MENU
klinika

Burrel

Vrasja e 3-fishtë/ Ikën familja e autorit prej frikës së gjakmarrjes

15.10.2018 - 17:07

Vrasja e 3 punonjësve të Bashkisë, në Mat, nga Kujtim Koxha, mund të bëhet shkak edhe i një gakmarrje të mundshme.

Për të evituar diçka të tillë, familja e Koxhës, e përbërë nga 4 fëmijët e 51-vjeçarit, gruan, si dhe vëllezërit, është larguar nga fshati Shëlli

Pas vrasjes, familjes iu ofrua mbrojtje nga ana policore, dhe gruaja e ish-kryeplakut, Koxha, ndodhet në shtëpi e cila ruhet nga policia.

Por përveç gruas Policia ka marrë në mbrojtje dhe vëllain e vrasësit, i cili jeton aktualisht në Mamurras. Ndërkohë ende nuk janë ofruar pranë familjeve të viktimave, për tu sqaruar apo për të kërkuar besën.

Kryetari i Bashkisë së Matit, Nezir Rizvani ka pohuar se punimet në rrugë që u lanë përgjysmë pas masakrës në Shëlli, do të vijojnë në ditët në vijim.

NGJARJA

Ngjarja e rëndë që i mori jetën 3 personave dhe një tjetër u plagos ndodhi pasditen e 11 tetorit në fshatin Shëlli të Matit.

Shkak i krimit të 3-fishtë u bë rruga e fshatit Shëlli, ku punonjësit e Bashkisë po kryenin punime. Nga breshëria e plumbave Mentor Hoxha ndërroi jetë në vend, ndërsa Erzen Aliaj dhe Hamit Buçi vdiqën në spital.

Ndërkohë i plagosur mbeti kolegu i tyre, Astrit Hani, i cili mori dy plumba në kofshë, ndërsa ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Koxha, ish-kryeplak i këtij fshati, njihej si person problematik në zonën e tij. Raportohet se para disa ditësh Koxha kishte qenë në spital, pasi ishte plagosur me thikë nga vëllai i tij pas një konflikti. 51-vjeçari kishte qëndruar i shtruar për disa ditë në spitalin e Burrelit.

Gjatë momentit të shoqërimit në Komisariatin e Burrelit, Kujtim Koxha nuk shfaqi pendesë për krimin e 3-fishtë.

Gjatë marrjes në pyetje ditën e sotme nga togat e zeza, Koxha u tregua i rezervuar, ndërsa nuk pranoi të fliste pa praninë e avokatit të tij që ia kishte caktuar familja. Gjatë gjithë kohës në seancë ai mbante kokën ulur.