Edhe Korporata Elektroenergjetike Shqiptare do të investojë në prodhimin e energjisë nga burimet diellore. KESH ka përgatitur një projekt pilot për ndërtimin e një impianti fotovoltaik lundrues mbi liqenin e Vaut të Dejës, me një fuqi prej 12.9 MW.
Sipas drejtuesve të KESH, projekti synon të pilotojë një teknologji të avancuar dhe një model biznesi që nuk ka për qëllim të përfitojë nga skema e mbështetjes që Qeveria jep për burimet e rinovueshme të energjisë, por që synon të mbështetet në sinjalet e çmimeve që jep tregu i energjisë elektrike. Aktualisht, prodhimi i energjisë nga KESH mbështetet 100% në burime hidrike, nga hidrocentralet në kaskadën e lumit Drin.
Gjatë viteve të fundit KESH ka qenë i përfshirë në shumë diskutime me institucionet përkatëse të qeverisë së Shqipërisë si dhe me donatorë e banka zhvillimi, ku ka theksuar ambicjen dhe angazhimin për të zhvilluar me tej pozicionin e saj strategjik në sektorin e prodhimit të energjisë elektrike. Projekt tjetër madhor i KESH është zhvillimi ndërtimi i HEC-it të Skavicës, me fuqi 200 MW.
Përpjekjet e KESH për t’i hapur rrugën zhvillimit të këtij projekti u kurorëzuan me sukses në vitin 2017, kur enti i BE për investime në Ballkanin Perëndimor (WBIF) miratoi grantin për hartimin e Studimit të Leverdisshmërisë dhe Studimin e Ndikimit Social-Mjedisor, i cili më tej do ta bëjë projektin gati për të kërkuar financimin për zbatimin e tij.