Gjakmarrja mbetet një plagë ende e pashëruar për shoqërinë shqiptare, megjithë punën e bërë ndër vite për ta eleminuar këtë fenomen.
Në 25 vitet e punës, misioni i pajtimit mbarëkombëtar ka kryer ndërmjetësime të shumta, por ende edhe sot megjithë hapat e bërë përpara nga Shqipëria, kryetari Gjin Marku i qëndron bindjes se sistemi i drejtësisë nuk ka funksionuar në zgjidhjen e konflikteve në shoqërinë tonë.
Për këtë ai i referohet edhe shifrave, kur thotë se në 600 mijë vendime të gjykatave shtetërore palët kanë shkuar në hasmëri e gjakmarrje duke sjellë pasoja tragjike me vrasjen e rreth 4000 personave.
“Nga 600 mijë dosje, proçese qe kishin gjykatat në këto vite, nuk kemi mund të gjejmë stabilitetin mes palëve të përfshira.
Jo vetem që nuk është arritur paqja dhe marrëveshja mes familjeve në fjalë por përkundrazi është thelluar kriza. Pra, pas vendimeve të gjykatave, gjakrat mes palëve janë tensionuar duke arritur edhe ne krime dhe vrasje.
Sistemi i drejtësisë dhe shteti i së drejtes, nuk ka funksionuar në vendin tonë por në disa raste vetem sa ka perkeqësuar përplasjet”
Marku beson se reforma në drejtësi do të jetë një ndihmesë për këtë çeshtje, me qëllim që Shqipëria të mbyllë kapitullin e gjatë të sagës gjakmarrje, që ende vijon të marrë jetë njerëzish e të ngujojë familje.
“Me thellimin e reformes në drejtësi, zë një vend të rendësishem grupi i gjykatave kanunore ose të pleqësive. Pasi ato janë jo vetem një angazhim i drejtëpërdrejtë i zgjidhjes sa më drejtë të çeshtjeve por edhe ndalimin e korrupsionit”
Ai tregon se e kundërta ka ndodhur kur në çeshtje gjakmarrjesh, ne mes janë futur pleqt, që sipas zakoneve kanunore kanë tentuar të shuajnë gjakrat.
“Unë di të them se nga viti 1990 që jemi krijuar e deri më sot, në të gjitha rastet ku kanë ndërhyrë pleqt është arritur një marrëveshje mes familjeve në gjak.
Pra ne kemi gjetur gjuhën e përbashkët, kemi bërë të mundur lehtësimin e kushteve. Nuk mund të them se kemi arritur faljen e gjakut gjithmonë por kemi shmangur përkeqësimin e gjëndjes dhe vrasjet.
E kundërta është me gjykatat, ku nga vendimet e tyre ka patur aq shumë pakënaqësi sa janë regjistruar 4000 të vrarë”.
Duke parë këtë situatë tashmë Komiteti i Pajtimit i ka bërë të gjitha institucioneve dhe krerëve më të lartë të shtetit një shkresë zyrtare duke i propozuar që në proçesin e reformës në drejtësi, gjatë ngritjes së strukturave që do vënë në zbatim këtë reformë, të përfshihen edhe misionarët e pajtimit duke parë suksesin e tyre në pajtimin dhe shuarjen e konflikteve në shumë familje shqiptare.
Vetem në Shkodër, numerohen dhjetra familje të ngujuara nga gjakmarrja ndërsa këtë vit, ka patur edhe fëmijë të cilët nuk kanë ndjekur mësimin për shkak të ngujimit.
“4 fëmijë në Shkodër dhe malësitë e saj nuk mund të frekuentojnë më shkollën për shkak të gjakmarrjes. Ne tentuam të negociojmë më familjet por ishte e pamundur.
Për 3 prej tyre japim mësim në shtëpi ndersa për të katërtin, jo pasi jeton shumë larg Shkodrës.
Në zonat e Pukës apo Tropojës, ka edhe të tjerë fëmijë që nuk frekuentojnë shkollën nga frika” tregon misionari i Paqes, Nikollë Shullani.
I dhimbshëm është fakti se vetëm në Shkodër 17 familje janë të ngujuara. Pas Shkodrës qarku i dytë më i prekur është Lezha.
K.Zh