Ministri i Financave dhe Ekonomisë Arben Ahmetaj deklaroi i vendosur se qeveria shqiptare do të vazhdojë me reformat për të rritur ekonominë. Duke cituar kryeministrin Edi Rama në mbledhjen e fundit të qeverisë, Ahmetaj tha se nuk do të ketë tërheqje.
Ai e nisi fjalën e tij në Konferencën vjetore “Politika monetare, Integrimi Ekonomik dhe normaliteti i ri” me krizën ekonomike të vitit 2008 dhe efektet e saj në Shqipëri.
“Kjo është një platformë prestigjioze për të shkëmbyer pikëpamje. Kriza financiare 2008 pati një impakt madhor mbi ekonominë globale sa është bërë normale t’i referohemi epokave të ndryshme si para dhe pas krizës.
Aktivitetet ekonomike kanë ndryshuar shumë pas vitit 2008. Efektet e krizës u transmetuan në ekonomi nëpërmjet kanaleve të ndryshme. Shqipëria nuk u përfshi në një recension klasik por degradimi i performancës nëpërmjet aktiviteteve ekonomike u shfaq vit pas viti”, tha Ahmetaj.
Ai tha se për të kaluar krizën, qeveria ndërmori një sërë reformash për të nxjerrë vendin nga gropa.
“Kishim vetëm një rrugë dhe tashmë ne, ju qytetarët e kanë parë dhe provuar mes dhimbjes, sprovave duke e lënë gropën prapa. Ekonomia shqiptare rritet mbi nivelet 4%. A mjafton? Ndoshta nuk mjafton as 7% por kur e krahason me 0,8 % të vitit 2013 sigurisht që është 4 herë më shumë. Vitin tjetër parashikohet 4.3% që mendohet të jetë më e larta në rajon“.
Shtimi i aktivitetit ekonomik është më në fund e shoqëruar me rritje punësimi. Çështja e punësimit është më e rëndësishmja për t’u diskutuar mes qeverive.
Në vitin 2018 presim që investimet e huaj të jenë në shifra të kënaqshme dhe shifra rekord. Qeveria shqiptare mori një sërë masash jo të lehta. Në vitin 2013 po të njëjtët aktorë kanë diskutuar si do të kalohet kriza ndërsa sot flitet a po kalojmë në një politikë normale monetare.
Aktualisht sistemi është likuid. Jemi të vendosur për kryerjen e reformave në vend”, theksoi Ahmetaj.