Dje është përsëritur skena e vitit 2002, kur Barrichello i hapte rrugën Schumacher-it dhe ky i fundit shpallej kampion bote. Parakalimi me urdhër nga lart që Lewis Hamilton bëri në dëm të Valtteri Bottas ishte momenti kyç i garës së Çmimit të Madh të Rusisë në Formula 1.
Piloti britanik fitoi garën e zhvilluar në Sochi, por fituesi moral i kësaj gare është finlandezi. Shefi i Mercedes, Toto Wolff shpjegon se për të nuk ka qenë aspak e lehtë të urdhëronte Bottas të hapte krahun, por sipas tij, ky veprim brenda “familjes” ishte i domosdoshëm.
“Vendosëm që të shkëmbejmë vendet mes Bottas e Hamilton pasi gabuam strategji. Në ‘pit-stop’ humbëm vendin e dytë, pasi vettel e parakaloi Hamilton dhe më pas piloti ynë dëmtoi gomat duke qëndruar pas ferraristit për dy xhiro”, – tha Toto Wolff, duke shpjeguar arsyen e këtij “parakalimi”.
Më tej, numri 1 i Mercedes shton: “Është gjithnjë e vështirë të japësh një urdhër të tillë dhe këtë herë ka qenë e vështirë për mua t’i thoja Bottas të linte Hamilton ta parakalonte. Por këto gjëra kanë ndodhur edhe më pare, edhe pse në këtë rast preferoj që të më kritikojnë.”