Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri priti sot në takim Ministrin e Transportit dhe Infrastrukturës Dixhitale të Republikës Federale të Gjermanisë Andreas Scheuer. Dy ministrat nënvizuan rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit mes dy vendeve në fushën e infrastrukturës dhe energjisë.
“U fokusuam në bashkëpunimin në fushat ku ka interes siç janë infrastruktura dixhitale, pasi jemi duke diskutuar për disa projekte të përbashkëta. Pse jo, edhe interesi i kompanive gjermane për të zhvilluar infrastrukturën aeroportuale në Shqipëri. Unë i kërkova ministrit të ftojë kompanitë gjermane në potencialet e mundshme që do të hapen në zhvillimin e kësaj infrastrukture aeroportuale sidomos në jug,” u shpreh Gjiknuri.
Më tej, ai tha se Shqipëria mirëpret bizneset gjermane dhe e konsideron Gjermaninë një partnere shumë të rëndësishme. “Çdo kompani gjermane që vjen këtu është një besim dhe një forcë për zhvillimin e ekonomisë shqiptare, një garanci për të ardhmen”, theksoi Gjiknuri.
Ministri gjerman Scheuer tha se diskutimi mbi tematikën e transportit ishte shumë i rëndësishëm.
“Ne kemi përvojën, kemi investitorë të rëndësishëm, bashkëpunojmë mjaft mirë me njëri – tjetrin. Dëshirojmë që Shqipëria të shënojë zhvillime të mëtejshme jo vetëm përsa i përket proceseve integruese në Bashkimin Europian ku Gjermania sigurisht ofron mbështetjen e vet, por dëshirojmë që të mbështesim këtë zhvillim edhe në interes të vetë Gjermanisë. Ne jemi një donator i rëndësishëm i vendit tuaj në mënyrë të vetëdijshme sepse shikojmë potencialet e mëdha që ofron ky vend jo vetëm në sektorin ekonomisë, të energjisë, të bujqësisë, por sigurisht edhe në atë të turizmit,” nënvizoi Scheuer.