MENU
klinika

Çështjet e humbura nga Shqipëria

Dossier/ Arbitrazhet, një histori disfatash

13.10.2018 - 11:26

Këtë vit, qeveria shqiptare humbi gjyqin në gjykatën e arbitrazhit ndërkombëtar përballë kompanisë koncesionare të naftës, Bankers Petroleum. Në vitin 2015, mbështetur te një raport i Agjenicsë së Burimeve Natyrore, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve i vendosi Bankers një detyrim prej rreth 75 milionë dollarësh.

Pas debatesh të gjata, Bankers ra dakord ta paguante shumën, por me kusht që llogaritë të auditoheshin nga një kompani e pavarur ndërkombëtare, që të jepte një opinion që të pranohej nga të dy palët. Për këtë qëllim, u përzgjodh PricewaterhouseCoopers. Kompania globale e auditit, pasi bëri kontrollin e llogarive, i dha të drejtë kompanisë Bankers. Por, qeveria shqiptare nuk e pranoi këtë opinion dhe e çoi çështjen në gjykatën e arbitrazhit ndërkombëtar.

Në fund, edhe Gjykata e Arbitrazhit i dha të drejtë Bankers. Qeveria shqiptare i ktheu Bankers 57 milionë USD dhe pagoi shpenzimet gjyqësore për një vlerë rreth 3 milionë USD.

E kaluara na tregon një panorama të ngjashme. Shqipëria mund të numërojë me gishtat e njërës dorë rastet e suksesit në arbitrazhet ndërkombëtare dhe kur themi sukses nuk i referohemi marrjes së një dëmshpërblimi, por faktit që kemi shpëtuar pa e paguar një të tillë. Rastet më pak të mira janë ato kur jemi ulur dhe kemi bërë marrëveshje tavoline dhe në këtë rast fijet i luan politika, por kostoja nuk ka qenë e vogël.

Mbi të gjitha kostoja reale e arbitrazheve kanë qenë “zhbërjet” e kontratave të qeverive paraardhëse. General Elektric që do të ndërtonte linjën e parë për trenin elektrik Tiranë-Durrës sipas kontratës, edhe pse nuk bëri asgjë arriti të merrte jo pak, por 20 milionë euro. Rohde Nielsen, kompania daneze pati një marrëdhënie me qeverinë shqiptare të denjë për një skenar filmi, por sërish iku duke marrë 2.5 milionë euro.

Qershia mbi tortë e gjithë arbitrazheve vijon të mbetet CEZ. Kompania arriti të ulte qeverinë përballë dhe t’i merrte jo pak, por 95 milionë euro. Kjo në kohën kur të dhënat tregonin se kompania kishte shkaktuar një dëm 700 milionë euro nga keqmenaxhimi dhe abuzimet.

Në historikun e arbitrazheve nuk mungojnë as ato të shitjes së kuotave të bashkimit të kompanive, një histori që sot po shihet qartë sidomos tek pjesa e koncesioneve, të cilat janë kthyer në një treg të lirë të shitjes dhe transferimit të kuotave në afate të shkurtra. Mazhoranca e sotme, dikur në opozitë deklaroi se do të zhbënte një pjesë të mirë të koncensioneve të cilat padyshim do të përfundonin në arbitrazhe dhe me të ardhur në qeveri, nuk u ndie më për këtë pjesë. “Qëndisja” e kontratave është bërë aq mirë nga koncesionarët sa gjasat që Shqipëria të fitojë janë minimale, duke e rritur koston që duhet paguar.

Bilanci ynë negativ, ku strategjia e vetme është mbrojtja,  ndërsa sulmi kur nuk përmbushen detyrimet, sërish na është kthyer pas në “boomerang“ dhe kemi përfunduar duke e paguar edhe atë,  madje më shtrenjtë.

 Pantechniki kundër Shqipërisë

Në vitin 1994 kompania greke Pantechniki fitoi një tender ndërkombëtar për ndërtimin e rrugëve dhe urave në Shqipëri, konkretisht iu dhanë dy kontrata. Kontrata Elbasan – Cafasan dhe Mamurras-Milot. Menjëherë pas hyrjes në fuqi të kontratës nisi puna, por ajo u shkëput në mars të vitit 1997 për shkak të trazirave dhe kompania braktisi punimet. Në 29 maj të vitit 1997 kompania kërkoi një kompensim 4.89 milionë dollarë ndërsa më vonë një komision i ngritur nga Autoriteti Rrugor që ishte dhe kontraktori nxorri një dëm prej 1.8 milionë dollarësh.

Edhe pse ishte një vlerë dukshëm më e ulët se pretendimi, kompania greke do të pranonte për të mbajtur marrëdhëniet e mira me qeverinë shqiptare. Por pas disa vitesh, ende pagesa nuk u krye, duke bërë më pas që çështja të zvarritej në gjykatat shqiptare dhe arbitrazh. Duke analizuar zhvillimet, arbitrazhi do të vendoste që të dyja palët të paguanin secila kostot e gjyqit dhe tarifën e gjykatës, si dhe të rrëzoheshin pretendimet për përfitime financiare.

General Electric kundër Shqipërisë

Ambicia për trenin e parë elektrik në vend do t’i kushtonte Shqipërisë miliona dollarë nga një kontratë e firmosur nga qeveria Nano në 15 shtator 2003. Kompania General Electric, një lider global do të merrte përsipër këtë iniciativë, por me largimin e të majtëve nga pushteti detyrimet kontraktuale nuk po mbaheshin. Në 1 qershor të vitit 2006 kompania do t’i drejtohej arbitrazhit dhe do të kërkonte dëmshpërblim.

Gjykata vendosi në favor të kompanisë duke i kërkuar shtetit shqiptar që të paguante 20 milionë euro, ndërkohë që nënkontraktorëve do t’iu paguheshin interesa që shkonin në qindra mijëra dollarë. Zvarritja ishte e gjatë për shlyerjen e detyrimeve dhe në fund qeveria do të paguante vetëm një pjesë të tyre.

Mamidoil Jetoil Greek Petroleum Products Societe s.a kundër Shqipërisë

Historia me kompaninë greke është e hershme qysh në vitin 1995 kur erdhi një propozim për ndërtimin e depozitave të naftës në portin e Durrësit. Pas kalimit të disa fazave në vitin 1998 kompanisë iu rinovua kërkesa për depozitat, një investim fillestar 8 milionë dollarë. Por me ndryshimet e planeve për portin duket se ndryshuan dhe planet për investimin. Autoritetet njoftuan kompaninë se duhet të pezulloheshin punimet. Kjo ndodhi pas masterplanit të parë, të hartuar nga studioja e Luis Berger që njihet edhe për strategjitë kombëtare të transportit.

Në atë kohë u kërkua që zhvendosja e parkut të depozitave të bëhet në Porto Romano me paratë e vetë investitorit. Për këtë, kompania kërkoi kompensim në vitin 2008 që iu refuzua. Pavarësisht zvarritjeve, në 22 prill 2014 kompania kërkonte përveç 902 mijë eurove si kosto mbulimi të procedurave, edhe 23 milionë euro si dëm, kurse Shqipëria 528 mijë euro si kosto gjyqi. Në fund kërkuesi u cilësua përgjegjës për 495 mijë euro, kurse qeveria përgjegjëse 349 mijë euro.

Shqipërisë iu kërkua në fund që të rimbursonte në favor të Mamidoil 149 mijë euro.

Petrolifera kundër Shqipërisë

Një ndër projektet jo pak të përfolura ka qenë ajo e Petroliferës në Vlorë. Qeveria Nano miratoi marrveshjen me kompanitë La Petrolifera Italo-Rumena dhe La Petrolifera Italo-Albanese, por në fakt një vendim i Komsionit të Pronave do të kthente tokën tek pronarët duke rezultuar në një revoltë të kompanisë dhe çuarjen e çështjes në arbitrazh. Edhe pse pati vonesa në kontratë qeveria lëshoi pé duke i dhënë kompanisë disa lehtësi në detyrime. Problemi i dytë me kompaninë kishte të bënte me rimbursimin e TVSH-së. Duke u ndjerë e kërcënuar, sërish qeveria bëri lëshimin e radhës duke i dhënë Petroliferës 70 hektarë tokë me një vlerë 3 milionë euro.

Rohde Nielsen kundër Shqipërisë

Edhe ky arbitrazh do të përfundonte në favor të kompanisë së huaj. Danezët e Rohde Nielsen dhe qeveria shqiptare lidhën një kontratë për thellimin dhe pastrimin e pjesës së portit të Durrësit, konkretisht në kalata. Gjithçka nisi në vitin 2004 dhe kompania nisi thellimin përmes mjeteve të siguruara me qira edhe pse kjo në një afat më të vonuar sesa koha e nënshkrimit të kontratës. Palët përfunduan duke pasur pretendime mbi afatin në rastin e qeverisë, kurse kompania akuzoi se studimi teknik nuk ishte i plotë me mangësi të theksuara informacioni.

Kompania gjatë punës hasi në disa predha të mbetura nga Lufta e Dytë Botërore dhe pas kësaj u tërhoq për t’i lënë vend ndërhyrjes nga ushtria. Ngjarje të tjera do të pasonin këtë, por në finale qeveria nuk do të paguante këstin e mbetur prej 900 mijë eurosh për kontratën me vlerë totale 2 milionë euro.

Palët trokitën në dyert e gjykatës, ku secila kërkoi 6 milionë euro dëmshpërblim, por në fund e fituar do të ishte kompania e huaj me një dëmshpërblim në masën 2.5 milionë euro.

CEZ kundër Shqipërisë

Ai që u trumbetua si privatizimi më i suksesshëm, në fakt do të kthehej në telenovelën më të zgjatur të shqiptarëve dhe kjo jo për arbitrazhin, por për komisionet hetimore të ngritura në parlament. Bëhet fjalë për kontratën e qeverisë Berisha me çekët e CEZit për shitjen e 76 për qind të aksioneve të kompanisë së shpërndarjes. Edhe pse gjithçka në vitin 2009, kur mori fuqi kontrata do të dukej e thjeshtë, në fakt nuk rezultoi kështu. Në dy vite CEZ arriti të ulte humbjet dhe të synonte vendosjen e rregullit në treg kurse në 2012 dhe 2013 kompania pësoi një shthurje deri në nivelet e refuzimit të importit të energjisë, duke lënë pa energji qytetarët. Në 21 janar 2013, Enti Rregullator i Energjisë vendosi edhe heqjen e licencës. Kaq mjaftoi që çekët të shkonin në arbitrazh duke pretenduar dëmshpërblim në masën 200 milionë euro. Por qeveria shqiptare bëri një llogari të sajën dhe dëmet e pretenderuara ishin jo më pak se 700 milionë euro.

Edhe në këtë rast fijet do t’i tërhiqnin të tjerë aktorë, ku Çekia bëri të qartë qëndrimin e saj kundër Shqipërisë në BE. Qeveria e majtë do të niste negociatat në dhjetor të vitit 2013 dhe vetëm në qershor të vitit 2014 do të arrihej në një marrëveshje, e cila i falte CEZit 95 milionë euro nga taksat e shqiptarëve.

Burimi dhe Eagle Games kundër Shqipërisë

Rastet e fituara nga Shqipëria në Gjykatën e Arbitrazhit janë të pakta. Në 29 mars 2004 u krijua Eagle Games nga dy nënshtetas shqiptarë. Secili prej tyre zotëronte 50 për qind të aksioneve dhe objektivi kryesor i kompanisë ishte organizmi i lojërave Gërvisht dhe fito. Njëri prej aksionerëve hyri në marrëdhënie borxhi me kompaninë Burimi srl i cili do të financonte investimet e nevojshme si dhe do të mbulonte humbjet për pjesën takuese në Eagle Games.

Kompanitë kanë një histori të gjatë shitjesh aksionesh mes njëra-tjetrës ndërkohë që mes aksionerëve kishte lidhje familjare.  Pretendimi ndaj shtetit ishte që të paguheshin të paktën 1.03 miliardë lekë detyrime lidhur me heqjen e licencës. Gjykata në fund vendosi në favor të Shqipërisë duke e detyruar kompaninë të paguajë për koston e gjyqit dhe kostot lokale.

Sky Petroleum kundër Shqipërisë

Kompania amerikane dhe qeveria shqiptare lidhën një kontratë për ndarje prodhimi, eksplorimi dhe zhvillimi të hidrokarbureve në Bllokun 4, 5, si dhe Dumre. Por, Agjencia Kombëtare e Burimeve të Natyrës, pas inspektimit konstatoi se nuk ishin përmbushur detyrimet kontraktuale, duke e njoftuar kompaninë për zgjidhje të kontratës në 22 korrik 2011. Kaq ka mjaftuar që Sky Petroleum të kërkojë në Gjykatën e Arbitrazhit 1 miliard dollarë. Por, në fund fare, Gjykata vendosi në favor të qeverisë duke përcaktuar se zgjidhja e kontratës ishte bërë në kushte të drejta. Vendimi u dha në maj të vitit 2013.

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN