Daniel Radcliffe, 29 vjeç, protagonisti i një prej sagave më të shikuara dhe të suksesshme në botë, deklaroi në një program në “MSNBC” se fëmijët nuk e njohin si magjistarin e vogël.
Daniel Radcliffe debutoi si aktor në vitin 2001 me filmin e parë “Harry Potter”, “Guri filozofal”. Saga përfundoi 10 vjet më vonë dhe arkëtoi gjithsej 6 miliardë dollarë, sipas “Forbes”. Aktori tha me keqardhje se tani nuk e lidhin më me personazhin e famshëm të J.K. Rowling, sidomos nga fëmijët: “Shpesh më ndodh që gjatë takimeve me fansat, kur prindërit sjellin fëmijët dhe u thonë “Ky është “Harry Potter” dhe ata thonë “Jo, nuk është ai””. Në fakt, Radcliffe ishte vetëm 11 vjeç kur u angazhua me filmat dhe tashmë kanë kaluar 21 vjet nga dalja e librit të parë të J.K. Rowling.
“Është e çuditshme, por dhe e këndshme kur më takojnë dhe më thonë se kam qenë një pjesë e rëndësishme e fëmijërisë së tyre. Unë kam pasur “Simpsons” dhe ideja që unë kam të njëjtin ndikim në jetët e të tjerëve më bën të ndihem mirë. Kam qenë me fat që u bëra i njohur me Harry Potter, sepse është një personazh i dashur”.