Numri i shqiptarëve që kontribuojnë për një pension privat arriti në 23,500 në mesin e këtij viti. Që nga fillimi i vitit, numri i kontribuesve është shtuar me rreth 2500 individë ose 12.2%.
Shtimi i anëtarëve në skemat private të pensioneve është nxitur edhe nga cikli i normave të ulëta interesit në ekonomi. Duke qenë se depozitat bankare ofrojnë kthime të ulëta, shumë individë kanë vlerësuar si një alternativë interesante investimin e kursimeve në një pension privat.
Rritja e kontribuesve në fondet e pensioneve private është e rëndësishme në afatin e gjatë, për të ulur presionin mbi skemën publike të pensioneve dhe varësinë ndaj saj në të ardhmen. Investimi në një pension privat nxitet edhe me disa stimuj fiskalë, duke ofruar një zbritje të pjesshme nga taksat. Sipas ligjit, këto kontribute përjashtohen nga tatimi mbi të ardhurat personale deri në masën e 15% të të ardhurave vjetore bruto, por jo më shumë se 200 mijë lekë në vit.
Në volume, tregu ende ngelet në përmasa modeste, por me rritje të qëndrueshme nga viti në vit. Totali i aktiveve të fondeve të pensioneve në mesin e këtij viti arriti në mbi dy miliardë lekë, me një rritje me më shumë se 16% që nga fundi i vitit 2017. Në Shqipëri veprojnë tre fonde të pensioneve private, Raiffeisen Pensions, Sigal Pensions dhe Credins Pensions.
Credins Pensions ka arritur në afro 14 mijë kontribues dhe mban mbi 59% të tregut, sipas numrit të anëtarëve. Për nga totali i aktiveve, kompania më e madhe është Sigal Pensions, me afro 49% të tregut.