenë minorene, ajo mund ta përfitojë nënshtetësinë vetëm nëpërmjet prindërve, të cilët kanë filluar procedurën normale të marrjes së nënshtetësisë.

Në momentin që ajo do të jetë shtetase shqiptare, pse jo, mund të jetë edhe pjesë e ekipit kombëtar. Për Kampionatin Europian nuk bëhet fjalë, pasi është një çështje që u takon organeve të tjera dhe jo FSHV-së.

Ajo është një vajzë shumë e talentuar, e cila në perspektivë do të jetë pjesë e ekipit tonë kombëtar. Ajo është shumë e re dhe e ardhmja flet për Adelinën.”

adelina berisha 6
adelina berisha 6

Adelina është e kënaqur me ambientin, me stërvitjen që bëhet dhe përkrahjen që i kanë dhënë vajzat kuqezi. Ajo është përshtatur shpejt dhe tani shpreson që në aktivitetet e radhës të jetë pjesë e grupit kuqezi.

Konica.al: Adelina, përse vendosët të linit Amerikën për t’ju bashkuar ekipit kombëtar të Shqipërisë?

Adelina Berisha: Unë vendosa të vij këtu, pasi origjina ime është shqiptare dhe nuk kisha mundur të vija më parë. Ishte një arsye e mirë për të ardhur. Kam qenë shumë e interesuar të luaja për këtë ekip, pasi asnjëherë nuk kam luajtur në nivel ndërkombëtar.

Është një gjë diçka fantastike që jam këtu që të luaj me këtë ekip dhe me këto vajza fantastike. Kam patur edhe oferta të tjera për të luajtur në Amerikë, por unë zgjodha të vij e të jem pjesë e ekipit të Shqipërisë, pasi siç e thashë, origjina ime është shqiptare dhe kjo për mua është një eksperiencë fantastike.

adelina berisha 2
adelina berisha 2

Konica.al: Çfarë do të thotë të vishesh kuqezi?

Adelina Berisha: Padiskutim që ka një kuptim shumë të madh për mua. Është mundësi e artë për mua, pasi kjo mundësi nuk u jepet shumë vajzave si unë.

Konica.al: Si ju është dukur deri më tani stërvitja dhe të qenurit pjesë e këtij ekipi?

Adelina Berisha: Nuk gjej fjalë ta përshkuaj. Është diçka e mrekullueshme. Faza e tranzicionit nga Amerika në Shqipëri ka qenë e lehtë dhe jam e lumtur për këtë.

Konica.al: Keni një apel për autoriteret shqiptare që po merren me çështjen tuaj?

Adelina Berisha: Jam shumë e lumtur që ata më ftuan të vij e të luaj për Shqipërinë dhe të stërvitem me ekipin. Do të jetë diçka fantastike plotësimi dokumentacionit dhe marrja e nënshtetësisë, gjë e cila do të më japë mundësinë të luaj në të ardhmen.

adelina berisha 7
adelina berisha 7

Edhe trajneri i ekipit kombëtar Roland Tarja është i kënaqur me Adelinën dhe shpreson që ta ketë gati në të ardhmen, pasi është shumë e talentuar.

 “Adelinën na e ka sugjeruar mikesha jonë Kristina Nikolli, që është pjesë e stafit të Kombëtares. Adelina është një vajzë e re 14 vjeçare, vajzë mjaft e talentuar. E shohim Adelinën si një vajzë e së ardhmes së volejbollit dhe kombëtaren tonë.

Kemi filluar procedurat për ta pajisur me pasaportë shqiptare. Kemi hasur disa vështirësi, për arsye të procedurave dhe shpresojmë të marrim përgjigje pozitive.” – u shpreh Roland Tarja.

adelina berisha 10
adelina berisha 10

Kampionati Europian i Volejbollit të Femrave U-19 po zhvillohet për herë të parë në Shqipëri, nga data 1 deri më 9 shtator, teksa ndeshjet do të zhvillohen në Tiranë dhe Durrës.

Fatkeqësisht, pjesë e kombëtares shqiptare nuk mundi dot të jetë Adelina Berisha, pasi regjistrimet e skuadrave u bënë më 30 gusht. Megjithatë, ajo është 14 vjece, Shqipëria shpejt do të ketë yllin e volejbollit në garat ndërkombëtare.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN