MENU
klinika

Fidem, ekspozita e parë e artistit

Të besosh si Greg Rama!

13.09.2018 - 14:17

Rrugëtimi i artistit për të komunikuar me publikun, është proçes gjithnjë i vështirë. Për Greg Ramën kjo ishte hera e parë! Ai erdhi në Galerinë Fab me “Fidem”, ekspozita e parë personale duke na folur me gjuhën e tij të artit.

Shumë prej nesh mbase mbiemrin e lidhin me imazhin bazik të trugut familjar dhe jehonën e kësaj të fundit, por vlen të theksohet se Rama është një prej artistëve të rinj më të mirë bashkëkohor i cili shkon tej realitetit të kohës duke kapërcyer ndoshta diçka që askush nuk shquan më.
Të menduarit dhe besuarit!

Vladimir Murtezaj ish profesori dhe kuratori i kësaj ekspozite, u shpreh se për të sjellë një vepër arti të këtillë dhe rënë dakord ndonjëherë është e vështirë por kjo bën që rezultati final të jetë i bukur . ” Marrëdhënia mes nesh, u shpreh ai, siç është marrëdhënia mes një artisti dhe kuratori apo dy artistësh nuk ka qenë aq e thjeshtë pasi Greg ka qenë dhe studenti im. Përgjegjësia që ai ka marrë ka brenda të gjithë parametrat e inteligjencës dhe talentit, ndaj ajo ofron një dialog të ri për publikun shqiptar.”

Ndërsa vetë Rama u shpreh se artisti është krijuesi i gjërave supreme dhe se kritiku është ai që mund të përkthejë në një tjetër mënyrë ose material përshtypjen që shkaktojnë te ai gjërat e bukura dhe se mënyra autobiografike është forma më e lartë e kritikës, por edhe forma më e ulët.

” Ata që hedhin shpjegime për gjërat e bukura , citoi ai, janë të korruptuar pa qenë dot tërheqës për askënd. Ky është një gabim i madh, por shpresën nuk duhet ta humbasim. Ndërsa për ata që gjërat e bukura nuk nënkuptojnë gjë tjetër veçse bukurisë, i bën të përzgjedhur. Nuk ekziston një vepër arti morale apo imorale. Një vepër arti është e realizuar mirë ose jo.”

Kështu kjo linjë të menduari e Greg Ramës rindërton mjedisin brenda veçorive të mendimit dhe komunikimit. Ndërthurrje e vështirë për të përçuar atë që ai e quan Fidem- Besim. Mediumi që ka zgjedhur është instalacion dhe duket se ia ka dalë fort mirë mbarë. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më datën 30-të shtator.

Ilnisa Agolli