MENU
klinika

Analizë

Dosja e kaltër: Prosekutim apo persekutim i Tahirit?

21.10.2018 - 19:14

Nga Mentor Nazarko 

(Një vit më parë)

Ndërsa në komisionin e mandateve të deputetit diskutohej dhe u vendos fati i ish-ministrit Saimir Tahiri, është rasti të mbarështrohen disa reflektime me karakter sintetizues.

Një rast ku në epiqendër është dyshimi për implikimin e një ish-ministri të Brendshëm, sigurisht se ysht vëmendjen publike më shumë sesa gjithçka tjetër. Jo vetëm kaq, por rëndësia e rastit shtohet edhe për ndërkalljen e dy shteteve si Shqipëria dhe Italia në hetim.

Breshëri i parë i akuzave thuajse demosteniane kundër Tahirit po pasohet me skepsën e një numri njerëzish që besojnë se ky mund të jetë skenar për të ndragur profilin e një ish-ministri, por edhe krejt vertebrën e Ministrisë së Brendshme. E pse jo dhe gjithë shumicën, me në krye Ramën, sipas arsyetimit bazik se ai nuk kishte si të mos e dinte.

Përtej një drame gjyqësore, duhet vënë re edhe një ngarkesë politike, sepse në rast se do të provohej ndonjëri nga dyshimet, atëherë do të përligjej pretendimi i opozitës se zgjedhjet janë blerë me para të prejardhura nga droga. Në një mjedis të tillë të elektrizuar, opozita natyrshëm se ndien një prirje kompulsive për të qenë e përfshirë në zallamahinë e akuzave shigjetuese, e pse jo për të trashur dosjen edhe më tej.

E pikërisht kjo sjellje, ndonëse reagim i justifikuar pas frustrimit që vjen nga humbja e zgjedhjeve, kompromenton më shumë prokurorët sesa origjina krahinore e tyre mbase tërësisht e rastit, apo e lidhur me guximin e tyre burimor për t’u përplasur me njerëz të fuqishëm.
Për një gazetar që e ndjek pasqyrimin mediatik të kësaj ngjarjeje, mbase në një rast si ky vlen ajo thënia matiane ‘çfarë ke lënë pa thënë, çfarë ke lënë pa ngrënë, qar e ke’.

Për shkak të ndërlikueshmërisë së dosjes nga kuptimi juridik, është e kuptueshme që çdo prononcim pretencioz, shterues, do të ishte veçse trill nxitimi. Është më mirë të dish më shumë që të flasësh më mirë dhe më saktë. Megjithatë, në vija të përgjithshme politike, mund të thuhet se gjithnjë po qe se do të operohej brenda logjikës së ‘game of thrones’, aktualizimi i dosjes që rëndon Tahirin do të kishte qenë më mirë për opozitën sikur të kishte shpërthyer në kohën e çadrës, apo gjatë kohës së zgjedhjeve.

Dhe duket sikur ka njëfarë sensi përjashtues fakti që prokuroria italiane i përmbylli hetimet katërvjeçare bash në këtë periudhë dhe arrestimet po bëhen bash në momentin e pikërishëm politik. A thua se nuk e kanë llogaritur ata kontekstin kohor ndërsa flitet për një personazh si Tahiri?

Të gjitha këto elemente, por dhe të tjera, zor se do të krijojnë një momentum politik që do të sillte rrëzimin e qeverisë apo rikompozimin e saj. Është në natyrën e dinamikës së një qeverie rishtare, që duke prodhuar vazhdimisht ngjarje e zhvillime të reja, të eklipsojë rastin Tahiri.

Është për t’u shënuar se ishin vetë autoritetet italiane që nismuan këtë rast, meqë institucionet shqiptare nuk e kishin fuqinë që të zhbironin çështjen. I vetmi ‘hero’ i rastit është komisari Zagani, i cili, ndonëse akuzohet për trafik droge gjithashtu, ka qenë shkak i kësaj ndërmarrje katërvjeçare hetimi.

Tani kur edhe gjylet e fundit janë hedhur nga grykat e topave, thuajse nuk ka mbetur asgjë pa u thënë. Ndoshta Tahiri ka shumë për të thënë, sipas parimit mbrojtja më e mirë është sulmi, apo tjetrit se “ i mbyturi nuk pyet nga të lagurit. Por, si po duket, ai po noton mbi ujë, pas një tronditjeje të fortë në fillim.

Pas mësymjes së parë sulmuese ndaj Tahirit, kur ai dukej se ishte vënë me shpatulla për muri, tani sikur ka njëfarë tërheqje të Prokurorisë, që bëri të dalë në spikamë edhe një dosje e dytë. A thua ekziston?

Më kujtohet libri ‘Dosja e Kaltër’ që lexonim në kohë të komunizmit, që tregonte për ndjekjen e kriminelëve të luftës që kishin ndërtuar një jetë të dytë prej tebdili në Gjermaninë perëndimore, duke u bërë manaxherë të mirë për shembull.

Një avokat mbrojtës i viktimave naziste, në pamundësi për të gjetur fakte për fajësimin e manaxherit (ish-nazistit) u paraqit në seancën e radhës me një dosje të shkruar në rusisht. Kjo ishte bërë me qëllimin që t’i krijonte palës tjetër përshtypjen se më në fund kishin ardhur provat përfundimtare nga Rusia. I akuzuari u zverdh, kur pa gërmat rusisht mbi dosjen bosh dhe pranoi fajësinë menjëherë.

Dhe një dosje e ‘kaltër’ është dosja e dytë e ardhur nga Italia, për të cilën po flasin mediat në fillim, dhe opozita, që të krijohet njëlloj avantazhi psikologjik mbi palën tjetër. Pas bindjes time, kjo dosje më tepër rreh të ribëjë nga e para atë avantazh kur doli në sipërfaqe dosja ‘Tahiri’, sesa ekziston. Pse duhet të dilte tani?

Dyshoj ama që, përveç dosjes së dytë, e cila rezultoi të ishte një sajesë mediatike, do të ketë dosje të tjera fajësuese për politikën. Për të tjerë, sepse gjithçka po ndodh është në prag të fillimit të operacionit të vetting-ut, duke krijuar përshtypjen sikur kemi të bëjmë me një ledh të ri kundërvënës të një pjese të prokurorëve dhe gjyqtarëve, me opozitën në krah të saj, që bëjnë çmos për të kompromentuar një reformë të tillë.

Dhe së fundmi, edhe një konsideratë ngushtësisht humane. Tani edhe kur një ish-ministër që gëzonte fuqi e pushtet të konsiderueshëm mund të përfundonte i arrestuar për shkak të disa akuzave të diskutueshme, imagjoni se sa njerëz (që nuk i kishin këto prerogativa apo staturë prej pushtetari) janë rrasur burgjeve pikërisht prej sjelljeve persektuese dhe aspak prosekutuese të institucioneve tona të drejtësisë.