MENU
klinika

Fondet sekrete greke

Lista e gazetarëve/ Mediat greke: Fake news

23.10.2018 - 11:48

Nga Erdi Bërxulli 

Nuk ka asnjë gazetë greke që të ketë botuar listë gazetarësh shqiptarë të paguar nga Greqia.

Nuk ka asnjë artikull në gazetën greke Elefteria Ora (Ora e Lirë), as në versionin print dhe as në atë online ku të përfshihet ndonjë listë të gazetarëve, politikanëve, njerëzve të medias apo dhe muzikës që kanë marrë para nga Greqia. Madje nuk ka asnjë portal grek, në versionet online që të ketë ndonjë listë të tillë.

Kjo është lehtësisht e vërtetueshme nga kush di greqisht, dhe e konfirmuar nga reporteri ynë në Athinë. Mirëpo ndërsa e vërteta çalon duke ecur ngadalë, gënjeshtra këmbëshpejtë po mbush mediat sociale.

Duke ju referuar emrit të kësaj gazete-Elefteria Ora (botim i vogël i ekstremistëve grekë) disa portale shqiptare, mbështetur në një blog privat i cili ka qenë botuesi fillestar, kanë nisur të qarkullojnë një të ashtuquajtur listë të gazetarëve dhe politikanëve të financuar nga Greqia në vitin që shkoi.

Portalet duke u ndërlidhur me zhurmën që ka nisur në Greqi për këtë financim, po qarkullojnë një tekst që është i njëjti si ai i blogut privat. Teksti në fjalë, pretendon se i referohet nga ana e vet portalit apo gazete greke të quajtur Elefteri Ora e cila kësisoj pretendohet se e ka botuar e para këtë listë.

Burime serioze greke, por dhe nga komuniteti i madh i gazetarëve shqiptarë në Greqi, e konfirmojnë se njeri prej gazetarëve greke që citohet aty nuk ekziston. Një emër tjetër nuk punon më në atë gazetë, dhe këto fakte shtojnë misterin. C’është kjo listë ?

Ngjan se të gjithë portalet shqipe që e kanë botuar, kanë rënë në grackën e ideatorëve të këtij shkrimi, i cili përmban në të ashtuquajturën listë emra gazetarësh të njohur për qëndrimet e tyre antigreke, si Artur Zheji dhe Mentor Nazarko, apo drejtues të partisë PDIU, që njihet ndryshe dhe si partia çame, por dhe gazetarë emisionesh zbavitëse si Rudina Magjistari, apo Ardit Gjebrea.

Si për ta bërë të besueshëm, në listë ka dhe ndonjë emër grek si Kosta Barka dhe për të shtuar më shumë tollovinë, është futur dhe emri i këngëtarit Noizy. Në krye të listës së çuditshme madje qëndron Shpëtim Idrizi me 340 mijë euro, kryetar i një partie e njohur për protesta kundër zyrtarëve të lartë grekë, i cili për këtë arsye pretendon se është mbajtur jashtë parlamentit dhe i njohur gjithashtu për përplasjet e tij me zotin Dule, kreu i partisë zyrtare të minoritetit grek.

Gazetari i njohur Artur Zheji, i përmendur në listë e ka bërë të njohur neverinë ndaj një botimi të tillë me anë të një qëndrimi në portalin e tij, rimarrë nga të gjithë mediat, ndërsa gazetarë të tjerë kanë preferuar të heshtin duke injoruar një publikim si ky.

Mediat serioze që raportojnë nga Greqia, si dhe Top Channel, ka dy ditë që informon publikun shqiptar se në asnjë media greke, nuk është botuar kurrfarë liste. Ato madje kanë bërë me dije se prokuroria greke ka nisur hetimin për nxjerrje të sekretit shtetëror.

Portalet shqiptare kanë qarkulluar emra të tjerë, por tingëllon jo e besueshme bashkimi në një lloj borderoje të tillë, i Noizyt me Ardit Gjebrean, Mentor Nazarkon dhe Artur Zhejin.

Ideatorët e botimit, i cili për herë të parë rezulton botuar në shqip, ngjan se mund të jenë në Tiranë dhe Athinë, thotë Zheji, të cilët në ankthin e botimit të listës së vërtetë, duan të bëjnë pis të gjithë sipas skemës së pistave të rreme, thotë ai.

Përderisa nuk ka një listë të publikuar dhe verifikuar, nuk mund të përmenden emra të përveçëm. Nëse do të dalë një listë e tillë, përsëri do të jemi këtu për të diskutuar, por “fake news” nuk mund të jetë kut matës për harxhim të kotë energjie të vlefshme. 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN