MENU
klinika

Koha e vendi ende të pacaktuara

Rusi-Israel/ Takimi i parë pas “krizës”

09.10.2018 - 11:21

Kryeministri i Israrelit Benjamin Netanjahu dhe presidenti rus Vladimir Putin do të takohen së shpejti për herë të parë pasi marrëdhëniet janë tensionuar keq pas rrëzimit të një aeroplani rus nga Siria muajin e kaluar.

Netanjahu e bëri njoftimin në fillim të mbledhjes javore të kabinetit të së dielës.

Rusia fajësoi Izraelin për përgjegjësinë indirekte në rrëzimin e aeroplanit, që pasoi një sulm izraelit më 17 shtator në një vend iranian pranë Latakisë.

Si rezultat, Rusia transferoi raketat anti-ajrore të përparuara S-300 në Siri javën e kaluar, duke ndërlikuar në mënyrë të konsiderueshme manovrueshmërinë izraelite në hapësirën ajrore siriane.

Kremlini, tha vetëm se Netanjahu ishte një nga udhëheqësit që telefonoi Putinin të dielën për ta uruar  për ditëlindjen e 66-të. Ai nuk tha asgjë për një takim të planifikuar. 

Veç tij edhe udhëheqësit e Uzbekistanit, Republikës së Kirgistanit, Azerbajxhanit, Taxhikistanit, Bjellorusisë, Armenisë, Kazakistanit dhe Serbisë telefonuan për të uruar Putinin për ditëlindjen.

Netanjahu tha se ai dhe Putini “ranë dakord të takohen së shpejti në mënyrë që të vazhdojnë koordinimin e rëndësishëm ndërushtarak të sigurisë”. Kryeministri përsëriti se Izraeli do të “veprojë në çdo kohë për të parandaluar Iranin nga vendosja e një pranie ushtarake në Siri dhe për të penguar transferimin e armëve vdekjeprurëse të Hezbollah në Liban”.

Megjithatë, që nga incidenti në mes të shtatorit, nuk ka pasur raportime të veprimeve izraelite kundër objektivave iranianë apo Hezbollahut në Siri.

Takimi Putin-Netanjahu do të jetë i katërti mes tyre këtë vit. Hera e fundit që u takuan ishte në korrik në Moskë, pak para takimit të Putinit me Presidentin e SHBA, Donald Trump. 

Netanjahu nuk tha se ku apo kur takimi do të zhvillohej. Ky do të jetë takimi i parë ballë për ballë që nga rrëzimi i aeroplanit, megjithëse të dy burrat kanë folur me telefon disa herë që nga ajo kohë.

Ndërkohë Ministri rus i Punëve të Jashtme, Mikhail Bogdanov fajësoi Netanjahun për një takimi të propozuar në Moskë me Presidentin e Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas, por që nuk është zhvilluar ende. 

Bogdanov tha në një intervistë të RIA Novosti se Moska ka ofruar gjatë viteve të organizojë një takim të Netanyahu-Abbas dhe tha se Netanjahu madje i kërkoi vetë rusëve të vepronin kështu. Ai tha se Moska e ka bindur Abbasin, por që gjatë dy viteve të fundit, Izraeli e ka braktisur idenë.

I dërguari i Rusisë në Izrael, Anatoli Viktorov, tha në një intervistë muajin e kaluar se oferta e Moskës për “lehtësimin e kontaktit të drejtpërdrejtë” midis Abbas dhe Netanyahu “mbetet në tryezë”.

“Ne e shprehëm këtë dy vjet më parë” tha ai. Presidenti Putin është i gatshëm të marrë pjesë në këtë takim të mundshëm.

Viktorov nuk pranoi të komentonte se çfarë, ose kush po e pengonte takimin.