Në Shqipëri është në fuqi një moratorium 10-vjeçar për prerjen e pyjeve. Kjo ka sjellë rënie të ofertës së lëndës drusore në vend dhe vartësi të plotë nga importi. Kjo situatë, nga ana tjetër, ka nxitur edhe forma të reja investimesh: investime në pyje dhe, në veçanti, në drurin e paulownia-s, duke qenë se rritja e tij është 10 herë më e shpejtë se drurët e tjerë.
Pra, nëse një bimë tjetër derisa të arrijë në konsum, i duhet një periudhë prej 40 vitesh, paulownia e redukton kohën në vetëm tetë vjet. Mbjellja e kësaj bime në Shqipëri ka filluar në vitet 2015-2016 dhe vazhdon. Deri tani, llogaritet se janë mbjellë 100 mijë fidanë në mbarë vendin.
Përsa i përket kostos, në 1 hektar llogaritet që shpenzimet të shkojnë në 5 mijë euro për blerjen e fidanëve dhe shpenzimet për 2 vitet e para. Ekspertët shprehen se fitimet që mund të sjellë investimi në 1 hektar pyll me paulownia, shifrat janë marramendëse.
Llogaritet që nga një hektar në 8 vite, fitimi prej drurit të paulownias të jetë nga 90 mijë -120 mijë euro. i vetmi rrezik që shfaqet në investimin e drurit të paulownias është kur kjo bimë mbillet pa një studim toke.
Aktualisht, kultivimi i kësaj peme në Shqipëri nuk subvencionohet e kërkesa e fermerëve që kultivojnë këtë bimë është për të mbështetur edhe financiarisht këtë aktivitet. Kjo lëvizje jo vetëm që shton kontrollin mbi skemat ekzistuese investuese, por edhe shkon në përputhje me zhvillimin ekonomik dhe mjedisin.
Rritja 10 herë më e shpejtë se drurët e tjerë, në raport me mjedisin, përmirëson 10 herë më shumë ajrin, duke çliruar oksigjen dhe duke thithur dioksid karboni. Bima mbron tokën nga erozioni, duke qenë që rrënjët e saj arrijnë në 10 metra thellësi; për kushtet e terrenit ku vendi ynë bën pjesë, kodrinor-malor është një dru, nuk kërkon shumë ujë.
Potenciali i investimit në pyje në Shqipëri, edhe pse është me objektiv afatgjatë, mund të thuhet se është një investim fitimprurës. Tregu brenda vendit ka kërkesë të lartë për lëndë drusore, kryesisht nga konsumatori familjar pasi druri vijon të jetë një nga burimet e rëndësishme të energjisë.
Vitet e fundit, po njeh përdorim të gjerë investimi në godina banimi që kanë sistem ngrohjeje qendrore që përdorin pelet druri. Brenda vendit ka një potencial të madh për zhvillimin e industrisë së përpunimit të drurit, çka nënkupton se kërkesa në tregun e brendshëm do të vijojë të mbetet e lartë, ashtu sikurse edhe në tregun jashtë.