Bizneset shqiptare po interesohen gjithmonë e më shumë për alternativat që u ofron shfrytëzimi i energjisë diellore në uljen e kostove. Enti Rregullator i Energjisë vendosi vitin e kaluar një çmim 100 euro/MWh për energjinë nga impiantet fotovoltaike deri në 2 MW dhe 76 euro/MWh për ato eolike deri në 3 MW.
Çmimet duket të jenë atraktive për t’i dhënë një shtytje investimeve në këtë sektor. Tarifa është më e lartë sesa tarifa e shitjes me shumicë në tregun e rregulluar shqiptar dhe, për më tepër, mbështetet mbi një kontratë afatgjatë parablerjeje të energjisë deri në shlyerjen e plotë të impianteve. Për sistemet e mëdha investitorët futen në ankand, nga ku përzgjidhet ai që kërkon çmimin më të ulët të energjisë.
Investitorët në sistemet e prodhimit të energjisë nga era dhe dielli, do të kenë një normë kthimi mbi 15% në vit.
Vitin e kaluar janë bërë të paktën 8 aplikime për parqe fotovoltaike me fuqi të instaluar deri në 2 megavat. Në total, vlera e investimeve të parashikuara për parqe dhe centrale fotovoltaike deri në këtë periudhë është 85.4 milionë euro dhe fuqia e instaluar e parashikuar 113.72 MW.
Ekspertët shprehen se, nëse politikat stimuluese do të vazhdojnë, kostoja nga impiantet fotovoltaike në vijim do të jetë më e lirë se ajo aktualja nga hidrocentralet.