MENU
klinika

Prof. Edvin Prifti

Çfarë është sëmundja e arterieve koronare?

20.10.2018 - 18:08

Prof. Edvin Prifti
Shef i Shërbimit të Kardiologjisë në QSUT

Megjithëse mund të ekzistojnë diferenca anatomike, përsëri, shumica e njerëzve kanë dy arterie koronare kryesore të cilat e marrin origjinën e atyre nga aorta: arteria koronare e djathtë dhe arteria koronare kryesore e majtë. Kjo e fundit është shumë shkurtër, dhe zakonisht ndahet në dy degë kryesore — arteria e majtë e përparme dhe arteria e majtë cirkumflekse.Kur mjekët flasin për arteriet koronare, ata normalisht i referohen këtyre tre arterieve: arteries koronare të djathtë, arteries koronare të majtë të përparme dhe arteries koronare të majtë cirkumflekse (rrethore). Shumë prej pacientëve të mi gjithmonë më bëjnë pyetjen, se si ka mundësi të kenë nevojë për katër ose pesë bypase kur ekzistojnë vetëm tre arterie koronare kryesore.

Arteriet koronare duhen përfytyruar sikurse edhe degët e një peme. Trungu kryesorë ndahet në degët kryesore, të cilat më vonë ndahen në degë të tjera më të vogla dhe kështu me radhë deri sa bëhen aq të vogla sa nuk mund të shihen dot me sy të lirë.

Çdo njëra prej këtyre degëve mund të ketë bllokime, dhe kjo nënkupton, që në varësi nga madhësia e enës koronare (nëse mund të jetë aq e madhe sa mund të implantohet një bypas në të) çdo njëra prej tyre mund të jetë kandidate për të realizuar një bypass aorto-koronarë duke bërë që edhe tetë ose nëntë bypase në raste tepër të veçanta mund të jenë të nevojshëm.

Çfarë e shkakton sëmundjen e arterieve koronare?

Shkaku kryesor i sëmundjes së arterieve koronare është ateroskleroza. Në këtë sëmundje, pllaka yndyre depozitohen në muret e arterieve. Këto pllaka fillimisht janë të buta duke patur konsistencën e një djathi të shkrirë. Në fakt fjala aterosklerozë vjen nga greqishtja, “athero” që do të thotë ‘qull’, dhe “sclerosis” që nënkupton forcimin.

Duke vazhduar depozitimi i yndyrave, pllaka aterosklerotike bëhet edhe më e madhe dhe dëmton murin e arteries koronare. Më pas kjo infiltrohet nga kalciumi, i cili e forcon materialin aterosklerotik. Në një moment të këtij evolucioni, arteriet bëhen të forta dhe të kalcifikuara, gjithashtu pllaka gradualisht fillon të ngushtojë lumenin e arteries koronare deri në atë pikë sa gjaku ka vështirësi të kalojë nëpër të.

Simptomat e sëmundjes së arterieve koronare

Kur zemra nuk merr oksigjenin e duhur, pjesë të caktuara të saj mund të vuajnë nga iskemia, e cila rezulton në dhembje gjoksi që quhen ndryshe edhe angina pektoris. Kjo dhembje normalisht përshkruhet si shtypje që lokalizohet pas kockës se përparme të kraharorit që quhet sternum.

Mund të përshkruhet edhe si një fasho e cila mbështjell gjoksin e lidhur fort pas tij. Disa pacientë të tjerë e përshkruajnë si një peshë shumë të rëndë të vendosur në kraharorin e tyre.

Kjo mund të jetë një dhembje e cila shkon nga gjoksi në drejtim të qafës, ose në drejtim të krahëve, kryesisht në drejtim të krahut të majtë, duke u paraqitur në disa raste edhe si mpirje e tij.

Ndonjëherë mund të manifestohet si një shqetësim i pjesës së sipërme të barkut duke u ngatërruar me dhembje të stomakut apo të fshikëzës së tëmthit.
Dhembja e gjoksit nuk shoqërohet gjithmonë me sëmundjen aterosklerotike të arterieve koronare dhe në këtë rast quhet angina ekuivalente. Kjo mund të jetë një formë e vështirësisë në frymëmarrje ose simptoma të tjera, të cilat pas testimeve përkatëse, identifikohen që janë shkaktuar nga mungesa e oksigjenimit të muskulit të zemrës.

Pacientët diabetikë, veçanërisht ata të cilët kanë marrë insulinë prej shumë kohësh, shpesh, edhe pse kanë sëmundje të arterieve koronare dhe bllokime domethënëse në to, nuk paraqesin anginë. Në të tilla raste quhet neuropatia diabetike, ose sëmundje e lidhur me sistemin nervor, e cila shkakton një ulje të ndjeshmërisë te këta pacientë në krahasim me njerëzit e tjerë.

Kjo është një gjendje është veçanërisht e rrezikshme. Pacientët të cilët kanë defektoz sistemin e alarmit të anginës, pra nuk kanë dhembje edhe ndërkohë që janë duke kaluar infarktin e miokardit (pamundësia e furnizimit mjaftueshëm me gjak arterial), mund të jenë duke luajtur tenis ose të jenë duke ushtruar aktivitete të tjera fizike, duke mos dhënë asnjë shenjë që zemra është duke vuajtura mungesën e oksigjenit.

Ata mund të kenë një atak kardiak në këto kushte pa dhembje në gjoks.

Angina, ka një funksion pozitiv, pasi pacienti në momentin e dhembjeve në gjoks, ndalon çdo gjë që mund të jetë duke bërë dhe në këtë mënyrë pushon.
Kur materiali aterosklerotik rrit përmasat e tij në pllakën e murit të arteries koronare, kjo mund të shkaktojë bllokim të kësaj arterie dhe muskuli kardiak të vuajë për mungesën e oksigjenit dhe të ushqimeve të nevojshme.

Ataku kardiak nuk ndodh vetëm kur pllaka bllokon në mënyrë totale kalimin e gjakut në arterien koronare, por ndodh edhe kur vetë arteria koronare çahet. Kur një fenomen i tillë ndodh, trombocitet, të cilat kanë si funksion krijimin e koagulave të gjakut, atakohen në rresht në sipërfaqen e brendshme të murit të arteries koronare të dëmtuar.

Kjo e bllokon edhe më shumë arterien koronare duke shkaktuar atakun kardiak. Edhe një grumbullim i përkohshëm i trombociteve mund të shkaktojë një atak kardiak.

Arteriet koronare mund të kenë edhe spazma dhe vetë ky fenomen mund t’i bllokojë. Mendohet që ky fenomen të jetë gjenetik, për shkak se vetëm disa persona mund të kenë arterie koronare të tilla që të bëjnë spazmë dhe të tjerë jo dhe kryesisht kjo transmetohet nga prindërit.

Në rast se ndodh një fenomen i tillë, atëherë kalimi i gjakut nëpër këto arterie është i kompromentuar në mënyrë serioze dhe kjo mund të shkaktojë anginë ose atak kardiak.