Blloku mund të presë një “tërmet politik “pas zgjedhjeve të Parlamentit Europian 2019, paralajmëroi nënkryeministri i Italisë, Luigi Di Maio.
Di Maio tha se ai beson se ajo që ndodhi në Itali pas zgjedhjeve të përgjithshme më 4 mars, kur votimi popullor solli një koalicion të pamundur të dy partive, do të ndodhë në të gjithë Evropën.
Partitë pro-BE u pakësuan ndjeshëm si rezultat i zgjedhjeve të fundit parlamentare italiane.
“Me zgjedhjet dhe atë që është planifikuar të ndodhë në maj të vitit të ardhshëm, do të ketë një tërmet politik në të gjithë Evropën”, tha Di Maio, i cili është gjithashtu Ministër i Zhvillimit Ekonomik dhe kreu i Lëvizjes Pesë yje në Itali(M5S).
“Të gjitha rregullat do të ndryshojnë” premtoi politikani italian.
Qeveria italiane dhe autoritetet e BE janë në vështirësi rreth deficitit buxhetor të synuar nga Roma në 2.4 për qind të GDP që tejkalon kufijtë e përcaktuar nga BE.
Zoti Maio vazhdoi: “Nëse BE do të bisedojë me ne, ne do të vendosim kamp në Bruksel dhe do të flasim për aq kohë sa ata dëshirojnë. Por nëse ka ndonjë paragjykim, nuk ka shpresa.”
Juncker ka këmbëngulur se KE nuk do të ndërhyjë duke thënë: “Është në dorën e politikbërësve italianë të gjejnë rregulla dhe masa që do të lejojnë Italinë të mbetet brenda objektivave të dakorduara buxhetore”.
Ndërkohë edhe kreu euroskeptik i Italisë Matteo Salvini është përfshirë në një konflikt verbal të vazhdueshëm me shefin e Komisionit Evropian Jean-Claude Juncker gjatë dy javëve të fundit.
Salvini i kujtoi Komisionit rrezikun e kërcënimit të një shteti anëtar qendror si Italia: “Evropa e bankierëve, e bazuar në imigracionin masiv dhe pasigurinë ekonomike vazhdon të kërcënojë dhe ofendojë italianët dhe qeverinë e tyre? Qetësohuni, në gjashtë muaj 500 milionë votues do t’i pushojnë ata. Ne po vazhdojmë.”
Europa ka për qëllim të zgjedhë një parlament të ri në maj 2019. Ashtu si në 2014, partitë politike europiane që do të jenë të pranishme në parlament do të propozojnë gjithashtu kandidatin e tyre për postin e kreut të Komisionit Evropian, i cili më vonë do të zgjidhet nga shumica e Këshillit Evropian, si dhe një shumicë e thjeshtë në parlamentin e ri.
Votimi i ardhshëm pritet të jetë një barometër për arenën politike evropiane, ku forca të ndryshme euroskeptike po fitojnë popullaritet.
Përveç Polonisë dhe Hungarisë, ku elitat qeverisëse kanë qenë kundër Brukselit mbi emigrimin dhe disa çështje të politikave të brendshme për një kohë të gjatë, edhe Italia zgjodhi gjithashtu një koalicion të përbërë nga lëvizja populiste Pesë Yjet dhe Partia Liga.
Në Gjermani, qeveria e udhëhequr nga veteranja politike pro-BE, Angela Merkel, ende po përpiqet të kapërcejë dallimet e brendshme dhe të fitojë përsëri votuesit e humbur në prag të krizës së emigrantëve, ndërkohë që partia AfD, që është kundër emigrantëve ka fituar popullaritet.
Zhvillime të tilla mund të çojnë në një situatë në të cilën Parlamenti i ardhshëm Europian do të shohë një rritje të euroskeptikëve dhe populistëve brenda radhëve të saj.