MENU
klinika

Vlerësimi nga SHBA

Siguria në porte, Shqipëria ka bërë përmirësime

24.10.2018 - 11:02

Roja Bregdetare e Shteteve të Bashkuara të Amerikës konfirmon se Shqipëria ka bërë përmirësime të konsiderueshme në zbatimin e Kodit Ndërkombëtar të Sigurisë së Anijeve dhe të Porteve.

Konkluzioni është pjesë e rezultateve të monitorimit të sigurisë portuale të kryer në Shqipëri në Korrik 2018 nga përfaqësuesit e Programit Ndërkombëtar të Sigurisë Portuale (NSP) të Rojes Bregdetare të SHBA.

Në letrën e dërguar nga Kapiten M.W.Brown, Shef i Zyrës të Sigurisë në Porte Ndërkombëtare dhe Vendore të Rojes Bregdetare Amerikane për Ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri thuhet se “Shqipëria ka marrë masa të qarta dhe efikase për garantimin në vazhdimësi të sigurisë në porte”.

Klasifikimi i kryer nga Roja Bregdetare Amerikane konsiderohet shumë i rëndësishëm për portet dhe hapësirën detare shqiptare pasi është një mesazh inkurajues, që çon në rritjen e interesit të operatorëve ndërkombëtar të transportit detar te mallrave, pasagjereve dhe specifikisht të turistëve me anije kroçiere për të eksploruar territorin e vendit tonë.