Natë e pafat për Bonon. Këngëtarit të “U2” i iku papritur zëri gjatë një koncerti në Berlin, pas disa këngëve të natës së dytë në kryeqytetin gjerman: “Na vjen shumë keq, por jemi të detyruar të anulojmë koncertin”, – komunikoi grupi në faqen e tyre.
“Bono ishte në formë perfekte dhe mezi prisnin të niste koncerti “live”, por pas disa këngëve i iku papritur zëri. Nuk e dimë çfarë ndodhi dhe presim përgjigjen e mjekut”.
Koncerti i 1 shtatorit ishte nata e dytë dhe e fundit e grupit në Berlin, pjesë e turneut “Experience + Innocence”.
Pas disa këngëve, Bono nuk nxirrte dot zë dhe në fund njoftoi: “E vlerësojmë mirëkuptimin e publikut dhe mbështetjen e të gjithë fansave gjermanë në Berlin. Në videon e publikuar nga grupi në “Facebook”, dëgjohen fansat që përfundojnë këngën e nisur nga Bono, në momentin e vështirë për të në skenë.