Franca sinjalizoi se gara hapësinore e shekullit 21 po kalon në një fazë të re, potencialisht më të rrezikshme, me një program të paprecedent investimesh.
Zyrtarët në Paris dyshuan se Rusia po përpiqej të dërgonte mesazhe të fshehta kur fluturoi pranë një sateliti evropian 22,000 milje (36,000 kilometra) mbi Tokë vitin e kaluar, tha ministri i mbrojtjes Florence Parly.
Ndërkohë që shuma e parave që Franca dhe aleatët e saj evropianë po shpenzojnë për të përmirësuar satelitët dhe teknologjinë e hapësirës janë të pakta në krahasim me shpenzimet nga SHBA dhe Kina, ndryshimi tregon shqetësim gjithnjë në rritje.
“Kjo lloj sjellje po mbjell farat e konflikteve të së nesërmes” tha Parly të premten në një fjalim në selinë qendrore të Agjencisë Kombëtare të Hapësirës Franceze në Toulouse.
Franca dëshiron të ketë aftësi të pavarura hapësinore për shkak të kërcënimeve të reja ushtarake të ardhura nga Kina, Rusia dhe tensionet me Shtetet e Bashkuara që kanë qenë për një kohë të gjatë garantuesi tradicional i sigurisë evropiane.
Qeveria do të urdhërojë një sërë satelitësh të rinj të sigurojnë mbikëqyrje dhe komunikim me ushtrinë dhe shërbimet e inteligjencës dhe gjithashtu kërkon të rrisë fuqinë teknologjike të prodhuesve të saj duke përfshirë Thales dhe Airbus.
BE ka në plan të shpenzojë 16 miliardë euro (20 miliardë dollarë) nga buxheti i saj 2021-2027 për hapësirën, ku më së shumti do të shkojnë në sistemin civil të navigacionit satelitor Galileo.
Franca ka në plan të shpenzojë 2 miliardë euro vitin e ardhshëm, tha një zyrtar. Zyrtarët në Paris po kërkojnë gjithashtu të punojnë me Gjermaninë për të nxitur kompanitë të investojnë në projekte novatore.
Në mars, presidenti i SHBA, Donald Trump tha se donte të krijonte një “Forcë Hapësinore” amerikane. Ai dëshiron që Kongresi të shpenzojë 8 miliardë dollarë gjatë pesë viteve të ardhshme për sistemet e sigurisë hapësinore.
Përkundër një traktati ndërkombëtar të nënshkruar në vitin 1967 që ndalon vendosjen e armëve të shkatërrimit në masë, në hapësirë ose në hënë, marrëveshja nuk pengon përdorimin e armëve konvencionale.
Rikthimi i idesë së SHBA për të krijuar një forcë hapësinore vjen pasi Sekretari i Pentagonit Jim Mattis fillimisht e refuzoi këtë ide. Por iniciativa u rikthye përsëri muajin e kaluar.
Qielli është i mbushur me satelitë spiunë të SHBA dhe platforma të tjera që kryejnë mbikëqyrjen e qeverisë, parashikimin e motit dhe aktivitete të tjera.
Në shkurt, shërbimet e inteligjencës amerikane paralajmëruan se Rusia dhe Kina së shpejti do të kishin armë shkatërruese hapësinore. Sipas tyre, të dy vendet kishin nisur “satelitë eksperimentale” të dizajnuar për të luftuar kundërshtarët në Rusi.
Ushtria franceze iu dha një mundësi për të parë se si konkurrenca për kontrollin e hapësirës funksiononte vitin e kaluar.
” Ne e dimë për një fakt që fuqitë e tjera të mëdha hapësinore po vënë disa objekte intriguese në orbitë për të kryer veprime që nuk lënë shumë dyshime për motivet e tyre agresive” tha Parly. “Rreziqet janë të larta dhe kjo është një përparësi absolute” – u shpreh Ministri francez i Mbrojtjes.