Tregu i verës në Shqipëri vlerësohet se ka një volum prej rreth 16 milionë eurosh në vit. Mbështetur në të dhënat e prodhuesve dhe statistikat e Ministrisë së Bujqësisë, tregu ngelet në përmasa ende të vogla dhe i dominuar nga verërat e importit. Nëse i gjithë volumi i tregut në sasi përllogaritet në rreth 5.2 milionë litra, një shqiptar konsumon mesatarisht më pak se dy litra verë në vit.
Sipas të dhënave vihet re se gjatë vitit 2017 është importuar rreth 4900 tonë verë, nga 4100 tonë që ishte importuar gjatë 2016-ës. Në vlerë monetare, gjatë 2017-ës është importuar verë në vlerën e 1.4 miliardë lekëve, 27% më shumë krahasuar me vitin 2016. Prodhimi vendas është i vështirë të përllogaritet me saktës, për shkak të statistikave të cunguara dhe informalitetit të konsiderueshëm. Megjithatë, prodhuesit e verës e vlerësojnë në rreth 2 milionë litra në vit.
Të dhënat e Ministrisë së Bujqësisë tregojnë se në të gjithë Shqipërinë janë rreth 100 kantina, ndërsa vetëm rreth 10 prej tyre kanë prodhim sasior më të lartë dhe në normat e prodhimit të standardeve që kërkon kjo industri. Deri në fund të vitit 2017, llogaritej se sipërfaqja e mbjellë me vreshta ishte rreth 10,600 hektarë, me një rritje modeste prej 162 hektarësh krahasuar me vitin 2016.