MENU
klinika

Vetëm 11% mblidhet nga industria

Shqipëria prodhon 400 litra qumësht për frymë

25.10.2018 - 16:22

Shqipëria prodhon në vit rreth 1.15 milionë tonë qumësht, ose rreth 400 litra qumësht për frymë. Megjithatë, shfrytëzimi i këtij produkti vuan probleme të formalizimit dhe të sigurisë ushqimore.

Sipas statistikave të Instat, vetëm 11% e qumështit të prodhuar në vend grumbullohet në fabrikat e përpunimit; për pjesën e mbetur, mund të supozojmë se tregtohet në rrugë informale ose përdoret për nevojat familjare të fermerëve. Sasia e qumështit të grumbulluar nga fabrikat e përpunimit ishte rreth 125 mijë tonë.

Sipas Ministrisë së Bujqësisë, në vend veprojnë rreth 400 baxho të përpunimit të qumështit, por pjesa më e madhe e tyre duket se veprojnë në informalitet.

Mbështetur në shifrat e Eurostat, në vendet e Bashkimit Europian norma e grumbullimit varion nga 72% në 100%. Përjashtim vetëm Rumania (22%) dhe Bullgaria (48%).

Për të nxitur formalizimin në blegtori dhe sidomos te produktet e qumështit, Ministria e Bujqësisë ofron edhe subvencione për produktet që shiten në rrugë formale.

Fermerët mund të përfitojnë 10 lekë për litër qumësht, në fermat me mbi 15 krerë lopë, kundrejt faturës tatimore të shitjes dhe raport-analizës laboratorike përkatëse.

Gjithashtu, subvencionohet 50% e vlerës totale të faturave tatimore për pajisjen me makineri dhe për modernizimin e proceseve të punës në fermat blegtorale me jo më pak se 10 lopë dhe jo më pak se 100 bagëti të imëta. Gjithashtu, qeveria shqiptare subvebncionon deri në 30 milionë lekë për ndërtimin e pikave të grumbullimit.