MENU
klinika

Marrëveshja Kosovë-Serbi

‘Pa SHBA, Gjermani dhe Rusi nuk ka marrëveshje’

11.09.2018 - 10:53

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç, është takuar me senatorin amerikan Ron Johnson.

Në këtë takim u fol për marrëveshjen Kosovë-Serbi si dhe për kontributin e dhënë nga SHBA në arritjen e kësaj marrëveshjeje.

Dua të falënderoj presidentin Trump, zëvendëspresidentin Pens si dhe Senatorin Johnson, i cili dëshiron t’i dëgjojë pikëpamjet e Serbisë dhe Beogradit. Ne jo gjithmonë ndajmë të njëjtat pikëpamje, mirëpo sërish po diskutojmë për këtë çështje ”, ka thënë Vuçiç në një konferencë për media.

Aleksandar Vuçiç së bashku me senatorin Johnson ranë dakord që të ketë më shumë ndërhyrje dhe ndihmesë nga Fuqitë e Mëdha përsa i përket çështjes së zgjidhjes së problemit me Kosovën.

Pika kryesore e takimit, kishte të bënte me marrëveshjen përfundimtare Kosovë-Serbi.

Për këtë gjë presidenti serb Vuçiç u shpreh se nuk ka marrëveshje me Kosovën pa SHBA-të, Gjermaninë dhe Rusinë të përfshirë si palë .

Nuk mendoj që do të ketë një marrëveshje pa SHBA-të, Gjermaninë apo Rusinë. Çdo marrëveshje është e vështirë, gati e paarritshme, por duhet të investojmë gjithçka për të. Mendoj që edhe Fuqitë e Mëdha duhet ta stimulojnë këtë dialog”, ka shtuar presidenti Vuçiç.

Vuçiç tha se Rusia ka qenë gjithmonë në anën e Serbisë, ashtu siç kanë qenë SHBA-të dhe Gjermania në anën e Kosovës kur është shpallur pavarësia dhe sipas tij kjo është një arsye që të arrihet një marrëveshje e kënaqshme për të gjitha palët.